Opozita e çakorduar, pushtetarët e relaksuar!

Opozita e çakorduar, pushtetarët e relaksuar!
  • 23 June 2016 - 08:15

Shkruan: Florim Zeqa

Lindin sinjalet e para të përshpejtimit të "Zanzibarit 2", apo prishjes së kurorës së panatyrshme qeverisëse PDK-LDK.

Situata, nëpër të cilën po kalon Kosova, nuk është aspak për t'u dëshiruar, pasi rreziqet dhe prapaskenat për humbje territori dhe sovraniteti janë permanente. Vazhdimi i dialogut me Serbinë dhe liberalizimi i vizave me kushtin e Demarkacionit me Malin e Zi, në asnjë rrethanë, nuk ishte dashur të përcillen kaq lehtësisht me heshtjen e opozitës dhe qytetarëve të vendit tonë. E kam thënë edhe më parë, po e përsëris prapë, ndarja e bllokut opozitar ishte fatale për të ardhmen e vendit. Kthimi mbrapa është dështim dhe vazhdim i keqqeverisjes, imoralitetit politik dhe degradimit institucional të vendit. Nuk është befasi dështimi i bllokut, këtë e kam vërejtur nga fillimi, befasi nuk do të jenë nesër as koalicionet e reja të ishanëtarëve të bllokut opozitar me partinë në pushtet (PDK). Deri dje së bashku në bllok shanin dhe "vranin" Qeverinë,...harruan "parimet" që thirreshin në to, tani shajnë dhe akuzojnë njëri-tjetrin, duke vrapuar pas pushtetit,...ky është niveli i moralitetit të kësaj klase politike, të cilës më së miri i shkon për shtati thënia e Pablo Borsellino: "Politika dhe mafia janë dy pushtete që synojnë të njëjtën hapësirë. Ata kur nuk merren vesh e bëjnë luftën mes vete". Pas thyerjes së bllokut opozitar, akuzat e ndërsjella në mes të anëtarëve të deridjeshëm në koalicion e vërtetuan heterogjenitetin, përbërjen jonatyrale të bllokut opozitar, divergjencat politike, pikëpamjet e kundërta programore dhe ideologjike.

Kuvendi i qetë, sheshi i zbrazur Ndarja e bllokut opozitar ua ka mundë- suar pushtetarëve të sillen me komoditet dhe pa asnjë problem me avazin e vjetër të keqqeverisjes dhe abuzimit me pushtetin, në raport me bisedimet me Serbinë në Bruksel dhe Demarkacionit me Malin e Zi. Partitë opozitare të ndara, njëra pjesë e qetë në parlament (VV) dhe tjetra jashtë tij AAK-NISMA),...secila në mënyrën e tyre janë duke i ndihmuar pushtetarët. VV-ja, si forcë e vetme opozitare në Kuvend, edhe përkundër konstruktivitetit në kundërshtimin apo mosvotimin e nismave të pozitës në Kuvend, gjithnjë do të mbetet e pafuqishme në pengimin e marrjes së vendimeve të "vështira" për vendin, përderisa as AAK-ja dhe NISMA me bojkotimin e seancave nuk janë duke e penguar aspak funksionalitetin e punës së këtij kuvendi të përgjysmuar.

Brishtësia e koalicionit jonatyral Me ketë trend të veprimeve të opozitës, pa asnjë problem pushtetarët mund t'ia arrijnë qëllimit për mbajtjen e pushtetit deri në fund të mandatit. Mirëpo, brishtësia e koalicionit jonatyral nuk ua garanton një gjë të tillë. Rritja enorme e stafit qeverisës nga kryeministri Mustafa në njërën anë, moskoordinimi i veprimeve në Parlament i koalicionit qeverisës dhe ngutja në zhvatjen e buxhetit të shtetit nga ana tjetër, japin sinjalet e para të përshpejtimit të "Zanzibarit 2", apo prishjes së kurorës së panatyrshme qeverisëse PDK-LDK. Shkuarja eventuale e këtij koalicioni deri në fund të mandatit më së tepërmi do t'i konvenonte liderit të LDK-së, Isa Mustafa, për t'u rehabilituar sadopak para elektoratit të këtij subjekti, si kryeministri i parë i vendit në Kosovën e pavarur që arrin t'i i shkojë deri në fund të mandatit edhe përkundër dështimeve të njëpasnjëshme në qeverisjen e vendit, abuzimit me pushtetin, shkeljen e 23 neneve të Kushtetutës, tkurrjen territoriale dhe humbjen e sovranitetit të vendit. Pushtetarët drejt këtij qëllimi janë duke i ndihmuar opozitarët e çakorduar, të ndarë në garën për marrjen e pushtetit, i cili duket të jetë shumë larg për opozitën e pakoordinuar në veprimet e saj.

 

Largimi i opozitës nga kauzat e saj Ditëve të fundit, opozita me (mos)veprimet e saj sikur është larguar nga qëllimet dhe kauzat, rreth të cilave muaj më parë arriti të tubojë në shesh hiç më pak se 100 mijë qytetarë, veprime këto që lëkundën themelet e këtij pushteti të kalbur, të inkriminuar dhe korruptuar skajshmërisht. Thënë ndryshe, opozita e çakorduar i ka bërë pushtetarët të ndihen të relaksuar, të qetë dhe komodë në majat e pushtetit. Opozita dhe qytetarët e vendit, sikur e kanë harruar një të vërtetë të madhe - asnjë pushtet diktatorial në rruzullin tokësor deri më sot nuk është larguar me lutje dhe as me votë, por vetëm përmes protestave, demonstratave të fuqishme dhe padëgjueshmërisë qytetare, sikurse që asnjë ndryshim pozitiv nuk është arritur në marrëveshje me diktatorët, por vetëm duke i detyruar ata të tërhiqen nga pushteti. Ah, sikur të mos ishte lakmia për pushtet e liderëve opozitarë, me protestat e filluara mbarëpopullore,...sot do ta kishim një situatë krejt tjetër në vend. Edhe pse është e vështirë të konstatohet saktë- sisht, se në cilën situatë do të ndodheshim në këto momente kur po i shkruaj këta rreshta. Megjithatë, sot pushtetarët nuk do të kishin kohë të merreshin me dialogun me Serbinë (me "Zajednicën"), as me Demarkacionin me Malin e Zi, as me gënjeshtrat për liberalizimin e vizave dhe as me manipulimet rreth "ngritjes" ekonomike të vendit më të varfër dhe më të pashpresë në rajon. Për këtë askush nuk na ka faj. Jemi vetë fajtor pse e kemi këtë gjendje të pashpresë me këtë klasë të shëmtuar politike. Kemi mbetur sikurse "Gomari i Buridanit", mes pushtetit të kalbur dhe opozitës së çakorduar.

(Kosova Sot)