Bill Clinton donte marrëdhënie intime me Jacqueline Kennedy-n

  • 01 December 2015 - 21:15
Bill Clinton donte marrëdhënie intime me Jacqueline Kennedy-n

Me gjithë dallimin e madh në moshë – plot 17 vjet, Bill Clinton ishte përpjekur që ta joshte Jacqueline Kennedy-n në apartamentin e saj në Nju-Jork. Ish- presidenti i SHBA-së ishte përpjekur që të kishte marrëdhënie seksuale me ish-zonjën e parë të SHBA-së, ndonëse kjo e fundit kishte rezistuar. Kështu të paktën pretendohet në një libër të ri. Zonja Kennedy, që atëbotë ka qenë në vitet e gjashtëdhjeta, ka thënë që ajo dhe zotëri Clinton për pak sa nuk e kishin filluar një ‘ndeshje mundjeje’, para se ajo më në fund të ishte në gjendje ta largonte Bill-in nga vetja, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Image

“Jam ndier e lavdëruar nga vardisja e tij”

Ajo i kishte thënë një mikeshe të saj që zotëri Clinton ishte shumë i ngjashëm me bashkëshortin e saj, John F Kennedy, që gjithashtu ka qenë famëkeq për aferat e dashurisë – pasi që, sipas saj, asnjëri prej tyre nuk e pranonin ‘jo’-në si përgjigje. Clinton e kishte njohur zotëri Kennedy-n që prej kur kishte qenë një djalë i ri, kur e kishte takuar për herë të parë në vitin 1963, në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë. Kur zotëri Clinton kishte kandiduar për president në vitin 1992, ai kishte marrë edhe bekimin e zonjës Kennedy. Autorja Sarah Bradford kishte shkruar që zotëri Clinton ia kujtonte zonjës Kennedy bashkëshortin e saj, në pothuajse çdo sjellje të tij. Mirëpo, sipas një libri të ri, raporti në mes të Clinton-it dhe zonjës Kennedy kishte ndryshuar dukshëm pasi që ish-presidenti i SHBA-së e kishte kaluar vijën e kuqe, duke u munduar që të afrohej më shumë me ish-zonjën e parë të SHBA-së. Në librin e ri ‘Bill and Hillary: So This Is That Thing Called Love’, të shkruar nga autorët Darwin Porter dhe Danforth Prince, thuhet që ky incident kishte ngjarë pasi që Bill-i e kishte vizituar Jacqueline-n një pasdite në apartamentin e saj në Menhatan. Ajo i kishte thënë një shoqeje të saj: “Për pak sa nuk ia filluam një ndeshje ‘mundjeje’. Ka qenë e turpshme. Dua të them se jam ndier e lavdëruar nga vardisja e tij, për shkak të moshës sime, mirëpo më duhet të shtoj që Bill është sikur Jack-u: asnjëri nuk e pranonin ‘jo’-në si përgjigje. Që prej asaj dite preferoj të mos jem në një dhomë me Bill-in. Më duket që ai është një person që kurrë nuk dorëzohet”. Një zëdhënës i familjes Clinton, i pyetur për këtë çështje, ka thënë: “A është e mundur të më citosh duke qeshur me absurditetin e këtij tregimi?” Deri në pretendimet e bëra në librin e ri, marrëdhëniet në mes të zonjës Kennedy dhe Clinton-ëve janë ditur si shumë të mira dhe në gusht të vitit 1993 ajo e kishte ftuar çiftin në shtëpinë e saj të pushimeve. Zonja Kennedy ishte kënaqur në shoqërinë e çiftit, sidomos në shoqërinë e zonjës Clinton. Ato kishin diskutuar në lidhje me frikën se dikush mund ta vriste presidentin e SHBA-së si dhe për shpresat dhe ëndrrat që kishin pasur dhe kishin si zonja të para të SHBA-së.

Image

Çka i tha Kennedy Hillary-it?

Është raportuar që zonja Kennedy i kishte thënë Hillary Clinton-it: “Ti dhe unë jemi rritur në kohëra të ndryshme. Në kohën time asnjë grua nuk e kishte menduar se do të mund të bëhej presidente. Ëndrra jonë më e madhe ka qenë që të rriteshim dhe të martoheshim me një burrë të fuqishëm – preferohej të ishte edhe i pasur. Kur pata vendosur të lidhesha me mashkullin e pashëm, që aso kohe ishte senator i Masaçusetsit, pata menduar seriozisht që një ditë do të mundej të bëhej president i SHBA-së, ndonëse ishte katolik. Ndërsa, ti mund ta bësh historinë vetë”. Ndërsa, zonja Clinton i ishte përgjigjur: “Një dallim tjetër mes nesh është se ti mund ta mos kesh ditur gjithçka për Jack-un, ndërsa unë të gjitha i mësoj nga ballinat e gazetave”. Madje zonja Clinton, që për momentin është kandidatja që po i prin pretendentëve demokratë për ta marrë nominimin e Partisë Demokratike për garën presidenciale, i kishte thënë Kennedy-t që dëshironte të kandidonte për presidente, mirëpo me shumë gjasë do ta priste shekullin njëzetenjë. Ato kishin biseduar edhe për problemet që kishin si bashkëshorte të meshkujve të fuqishëm, kur Kennedy i kishte dhënë këshilla zonjës Clinton se si ta shmangte tradhtinë e bashkëshortit të saj.  

(Kosova Sot)

 

Image