SHBA mohon të jetë paralajmëruar 72 orë më herët nga Irani

  • A.P /
  • 15 April 2024 - 21:02
SHBA mohon të jetë paralajmëruar 72 orë më herët nga Irani

Zyrtarët turq, jordanezë dhe irakianë, kanë thënë se Irani ka njoftuar ditë më parë për sulmin e tij me dron, gjë që u mohua nga zyrtarët amerikanë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Bëhet e ditur se shumica e dronëve dhe raketave të lëshuara nga Irani janë shkatërruar përpara se të arrinin në territorin izraelit.

Ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amirabdollahian, tha se Irani i njoftoi vendet fqinje dhe aleatët e Izraelit për sulmin 72 orë më herët.

Kjo u mohua nga një zyrtar i lartë në administratën e presidentin amerikan, Joe Biden, i cili tha se Uashingtoni kishte kontakte me Iranin por nuk mori njoftim 72 orë përpara.

“Kjo nuk është aspak e vërtetë”, tha zyrtari.

Për dallim prej amerikanëve, Ministria e Jashtme e Turqisë tha se kishte folur me Uashingtonin dhe Teheranin përpara se të niste sulmi.

“Irani tha se reagimi do të ishte një përgjigje ndaj sulmit të Izraelit në ambasadën e tij në Damask dhe se nuk do të shkonte përtej kësaj. Ne ishim të vetëdijshëm për mundësitë. Zhvillimet nuk ishin surprizë”, tha një burim diplomatik turk.

Ndryshe, Teherani i dërgoi SHBA-së mesazh vetëm pasi sulmet filluan, duke shtuar kështu mundësinë për një përshkallëzim të mundshëm.

(Kosova Sot Online)