Armët bërthamore, rreziku më i madh dhe imediat ndaj sigurisë globale

Armët bërthamore, rreziku më i madh dhe imediat ndaj sigurisë globale
  • 24 June 2016 - 11:05

Shkruan: Javier Solana 

Vizita e fundit e presidentit amerikan, Barack Obama, në Hiroshimë nuk ishte ndalesë e rëndomtë diplomatike. 

SHBA-ja evitoi një konferencë rreth ndalimit të armëve bërthamore në Lindjen e Mesme, me qëllim të evitimit të tensioneve me Izraelin.

Kjo vizitë jo vetëm që shënoi vizitën e parë të një presidenti aktual amerikan në këtë qytet, i cili ishte shkatërruar nga bomba bërthamore amerikane në vitin 1945. Ajo po ashtu tërhoqi vërejtjen te angazhimi i Obamas për mos proliferimin e armëve bërthamore. Në një fjalim të mbajtur në vitin 2009 në Pragë, Obama identifikoi armët bërthamore si "rrezikun më të madh dhe imediat ndaj sigurisë globale", për shkak të potencialit të tyre që të bien në duart e terroristëve dhe të elementeve të tjerë keqbërës. Në fjalimin e tij prekës në Hiroshimë, Obama përsëri e vuri theksin te nevoja e krijimit të një bote pa armë bërthamore. Ai foli rreth "revolucionit moral", i cili duhet ta shoqërojë progresin teknologjik, ku shoqëritë duhet t'i bëjnë ballë "logjikës së frikës", e cila ndikon që ato të kthehen dhe mbështeten te arsenali i tyre bërthamor. Por, edhe pse dy fjalimet shprehin ide të ngjashme, ato janë mbajtur në dy rrethana krejt të ndryshme. Në fakt, politika bërthamore e administratës së Obamës ka ndryshuar në mënyrë substanciale që nga viti 2009, kur frenimi i proliferimit bërthamor ishte njëri prej prioriteteve qendrore të politikës së tij të jashtme. Në vitin 2010, Obama i mblodhi liderët botërorë për Samitin e parë të sigurisë bërthamore, i cili u përqendrua te mbajtja e materialit bërthamor larg duarve të terroristëve, një përqendrim i cili edhe sot e kësaj dite duket i justifikuar. Edhe pse nuk është arritur qëllimi fillestar i ngrirjes së stoqeve të plutoniumit dhe të uraniumit tepër të pasuruar, katër samitet e mbajtur që nga atëherë kanë sjellë deri te zvogëlimi i burimeve të tjera të materialeve radioaktive, si dhe deri te përmirësimi i masave të sigurisë.

Administrata 'Obama' nuk e ka zvogëluar arsenalin Samiti i vitit 2010 erdhi vetëm pak ditë pas një fitoreje tjetër të mos proliferimit: Në fillim Obama, e më pas edhe presidenti i atëhershëm rus, Dmitri Medvedev, nënshkruan Marrëveshjen e re strategjike për reduktimin e armëve (START), e cila i detyronte ata që ta përgjysmonin sasinë e tyre të lansuesve të raketave strategjike bërthamore. Vetëm një vit më herët, sekretarja e atëhershme e shtetit Hillary Clinton dhe ministri i jashtëm rus, Sergey Lavrov, paralajmëruan një "rifillim" të marrëdhënieve bilaterale. Por, që nga atëherë, marrëdhëniet janë përkeqësuar, duke larguar kështu edhe shpresën për bashkëpunim shtesë. Në fakt, e tërë agjenda mosproliferuese e Obamës e ka humbur momentin e saj. Rusia vendosi që të mos merrte pjesë në Samitin e fundit të sigurisë bërthamore, të mbajtur në Uashington, në fillim të këtij viti. Dhe, jo vetëm që SHBA-ja nuk ka propozuar asnjë iniciativë të re të mos proliferimit; po në një konferencë të mbajtur në vitin 2015 për rishikimin e Marrëveshjes së mosproliferimit bërthamor, ajo evitoi një konferencë rreth ndalimit të armëve bërthamore në Lindjen e Mesme, me qëllim të evitimit të tensioneve me Izraelin. Për më tepër, administrata e Obamës ka zvogëluar arsenalin e vet më ngadalë sesa çdo administratë amerikane që nga fundi i Luftës së Ftohtë, duke promovuar në vend të kësaj modernizimin e këtij arsenali, një përpjekje që do të kërkojë rreth 1 trilion dollarë investime gjatë tri dekadave të ardhshme. Edhe pse programi teknikisht ka për qëllim përmirësimin e sigurisë së armëve ekzistuese, kritikët thonë se me këtë rriten gjasat për përdorimin e këtyre armëve. Por, Obama ka siguruar një fitore të madhe për mosproliferimin: duke ndihmuar në arritjen e marrëveshjes së shumëpritur bërthamore me Iranin, me qëllim të parandalimit që ai ta përdorte programin bërthamor civil, për të prodhuar armë të tilla. Pas viteve të tëra të negociatave të pafrytshme, zhvillimet vendore në Iran, ku në vitin 2013 u zgjodh një president më i moderuar, Hassan Rouhani - ofruan një hapje kritike diplomatike, të cilën Obama e shfrytëzoi. Marrëveshja me Iranin ishte një e arritur e madhe dhe atë jo vetëm për shkak se ajo duhet ta zvogëlojë rrezikun që vjen nga ai vend. Për shkak se mjafton një vend me armë bërthamore që ta pamundësojë arritjen e stabilitetit regjional, ndalimi i Iranit ka implikime të gjera regjionale. Duke zbutur frikën e rivalëve të Iranit, marrëveshja ofroi një hapësirë për zhvillimin e një strukture potenciale të sigurisë së Lindjes së Mesme. Ajo po ashtu ofroi një model për marrëveshjet e ardhshme multilaterale rreth temave të ngjashme. 

 

Displinimi i Koresë së Veriut Por, ky triumf nuk duhet të shkaktojë vetëkënaqësi. Armët bërthamore mbesin një rrezik i thellë dhe urgjent ndaj sigurisë dhe stabilitetit në tërë botën. Vetëm armët bërthamore mund ta shndërrojnë një konfrontim të vogël në një katastrofë të asaj shkalle, në komemoracionin e së cilës mori pjesë presidenti Obama në Hiroshima. Duke marrë parasysh këtë, nxitja për eliminimin e armëve bërthamore duhet të ringjallet me tërë elanin e viteve të para të presidentit Obama në post. Kjo duhet të na çojë së pari dhe kryesisht te Koreja Veriore, e cila përkundër mjeteve tepër të kufizuara, vazhdon që të investojë me të madhe në zhvillimin e programit të saj bërthamor. Opsioni më i mirë i bashkësisë ndërkombëtare për të ndikuar te Koreja Veriore, është Kina, e cila për një kohë të gjatë ka pasur marrëveshje të ngushta dhe ndikim ekonomik ndaj këtij vendi. Dhe, qasja e Kinës ndaj Koresë Veriore duket se është duke ndryshuar, kryesisht për shkak të çështjes bërthamore. Më herët, këtë vit, Kina vendosi që të mos e përdorte veton e saj në KS të OKB-së për ta bllokuar një raund të ri të sanksioneve kundër Koresë Veriore, si reagim ndaj raundit të saj të ri të testimeve bërthamore. Por, një delegacion vizitues i Koresë Veriore tash vonë deklaroi se vendi mbetet i përkushtuar për vazhdimin e programit bërthamor. Duke pasur parasysh se nuk mund të ketë siguri në Azinë lindore pa një marrëveshje bërthamore, esenciale është një veprim i fuqishëm ndërkombëtar. Veçanërisht, bashkësia ndërkombëtare duhet të rrisë reagimin e saj ndaj sjelljes gjithnjë e më të padisiplinuar të Koresë Veriore, duke i detyruar liderët e këtij vendi që të fillojnë negociatat me fuqitë botërore, në lidhje me programin bërthamor të saj. Por, që këto bisedime të jenë të suksesshme, Kina dhe SHBA-ja duhet që të punojnë së bashku, ku anëtarët e tjerë të KS të OKB-së duhet ta lehtë- sojnë një bashkëpunim të tillë. Fjalimi i Obama-s në Hiroshima kishte një rëndësi të madhe simbolike. Por, me më shumë se 15,000 armë bërthamore që vazhdojnë të ekzistojnë në botë, simbolizmi nuk mjafton. Është koha që të ndërmerren veprime për ta forcuar mosproliferimin.

(Javier Solana aktualisht është president i ESADE -Qendrës për ekonomi globale dhe gjeopolitikë) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)