Dëmtimet në tru ndikojnë në fuqizimin e lidhjeve shpirtërore

  • 11 February 2016 - 23:15
Dëmtimet në tru ndikojnë në fuqizimin e lidhjeve shpirtërore

Duket që futja në botën mistike varet shumë nga aftësia e trurit tonë për t’i lënë gjërat që të rrjedhin lirshëm. Përgjatë historisë, shumë njerëz kanë pretenduar të kenë pasur përvoja mistike, duke thënë që kanë ndjerë një lidhje të fuqishme shpirtërore, që më pas ka ndikuar në ndryshimin e përhershëm të tyre. Tani hulumtuesit kanë zbuluar që dyert e perceptimit mund të mbahen të mbyllura nga mekanizmat pengues në tru dhe se rrëzimi i këtyre mekanizmave është çelësi i ‘hapjes së këtyre dyerve’. Sipas shkencëtarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Zelandë të Re, aftësia jonë për t’u futur në eksperienca të tilla mistike drejtohet nga njëra prej dy teorive: ‘shtytja’ ose ‘tërheqja’. Neuroshkencëtarët më herët kishin pretenduar që kanë zbuluar një regjion në tru, ‘Zona e Zotit’, për të cilën thoshin që ishte i ndërlidhur me eksperiencat fetare. Kjo pjesë e trurit do të na ‘shtynte’ ne drejt misticizmit. Megjithatë, kjo gjë është kundërshtuar nga hulumtuesit e tjerë, të cilët pretendojnë që këto eksperienca janë shumë më të ndërlikuara dhe ndërlidhen me më shumë pjesë të trurit,  transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Teoria e ‘tërheqjes’

Hulumtuesit në Institutin e Rehabilitimit në Çikago dhe në Universitetin ‘Victoria’ në Uellington të Zelandës së Re besojnë që nuk është aktivizimi i një pjese specifike të trurit, mirëpo shtypja e funksioneve rregulluese të trurit ajo që rrit gjasat tona për të pasur një eksperiencë mistike. Kjo gjë na çon në ‘tërheqjen’ si kundërshtim i ‘shtytjes’. “Teoritë e ‘shtytjes thonë që aktivizimi i ‘Zonës së Zotit’ shkakton përjetimin mistik, duke lënë të kuptohet që lëndimi i këtyre pjesëve do të çonte në zvogëlim të misticizmit”, ka shpjeguar Dr. Joseph Bulbulia nga Universiteti ‘Victoria’. “Për dallim nga kjo, teoria e ‘tërheqjes’ argumenton që është pikërisht shtypja e këtyre funksioneve frenuese që ndikon në hapjen e trurit ndaj eksperiencave mistike. Kjo është një temë shumë e nxehtë debati, megjithatë ne po mundohemi që t’i qartësojmë pozicionet tona”.

Eksperienca mistike

Për ta testuar teorinë e tyre, grupi ka përcjellë më shumë se 100 pacientë të cilët kanë qenë veteranë të Luftës së Vietnamit, të cilët i ishin nënshtruar testeve të aftësisë së të kuptuarit para se të shkonin në Luftë dhe pasi ishin kthyer nga Lufta. Nëpërmjet analizimit të dëmtimeve që ishin shkaktuar në pjesët e trurit të tyre, hulumtuesit kanë qenë në gjendje të parashikonin se sa ishin mundësitë që ata të përjetonin eksperienca mistike. Hulumtuesit kanë zbuluar që ata të cilët kanë pasur dëmtime në ‘Zonën e Zotit’, në pjesën e përparme të trurit si dhe në anët e tij, kishin gjasa më të mëdha që të përjetonin eksperienca mistike në krahasim me ata që nuk kishin dëmtime në këto pjesë të trurit.

(Kosova Sot)