Më shumë Evropë, më pak Bruksel

Më shumë Evropë, më pak Bruksel
  • 22 July 2016 - 11:52

Shkruan: Carl Bildt

Projekti evropian mund të rinohet

Ideja e Unionit duhet të ngulitet tek të gjithë evropianët

BE-ja e pas ‘Brexit’-it duhet të jetë një Union, që është shumë më i lidhur me realitetet politike të shteteve anëtare. Ndonëse një ndërtesë e re për mbledhjet e tilla është duke u ndërtuar në Bruksel, ndoshta ne duhet të fillojmë t’i mbajmë disa samite të BE-së në pjesë të ndryshme të Evropës

Grusht-shteti i dështuar në Turqi na e ka kujtuar – sikur të na nevojitej një përkujtues – stabilitetin që është sjellë nga Bashkimi Evropian në Evropë e që dikur ka qenë i papërfytyrueshëm. Mirëpo, nëse BE-ja e pas ‘Brexit’-it mëton të ndryshojë, ajo duhet ta ndërrojë mënyrën se si e mendon veten. Deri më tani, më vjen keq ta them, mirëpo kjo gjë nuk është duke ndodhur. Menjëherë pas votës për ‘Brexit’, për shembull, gjashtë shtetet themeluese të asaj që ka qenë Komuniteti Ekonomik Evropian – Belgjika, Franca, Gjermania, Italia, Luksemburgu dhe Holanda – janë takuar për të diskutuar se çka duhej bërë. Siç edhe ishte pritur, 21 shtetet e tjera anëtare të BE-së ishin ndjerë të ofenduara nga ky përjashtim që u ishte bërë. Incidenti tregon për një sfidë më të madhe, të cilën BE-ja duhet ta tejkalojë nëse mëton ta siguron të ardhmen e vet pas ‘Brexit’-it. Thënë thjesht, ideja e Unionit duhet të ngulitet tek të gjithë evropianët, e jo vetëm tek ata që ftohen në mbledhjet ekskluzive. KEE-ja ishte themeluar në vitin 1957 dhe aspiratat zyrtare atëherë, sikur tani për BE-në, ka qenë rikrijimi i Evropës së Charlemagne-t, që kishte ekzistuar para më shumë se një mijë vjetësh.

Ngritja e Evropës dhe Perëndimit nuk ka filluar me Charlemagne-s

Që prej atëherë, liderët evropianë janë takuar kohë pas kohe nga froni antik i Charlemagne-s në Ahen, në shtegin gjerman të Uestfalias Veriore, për të dhënë fjalime vizionare që lajmërojnë që ka ardhur koha për ndërtimin e një Evrope të integruar. Aheni është shndërruar në një lloj Meke për besimtarët e vërtetë në mitin e themelimit të BE-së. Ndonëse pajtohem që Charlemagne është një personalitet intrigues historik, unë nuk mendoj që është shumë inspirues. Ai ka qenë një luftëtar mbresëlënës, mirëpo me gjasë i pashkolluar dhe perandoria që ai kishte ndërtuar ishte shpërbërë shumë shpejt pas vdekjes së tij. Ngritja e Evropës dhe Perëndimit nuk ka filluar me Charlemagne-s. Evropa që më inspiron nuk është Evropa e luftëtarëve të vjetër. Ajo që më inspiron është Evropa e mendimtarëve dhe tregtarëve. Është kontributi i tyre ndër shekuj që e ka transformuar Evropën nga një moçal global pas rënies së Romës në një qendër intelektuale dhe të progresit e inovacioneve, që e kishte krijuar Perëdnimin që ka ndryshuar kursin e njerëzimit. Kjo është Evropa e Kopernikut, Erasmus-it dhe Isaac Newton-it si dhe e të gjithë pionierëve të tjerë që kanë shkundur besëtytnitë dhe paragjykimet e së kaluarës nga mendjet e njerëzve. Evropa e tyre ka qenë e gjerë dhe pa kufij, shumë më e madhe sesa Evropa e Charlemagne-s. Traktatet e Immanuel Kant-it sa i përket mënyrës se si republikat mund të arrijnë “paqe të përjetshme” janë shkruar në Kosingsberg, ku sot shtrihet një pjesë e Rusisë. Ndërsa edhe qytetet e mëdha tregtare të Gdanskut, Sevijës dhe Venedikut vazhdojnë të ruajnë lidhje që shtrihen përtej kufijve të BE-së së sotme. Projekti evropian mund të rinohet vetëm nëse ata që e mbështesin shkojnë përtej vizionit të kufizuar të Charlemagne-s, ndalojnë së foluri për anëtarët e “rinj” dhe të “vjetër” dhe demonstrojnë me fjalë dhe me vepra që janë të hapur për ide nga të gjitha pjesët e Evropës. BE-ja nuk do të mund të funksionojë përderisa të gjitha shtetet anëtare nuk konsiderohen si të barabarta për përcaktimin e të ardhmes së përbashkët.

Një mit i rrezikshëm

Në vitin 2004, kur BE-ja kishte shtuar dhjetë anëtarë të rinj (përfshirë edhe tetë shtete që dikur kanë qenë komuniste), unë me gjysmë shakaje pata propozuar që selia kryesore e BE-së të zhvendosej nga “BE-ja e vjetër” në Bruksel drejt një qendre gjeografike, në një lokacion të “BE-së së re”, si, për shembull, në Bratisllavë, kryeqyteti i Sllovakisë. Ideja prapa këtij mendimi të çuditshëm ka qenë braktisja e modelit, që, sipas meje, pengonte zhvillimin e një Unioni më të hapur dhe më gjithëpërfshirës. Lëvizja nga Brukseli nuk ka ndodhur, mirëpo lëvizje nuk ka pasur as në transformimin mendor nga paradigma Ahenit. Fatkeqësisht, është pothuajse e qartë që mbledhjet e fshehta të mbajtura nga vëllazëria Ahen përbrenda Brukselit kanë ofruar më shumë ushqim për të pamëshirshmit dhe të pandershmit e pamëshirshëm nga kampanja pro ‘Brexit’-it. Përderisa kjo gjë nuk anashkalohet, mendësia e Ahenit do të vazhdojë të shërbejë si një qëllim i ngjashëm për kampanjat nacionaliste në shtetet e tjera anëtare. Natyrisht, është një mit i rrezikshëm kur thuhet që Brukseli ka marrë pushtet nga shtetet anëtare të BE-së. Në realitet, venitja graduale e pushteteve nacionale në një botë tejet të ndërvarur, e ka bërë të nevojshme që shtetet anëtare, me marrëveshje, të gjejnë zgjidhje të përbashkëta për sfidat e përbashkëta. Zgjidhjet e përbashkëta kërkojnë përfshirjen e një shpirti bashkëpunues. Kur liderët e të gjitha 27 shteteve anëtare të BE-së takohen në Bratisllavë në shtator ata duhet të fillojnë t’ua rikthejnë Evropën shteteve anëtare, dhe kjo nënkupton të gjitha shteteve. BE-ja e pas ‘Brexit’-it duhet të jetë një Union që është shumë më i lidhur me realitetet politike të shteteve anëtare. Ndonëse një ndërtesë e re për mbledhjet e tilla është duke u ndërtuar në Bruksel, ndoshta ne duhet të fillojmë t’i mbajmë disa samite të BE-së në pjesë të ndryshme të Evropës. Samiti i Bratisllavës mund të jetë fillimi i një përpjekjeje të re për përfshirjen e të gjithë Evropës. Epoka e Ahenit ka marrë fund, ka ardhur koha e Bratisllavës. Kemi nevojë për më shumë Evropë e më pak Bruksel. Nëse e mbështesim këtë model të ri dhe nëse i përmbahemi, BE-ja jo vetëm që do të mbijetojë, mirëpo edhe do të lulëzojë. Carl Bildt ka qenë ministër i Jashtëm i Suedisë në periudhën 2006-2014 dhe kryeministër i këtij vendi në periudhën 1991-1994 kur edhe është negociuar anëtarësimi i Suedisë në BE. Ai është një diplomat i shquar që, mes të tjerash, ka shërbyer edhe si i dërguar special i Kombeve të Bashkuara në Ballkan.

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”