Ja si ka humbur Perëndimi

Ja si ka humbur Perëndimi
  • 26 May 2016 - 11:12

Shkruan: Carl Bildt

Diskursi i tanishëm politik

Liderët bëjnë gjithçka që është e mundur për ta parandaluar prezantimin e masave proteksioniste

Asnjëherë më parë dy kandidatët kryesorë për Presidencën e SHBA-së nuk kanë qenë kaq të nxitur nga frika që tregtia e lirë do ta pamundësojë përparimin e Amerikës. Cilido nga këta kandidatë që zgjidhet në nëntor, pasojat duket se do të jenë serioze

Diskursi i tanishëm politik në të dyja anët e Atlantikut ka ndikuar në ngritjen e pyetjes që është vështirë të injorohet: A po largohen Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa nga politikat e hapjes, që historikisht e kanë nxitur suksesin ekonomik? Në SHBA Donald Trump, kandidati që pothuajse është i nominuari i Partisë Republikane për president, është duke bërë luftë verbale me çdo marrëveshje tregtare që e ka arritur vendi i tij. Ai ka kërcënuar që do zhbëjë Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Amerikën Veriore, si dhe është zotuar që do ta bllokojë çdo përpjekje që bëhet për ta lëvizur përpara Partneritetin Trans-Paqësor. Nëse pikëpamjet e Trump-it bëhen pjesë e platformës së Partisë Republikane, ndryshimi do të ndikonte shumë në skemën politike sa i përket tregtisë së lirë. Fundja, republikanët tradicionalisht kanë qenë pro tregtisë së lirë në SHBA, për dallim nga Partia Demokratike, që shpeshherë është përballur me zëra skeptikë nga unionet tregtare. Në anën tjetër, Hillary Clinton, që me gjasë do të jetë kundërshtarja e Trump-it në zgjedhjet e përgjithshme, duket se veçse ka filluar me përshtatjen e disa prej leksioneve kundër tregtisë, që janë dhënë nga Trump-i dhe kundërshtari i saj demokrat, Bernie Sanders. Krejt papritmas, ajo është kthyer kundër PTP-së, ndonëse dikur e kishte mbështetur. Ajo po e kundërshton planin e presidentit amerikan Barack Obama për ta ratifikuar atë në Kongres menjëherë pas zgjedhjeve të nëntorit.

Rritja e madhe në tregti

Kjo sjellje është e paprecedent. Asnjëherë më parë dy kandidatët kryesorë për presidencën e SHBA-së nuk kanë qenë kaq të nxitur nga frika që tregtia e lirë do ta pamundësojë përparimin e Amerikës. Cilido nga këta kandidatë që zgjidhet në nëntor, pasojat duket se do të jenë serioze. Gjërat nuk janë hiç më mirë as në Evropë. I gjithë spektri politik në Austri ka dalë kundër Partneritetit Transatlantik për Tregti dhe Investime në mes të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian. Edhe në Gjermani duket se është duke ndryshuar opinioni publik, përkundër suksesit që ka pasur ky vend në tregjet globale. Madje edhe në Holandë, që e ka pasur tregtinë e lirë në ADN, pjesëtarë të kampanjave të ndryshme po kërcënojnë se do ta mbajnë referendumin për refuzimin e marrëveshje tregtare transatlantike. Duke marrë parasysh historinë e Perëndimit, këto janë zhvillime befasuese. Ngritja e Evropës ka filluar kur anijet e saj kishin filluar ta eksploronin botën për tregje dhe mundësi të reja. Kjo gjë kishte ndikuar jo vetëm në rritjen e pasurisë, mirëpo edhe në inovacione. Hapja e tregjeve, fundja, është edhe hapje e mendjes. Ngjashëm, në dekadat që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, siguria e Perëndimit është ndërtuar fillimisht dhe kryesisht në suksesin ekonomik të SHBA-së, Evropës Perëndimore dhe Japonisë – sukses ky që është nxitur nga integrimi, tregtia dhe inovacionet. Në bazë të pothuajse çdo indikatori që mund të na vjen në mend, rritja e madhe në tregti gjatë çerekshekullit të fundit ia ka dhënë njerëzimit disa nga dekadat më të mira që ka përjetuar ndonjëherë. Për këtë arsye është e pamundur të imagjinohet arritja e qëllimeve ambicioze për zhvillim global pa e vendosur tregtinë e lirë dhe globalizimin në qendër të strategjisë. Nëse Perëndimi, pasi që do ta humbte vetëbesimin, largohet nga praktikat që e kanë bërë të suksesshëm, ku mbesin vendet e varfra dhe ato në zhvillim?

Bota do të përballet me një të ardhme shumë më të pasigurt

Fatmirësisht, ende nuk i kemi humbur të gjitha. Mirëpo shpëtimi i agjendës tregtare të Perëndimit kërkon lidership dhe këmbëngulje. Ky do të jetë një vit vendimtar. Marrëveshjet tregtare, në të cilat janë të përfshirja SHBA-ja, Azia dhe Evropa, janë të rëndësishme jo vetëm në aspektin e mallrave tradicionale, mirëpo edhe në aspektin e rrjedhjes së lirë të të dhënave. Ndonëse tregtia e mallrave fizike po tregon shenja stagnimit, rrjedhja e të dhënave është rritur shumë në dekadat e fundit. Nëse Obama mund ta sigurojë ratifikimin e Partneritetit Trans-Paqësor dhe i përmbyllë negociatat për Partneritetin Transatlantik për Tregti dhe Investime, ai do ta shtronte themelin për një progres në të ardhmen. Nëse ai nuk arrin ta kryej asnjërën prej këtyre dy detyrave – ose, edhe më keq, dështon në të dyja – bota do të përballet me një të ardhme shumë më të pasigurt. Liderët politikë të cilët vazhdojnë të besojnë në Perëndim duhet të përkushtohen për mbrojtjen e tregtisë së lirë dhe për ndërtimin e një bote edhe më të hapur. Ata duhet të bëjnë gjithçka që është e mundur për ta parandaluar prezantimin e masave proteksioniste dhe ngritjen e barrierave në rrugën e globalizimit.

Carl Bildt ka qenë ministër i Punëve të Jashtme i Suedisë nga viti 2006 deri në tetor të vitit 2014 dhe kryeministër i këtij vendi në periudhën 1991-1994, kur është negociuar anëtarësimi i Suedisë në Bashkimin Evropian. Ai është një diplomat i shquar ndërkombëtar, që ka shërbyer si i dërguar special i BE-së në ish-Jugosllavi. 

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”