Ta shpetojme vendim nga izolimi dhe renia

Ta shpetojme vendim nga izolimi dhe renia
  • 24 July 2016 - 11:32

Shkruan: Chris Patten 

Britanikët duhet të punojnë për interesat e përbashkëta të vendit.

Ajo që disa po e mendojnë është se 'Brexit'-i është një licencë për të abuzuar me burrat, gratë dhe fëmijët, të cilët jetojnë në këtë vend. E, ajo që e kanë bërë ata ka lënë gjurmë të thella në reputacionin dhe nderin tonë kombëtar .

Vota për 'Brexit' ka goditur rëndë infrastrukturën ekonomike të Britanisë dhe marrëdhëniet politike të këtij vendi me Evropën. Ata që kanë bërë kampanjë për largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, kryesisht në baza të gënjeshtrave dhe mashtrimeve, nuk e kanë pasur idenë se çka duhej të bëhej më tutje. Ata janë shkatërrues, e jo krijues. Mirëpo, tani, pasi është marrë vendimi, të gjithë britanikët duhet të punojnë për interesat e përbashkëta të vendit. Të gjithë ne, të udhëhequr nga një kryeministre e mençur Theresa May (që ka bërë kampanjë për të qëndruar në Evropë), duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për ta shpëtuar vendin nga izolimi dhe rënia. May është treguar e shpejtë në krijimin e një ekipi për menaxhimin e divorcit të Britanisë me BE-në. Aty përfshihet Boris Johnson si sekretar i Jashtëm, të cilët nuk kanë nevojë për t'ua përkujtuar që diplomatët duhet të dalin jashtë vendit dhe të gënjejnë për vendin e tyre. Sfida e tij e vetme nuk do të jetë vetëm raporti i tij me të vërtetën, mirëpo edhe historiku i ofendimeve që ua ka bërë shumë njerëzve - përfshirë edhe presidentin amerikan Barack Obama dhe Hillary Clinton-in, që ka gjasat të mëdha të jetë pasardhëse e tij në Shtëpinë e Bardhë - me të cilët ai do të duhet të bëjë biznes. Mirëpo, më e rëndësishme sesa ekipi është natyra e lojës, të cilën do ta luajnë ata. "Brexit-i nënkupton Brexit", ka thënë May. Mirëpo, çka do të thotë kjo për marrëdhëniet tona tregtare dhe politikat tona të imigrimit? A jemi të përkushtuar në kërkimin e qasjes në tregun e përbashkët të Evropës, të bazuar në kushtet tona të tanishme? A do të jemi në gjendje t'i sigurojmë të drejtat për shërbimet tona bankare dhe financiare, në mënyrë që ato të kenë mundësi të qëndrojnë në Britani dhe të operojnë në gjithë Evropën? Si mundemi që t'i pranojmë të gjitha këto objektiva, pa i pranuar rregullat e tregut të përbashkët?

Liderët inteligjentë të kampanjës për largim Një çështje shumë e rëndësishme në përgjigjen e këtyre pyetjeve do të jetë se për çka mund të negociojmë në lidhje me lëvizjen e lirë të fuqisë sonë punëtore? Për momentin, qëndrimi ynë në raport me tregtinë dhe migrimin duket të jetë rrumbullakuar në një slogan kontradiktor: "Të hapur për biznes, mirëpo të mbyllur për të huajt". Shpresoj - dhe dyshoj - që pak fleksibilitet do të jetë i mundur në këtë zonë. 'Brexit'-i, jo vetëm që e dëmton Britaninë, mirëpo, në nivel më të ultë, e dëmton edhe BE-në. Shtetet e tjera evropiane duhet të dëshirojnë që dalja e Britanisë të jetë sa më e lehtë dhe sa më miqësore. Megjithatë, në disa vitet e ardhshme, disa nga kolegët tanë të dikurshëm mund ta kuptojnë që edhe ata duan ndonjë lloj të ndaljes së rrjedhjes së migrimit nga një vend i BE-së në tjetrin. Kur një gjë e tillë të ndodhë, është e mundur t'i ofrohet Britanisë një marrëveshje më e mirë, pa e shkatërruar integritetin e traktateve dhe politikave të BE-së. Kampanja për 'Largim', në disa raste, ka inspiruar ashpërsi dhe urrejtje ndaj të huajve, kur edhe është raportuar për raste të rritjes së nivelit të urrejtjes ndaj të huajve në Britani të Madhe. Tani, ata që kanë bërë kampanjë për "Largim", natyrisht, e mohojnë që kanë pasur lidhje me këtë gjë. Disa prej tyre madje thonë që asnjëherë nuk kanë bërë thirrje për kufizim të imigrimit, thjeshtë "marrje të kontrollit" të kufijve tanë. Ky është një pretendim hipokrit. Askush nuk ka thënë: "Duam ta marrim kontrollin e kufijve tanë në mënyrë që të vazhdojmë ta pranojmë numrin e njëjtë të refugjatëve". Ata madje kanë qenë tejet të ashpër dhe specifikë kur kanë thënë që do t'ua ndalonin hyrjen dhunuesve, kriminelëve dhe të huajve, që po shumohen shpejt (turqve, në veçanti). Këto gjëra kanë qenë të ngjashme me retorikën e Trump-it. Madje, liderët inteligjentë të kampanjës për largim kanë kthyer kokën në anën tjetër kur buzëqeshja në fytyrën e tyre po venitej. Ata e kanë ditur se çka po ndodhte. "A jeni duke e menduar atë që po e mendojmë ne?", pyeste një poster konservativ në kampanjën e vitit 2005. 

Teoritë konspirative Ajo që disa po e mendojnë është se 'Brexit'-i është një licencë për të abuzuar me burrat, gratë dhe fëmijët të cilët jetojnë në këtë vend. E, ajo që e kanë bërë ata ka lënë gjurmë të thella në reputacionin dhe nderin tonë kombëtar. Largimi i kësaj njolle do të jetë detyra më e vështirë për May-n e cila ka shprehur dëshirën e saj të sinqertë për ta bashkuar kombin. Nuk do të jetë e lehtë. Gjatë kampanjës për referendum, nacionalizmi jo vetëm që ka ngritur instinktet raciste, mirëpo edhe teoritë konspirative që kanë pasur në cak ekspertët dhe institucionet në të cilat kanë punuar ata. Integriteti i departamenteve qeveritare si puna e Thesarit, Bankës së pavarur të Anglisë, dhe universiteteve tona madhështore, është sulmuar, siç ka ndodhur edhe me vetë Parlamentin, kryesisht për shkak sepse shumica e deputetëve britanikë kanë kërkuar qëndrimin në BE. Megjithatë, janë këto institucione, që janë ndërtuar me shumë kujdes për dekada të tëra dhe më gjatë, ato që e përbëjnë palcën kockore të shoqërisë sonë. Edmund Burke, mendimi i të cilit e ka formësuar në masë të madhe sistemin politik të Britanisë së Madhe, do të sakrifikohej nga vullneti i tyre për t'i vendosur çështjet e tilla në referendum. Thirrja nga kampanja për "Largim" ka qenë që e duam "rikthimin e shtetit tonë". Për të tjerët, pyetja, që vazhdon të jetë pa përgjigje, është: A do të vazhdojë të jetë Britania një vend me shoqëri tolerante, që është krenare me institucionet dhe traditat e veta kushtetuese dhe që admiron vlerat e veta nëpër botë?

(Chris Patten ka qenë guvernatori i fundit britanik në Hong-Kong dhe ka qenë komisionar i BE-së për Çështje të Jashtme) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

 

(Kosova Sot)