Ishte prekur me luekemi akute, e shpëtoi një i huaj

  • 11 February 2016 - 23:42
Ishte prekur me luekemi akute, e shpëtoi një i huaj

Gjasat që Lara Casalotti ta gjente një dhurues të përshtatshëm të qelizave amë, me qëllim të mjekimit të formës agresive të leukemisë së saj, ishin tepër të vogla. Me një nënë tajlandeze dhe me një baba italian, Lara Casalotti, 24 vjeçe, kishte vetëm një në 25 milionë mundësi që ta gjente një donator të përshtatshëm. Por, përkundër kësaj, ajo refuzoi që të dekurajohej dhe filloi një kërkim global, të mbështetur nga shumë personazhe të njohura, duke filluar nga JK Rowling dhe Stephen Fry, e deri te David Cameron.

Sado e pabesueshme që mund të duket, personi i përshtatshëm tani është gjetur dhe, muajin e ardhshëm, ai do t’i dhurojë qelizat e tij amë. Dhe, si rezultat i kësaj kampanje, edhe rreth 20,000 njerëz të tjerë u regjistruan, kështu që të tjerët që janë në kërkim të një donatori të përshtatshëm, tani e kanë punën më të lehtë, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Image

Asnjë anëtar i familjes së saj nuk doli të ishte donator i përshtatshëm për të

“Muajt e kaluar kanë qenë tepër të rëndë për mua, por tani jam tepër falënderuese që u gjet një donator, me përshtatshmëri gjenetike”, thotë ajo, duke apeluar te njerëzit që të vazhdojnë që të regjistrohen në regjistrin e donatorëve, në mënyrë që të gjithë të kenë mundësi që ta gjejnë donatorin e tyre të kërkuar. Zonjusha Casalotti, nga Hampstead, Londra veriore, ishte diagnostikuar me formën akute të leukemisë mieloide në dhjetor, gjatë një udhëtimi në Tajlandë dhe i ishte thënë se shpresat më të mëdha për shërimin e saj ishin me anë të një transplantim të qelizave amë (embrionale). Por, sado i thjeshtë që duket ky trajtim, ai doli të ishte tepër i komplikuar për këtë studente, për shkak të prejardhjes së saj etnike, respektivisht të prindërve të saj. Vetëm 3% të numrit të përgjithshëm të listave të donatorëve të qelizave amë, kanë donatorë me raca të përziera. Asnjë anëtar i familjes së saj nuk doli të ishte donator i përshtatshëm për të. Por, pas një kërkimi global nga Shoqata bamirëse “Anthony Nolan” – ku u përfshinë edhe Tajlanda, SHBA-ja dhe Italia – u gjet përfundimisht një donator i përshtatshëm, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Image

Apeli i saj i shpërndarë edhe në shumë universitete

Identiteti i donatorit duhet të ngelet sekret, por besohet se ai do t’i dhurojë qelizat e tij në muajin mars. E ëma e vajzës, Supanya, thotë se, si nënë, ndihet e lumtur për gjetjen e donatorit të përshtatshëm dhe se falënderon nga zemra donatorin, kushdo që të jetë ai. Vëllai i vajzës, Seb, 20- vjeçar, thotë se janë të vetëdijshëm se sa fat kanë pasur pasi e kanë gjetur donatorin e përshtatshëm dhe se, jo të gjithë e kanë atë fat. Familja e zonjushës Casalotti vlerëson se numri i njerëzve në mbarë botën që i janë bashkuar regjistrit të donatorëve të qelizave amë, si rezultat i apelit të tyre, është më i madh se 20,000, gjë që paraqet një rritje prej 400%. Apeli i saj ishte shpërndarë edhe në shumë universitete, duke përfshirë edhe Universitetin e Londrës lindore, ku babai i saj, Dr. Stefano Casalotti, është një ligjërues i lartë. Shoqata “Anthony Nolan” po ashtu shënoi një rritje të donatorëve nga zezakët, aziatikët, pakicat etnike dhe nga personat me raca të përziera në Britani. Tani, kur lista e donatorëve është kaq e diversifikuar, gjasat e të tjerëve që ta gjejnë donatorin e tyre të përshtatshëm janë rritur shumëfish, sidomos për pjesëtarët e pakicave etnike, apo të atyre me raca të përziera.

(Kosova Sot)