Për Ju, denoncuesit e studentëve tuaj...

Për Ju, denoncuesit e studentëve tuaj...
  • 02 July 2016 - 08:08

Shkruan: Adlum Ramadani

Çfarë profesorësh kemi?

Ju, të cilët mbani leksione boshe, me çanta dore të mbushura me gjëra koti, e me kravata të mbështjella rreth vetes

Ju, të cilët luani të mençurin dhe bëni rojë tek porta e diturisë, që mbani leksione sa për sy e faqe dhe u hidhni pluhur syve të atyre që sapo kanë filluar t'i hapin, me të vërtetë ju nuk krenoheni për punën tuaj, por krenoheni me xhepin që ua mbush ky profesion dhe me privilegjin, që keni para studentëve tuaj, që as studentë nuk i konsideroni. Ju, që luftoni për emër dhe jo merita, që shuani shpresat e atyre që me mund sakrifikuan për të arritur deri aty, tek ajo porta e mallkuar ku mban leksion i padituri, mohohet i dituri dhe injorohet i afti. Me të vërtetë se pikërisht aty, nis rrugëtimi i devijimit të studentit, i cili nuk ka zgjidhje tjetër pos të shterë mundësitë e kopjimit e të bëjë vepra arti në muret e sallës, duke të dhënë përshtypjen e ndonjë ekspozite, e cila daton nga koha e gurit. Po pra, pikërisht ju, të cilët luani të mençurin dhe shisni mençuri fshatareske e nga halli se si të përfundohet muaji me lekë në xhepa, bëni marrëzira dhe impononi tekste, të cilat as ju vetë nuk keni dituri për to. Ju, të cilët nuk interesoheni të arsimoni studentë por thjesht t'i hiqni sysh, përmes disa pytësorësh të kotë, që madje as vetë nuk i bëni. Po pra, pikërisht ju, jeni djajtë e pashpirt, që pamëshirshëm shuani shpresat e atyre që bëjnë kilometra rrugë për t'u futur në këtë portë të mallkuar të diturisë. Ju, të cilët vlerësoni kë të doni me sa të doni, se ashtu ju vjen fjala. Ju, të cilët i keni skllavëruar mendjet e shëndosha e ua keni prerë krahët, me të vërtetë se ju nuk meritoni më shumë se pozita e një bariu (çobani). Deri kur do të vazhdojë frika, që të thyhet kjo heshtje djallëzore, që studenti të hapë gojën dhe të kundërshtojë profesorin e tij!? Deri kur do të vazhdojë frika se poqë se kundërshton profesorin mbetesh pa diplomuar!?

Profesorët demagogë

Ju, të cilët mbani leksione boshe, me çanta dore të mbushura me gjëra koti, e me kravata të mbështjella rreth vetes, duke luajtur të mençurin, si nuk ju vjen turp të denonconi studentin tuaj!? Fjalitë e 'gdhendura' në mur nuk janë se bëhen nga dëshira, por nga domosdoshmëria, që të shkruhet ashtu siç kërkohet përgjigjja, për pikë e presje, sepse pikërisht kjo dituri, kërkohet nga ju, të mençurit e universitetit. Fajësoni studentët, por harroni veten, sepse dështimi ka arsye, dhe prapa saj fshihet truri juaj i pështirë, në të cilën nuk ka vend më shumë se një libër. Madje ju, në shpinën e të gjorëve (studentëve) tentoni të pasuroheni, duke përdorur librat tuaj si karrem për ta. Dhe përsëri hapni gurmazin tuaj për kopjime!?