Erdogan-i po udhëhiqet nga frika e hakmarrja

Erdogan-i po udhëhiqet nga frika e hakmarrja
  • 23 July 2016 - 14:47

Shkruan: Fawaz A. Gerges

Një pastrim kaq i madh ka shkaktuar alarm

Mungesa e stabilitetit ekonomik në Turqi, një ‘dhuratë nga Zoti’ për xhihadistët

Tensionet e thella historike që ekzistojnë në mes të ushtrisë së Turqisë, që e sheh rolin e vet si gardian të shtetit shekullar, dhe Erdogan-it, partia e të cilit, AKP, ka rrënjë në islamin e moderuar, do të kishte eskaluar në një luftë mes të gjithëve

Gjatë gjithë mbulimit që i është bërë përpjekjeve për grusht-shtet ushtarak kundër qeverisë së Erdogan-it, ka pasur shumë “çka nëse”, që nuk janë shqyrtuar pothuajse fare. Për shembull, nëse grusht-shteti do të kishte pasur sukses, rënia do të kishte qenë sizmike si për Turqinë e Lindjen e Mesme, ashtu edhe për arkitekturën perëndimore të sigurisë, në veçanti për NATO-n. Madje, edhe kundërshtarët më të mëdhenj të Recep Tayyip Erdogan-it, përfshirë shekullaristët dhe kurdët, e kanë kundërshtuar ashpër grusht-shtetin, pasi i janë frikësuar pasigurisë që do ta pasonte, si përbrenda edhe jashtë Turqisë. Turqit nuk kanë kujtime të mira nga katër intervenimet ushtarake në politikën turke – në vitin 1960, 1970, 1980 dhe 1997 – që kishte vënë një barrë të madhe mbi shtetin dhe shoqërinë. Nëse përpjekja do të kishte rezultuar e suksesshme, gjasat do të kishin qenë të mëdha që ushtria do ta suspendonte procesin demokratik në Turqi dhe në mënyrë brutale do ta përndiqte Erdogan-in dhe aleatët e tij, duke e çuar vendin në një luftë civile. Tensionet e thella historike që ekzistojnë në mes të ushtrisë së Turqisë, që e sheh rolin e vet si gardian të shtetit shekullar, dhe Erdogan-it, partia e të cilit, AKP, ka rrënjë në islamin e moderuar, do të kishte eskaluar në një luftë mes të gjithëve. Veçse të shtrirë në Siri dhe në Irak, Shtetit Islamik dhe Al-Kaida do ta kishte gjetur edhe një tokë pjellore, në një tjetër zonë konflikti. Mungesa e stabilitetit ekonomik në Turqi do të kishte qenë një ‘dhuratë nga Zoti’ për xhihadistët e ISIS-it.

Opozita në Turqi ka lënë anash mosmarrëveshjet e mëdha politike

Për shkak të rolit që ka në konfliktet në Siri dhe në Irak dhe si një partner në koalicionin e udhëhequr nga SHBA-ja kundër ISIS-it, zhytja e Turqisë në të panjohurën do ta kishte destabilizuar edhe më tej Lindjen e Mesme. Rikthimi i ushtrisë në politikën turke do të kishte qenë muzikë në veshët e diktatorëve në Siri dhe Egjipt si dhe për qeveritë anti-islamiste në regjion dhe përtej. Rënia e Erdogan-it do të kishte qenë një goditje e rëndë edhe për rebelët në Siri, të cilët varen nga Turqia për armë dhe para. Bashar al-Assad do të kishte qenë shumë i lumtur nëse Erdogan-i, armiku i tij i hidhur, do të rrëzohej nga gjeneralët, duke i çuar gjërat në favor të tij. Përkundër faktit që qeveria e Erdogan-it së fundmi i është bashkuar koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja, që sulmon ISIS-in në Siri, roli i Turqisë është vital për shkak të afërsisë me vendin ku zhvillohen luftimet, gjë që është bërë e ditur edhe nga zyrtarët amerikanë. Trazirat në Turqi, me shumë gjasë, do t’i kishin dhënë fund përfshirjes së saj në luftimin e ISIS-it dhe përpjekjet e koalicionit për ta zmbrapsur nga Raka, që është kryeqyteti de fakto i grupit terrorist dhe një bazë nga ku projektohen sulmet që më pas kryhen në vende të ndryshme të botës. Më e rëndësishmja, 2.7 milionë refugjatët sirianë në Turqi, me shumë gjasë do të kishin qenë viktimat e para në grusht-shtet. Pas një marrëveshje me Assad-in, gjeneralët do t’i kthenin refugjatët në shtëpitë e tyre. Administrata e Obama-s do ta kishte pasur tejet të vështirë të bashkëpunonte me një regjim me bazë ushtarake në Ankara, që ka rrëzuar një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike, sidomos pasi kjo forcë e NATO-s ka ushtrinë e dytë më të madhe në organizatë, pas SHBA-së. Do të pezullohej edhe anëtarësia e Turqisë në NATO, vendim ky që do të kishte pasoja strategjike për aleancën perëndimore të sigurisë. Për të gjitha këto arsye, opozita në Turqi ka lënë anash mosmarrëveshjet e mëdha politike me Erdogan-in dhe i ka mbështetur plotësisht institucionet demokratike të vendit. Ndonëse grusht-shteti ka shpërfaqur përçarje të thella ideologjike në këtë demokraci myslimane, i mbarë kombi është bashkuar rreth kushtetutës, ligjshmërisë dhe ndarjes së pushtetit.

Rivali i hidhur i Erdogan-it

Erdogan do të mund ta kishte përdorur këtë moment historik si katalizator për pajtim kombëtar dhe për t’i dhënë fund gërryerjes së demokracisë në vend. Armiqtë e tij shekullarë e kurdë kanë shfaqur kurajë morale, përgjegjësi civile dhe përkushtim për sundim të ligjit. Megjithatë, Erdogan duket se po i nxjerrë mësimet e gabuara, duke e parë rebelimin si një “dhuratë nga Zoti” për ta “pastruar ushtrinë tonë”. Në disa ditët e fundit, presidenti ka shkuar edhe një hap më larg në atë që duket si ‘pastrim i të gjitha institucioneve’ nga njerëzit që mund të mos i qëndrojnë besnikë. Më shumë se 50,000 njerëz janë arrestuar, larguar ose pezulluar nga vendet e tyre të punës, përfshirë këtu gjykatës, prokurorë, mësues, rektorë universitetesh dhe gazetarë. Rreth 15,200 punonjës të shkollimit publik dhe 21,000 mësues që punojnë në institucionet private të shkollimit janë pezulluar dhe janë hetuar për lidhje të mundshme me klerikun turk Fethullah Gylen, që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Erdogan e fajëson Gylen-in, rivalin e tij të hidhur, për orkestrimin e përpjekjes për grusht-shtet, pa dhënë ndonjë provë. Një pastrim kaq i madh ka shkaktuar alarm në Turqi dhe në kryeqytetet perëndimore, përkundër faktit që Erdogan-i dhe qeveria e tij i kanë shpërfillur paralajmërimet dhe kanë kërcënuar me rikthimin e dënimit me vdekje. Në vend se të udhëzohej me sundim ligji dhe me shpirt të drejtësisë, Erdogan-i po udhëhiqet nga frika, hakmarrja dhe dëshira për ta përqendruar pushtetin në duart e veta. Veprimet dhe retorika e tij popullore pritet të shkaktojnë polarizime dhe përçarje të mëtejme në Turqi. Nëse grusht-shteti do të kishte pasur sukses, Turqia do të ishte zhytur në një periudhë të prolonguar të kaosit. Megjithatë, dështimi i grusht-shtetit po kërcënonin  gërryerje të mëtejmë të demokracisë në vend, tragjedi kjo që, megjithatë, mund të mënjanohet. E gjitha varet nga Erdogan-i, popullariteti i të cilit është rritur pas përpjekjes për grusht-shtet, dhe nga fakti nëse ai do t’ia dalë të tregojë lidership dhe vizion. Shenjat nuk janë të mira pasi që Erdogan ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për një periudhë tremujore, gjë kjo që i jep mundësi dhe pushtet për t’i ndjekur armiqtë e tij të vërtetë dhe ata të supozuar.

(Fawaz A. Gerges është akademik libanezo-amerikan dhe analist me ekspertizë në Lindjen e Mesme, politikat e jashtme të SHBA-së, marrëdhëniet ndërkombëtare, Al-Kaidën dhe marrëdhëniet në mes të botës islame dhe asaj perëndimore)