11-vjeçari në SHBA dënohet për vrasje

  • 06 February 2016 - 14:13
11-vjeçari në SHBA dënohet për vrasje

Një djalë 11-vjeçar në Tenesi të SHBA-ve është dënuar me tetë vjet burg për vrasjen e një vajze tetë vjeçe. Djaloshi u shpall fajtor për vrasje të gradës së parë. Sipas vendimit të gjykatës, ai ka qëlluar për vdekje me një armë zjarri tip “Shotgun” 8-vjeçaren MaKayla Dyer, pasi kjo e fundit nuk e la të luante me lodrën e saj.

Ai do të mbetet në burg deri sa të mbushë 19 vjeç. Ngjarja për të cilën është dënuar minoreni ka ndodhur mbrëmjen e 3 tetorit të vitit të shkuar.

Djali dhe prindërit e tij jetonin në një rulot në White Pine. MaKayla dhe e motra i janë afruar banesës së djalit dhe kanë komunikuar me të përmes dritares. Ai i ka kërkuar MaKayla-s kukullën që mbante në dorë, por kjo ka refuzuar. Në atë moment, djali ka rrëmbyer armën nga dollapi dhe e ka qëlluar. E gjithë ngjarja ka ndodhur ndërsa dy prindërit e djalit ishin duke parë televizor në dhomën tjetër të rulotit.

Në SHBA, dy vitet e fundit janë rritur debatet lidhur me ligjin për përdorimin e armëve të zjarrit, për shkak të numrit të shtuar të vrasjeve.

(Kosova Sot)