Bujtina “Skanderbeg” (“Kafja e Ilaz Qorrit”) mbush 90 vjet: Vend i torturave ku rrinte famëkeqi Ivo Andriq!

  • 10 February 2016 - 13:51
Bujtina “Skanderbeg” (“Kafja e Ilaz Qorrit”) mbush 90 vjet: Vend i torturave ku rrinte famëkeqi Ivo Andriq!

Studiuesi Bajram Mjeku, në profilin e tij në Facebook, ka publikuar një histori për objektin që gjendet tek Sheshi Skënderbeu në Prishtinë, i njohur nga shumica, si “Unioni”, që u dogj e u rinovua nga Benettoni. Postimin e tij mund ta lexoni të plotë më poshtë.

“Në vitin 1926 në Prishtinë, Mbretëria e Jugosllavisë së Versajës angazhoi arkitektin austriak, Andrea Kramer, për të ngritur objektin karakteristik në qendër të Prishtinës. Sivjet ky objekt mbush 90 vjet të ekzistencës së tij. Deri tash ka ndërruar disa pronarë dhe po aq emra.

Mbretëria e SKS-së, godinën e përdori për Konsullatë jugosllave. Për ata që nuk e dinë, në këtë godinë në cilësinë e diplomatit ka punuar shkrimtari dhe nobelisti serb, Ivo Andriq, i cili shquhet edhe për elaboratin e tij për zhdukjen e shqiptarëve.

Ky objekt shkëlqimin e pati gjatë Luftës së Dytë Botërore. U përdor si bujtinë me emrin Skanderbeg dhe ishte në pronësi të fisnikut prishtinas, Malush Kosova.

Kur Kosova u ripushtua nga Serbia, objekti mori emrin hotel Union. Nga viti 1945 e më vonë, në bodrumet e këtij objekti janë torturuar qindra shqiptarë.

Dikur ky objekt ka patur edhe një emër tjetër interesant. Është quajtur Kafja e Qorr Ilazit. Ky i fundit ka kryer një atentat sapo ka dalë nga ambientet e tij.

Sot ky objekt ka humbur shkëlqimin. Në vend që të përdorej për nevojat e Ministrisë për Kulturë, është shndërruar në objekt tregtar. Vënia në ankand e këtij objekti pas luftës së fundit në Kosovë, është dëshmia më e mirë se udhëheqja e vendit nuk pati interesimin më të vogël për ruajtjen dhe konservimin e vlerave të trashëgimisë kulturore”, ka shkruar Mjeku. 

(Kosova Sot)