Feministet po e lëkundin udhëheqjen patriarkale?

Feministet po e lëkundin udhëheqjen patriarkale?
  • 29 July 2016 - 09:06

 Shkruan: PhD- kandidate Salihe Salihu

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë lider i zhvillimit demokratik

Nominimi i një femre për presidente është me vlerë të veçantë

Nt/ Ndryshimi i parë ndodhi, kur Barack Obama, me prejardhje të përkatësisë së një etnie me ngjyrë jo të bardhë, u nominua për president dhe arriti të fitojë postin e presidentit. Ndryshimi i tashëm kur për herë të parë nominohet një femër për presidente, e shpresohet që po ashtu sikurse Obama edhe Hillary Clinton të dalë fituese

Lajmi ogurmirë pas nominimit të Hillary Clintonit për presidente të SHBA-së është një shpresë se e ardhmja jo e largët në nivel botëror do të ketë një qasje drejt parimit të drejtësisë, ku peshorja për matjen e vlerave njerëzore do të jetë e mbështetur në parimin e barazisë mes gjinive. Këto ndryshime shpresëdhënëse do të influencojnë Kosovën tonë, në përfaqësuesit dhe institucionet tona, dhe me siguri që pikërisht në Kosovën tonë kënga e pushka do të jehojnë si për lindjen e djalit ashtu edhe të vajzës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë lider i zhvillimit demokratik dhe këtë po e dëshmon me veprime konkrete, duke shënuar dy ndryshime radikale me peshë historike brenda një dekade.

Ndryshimi i parë ndodhi kur Barack Obama, me prejardhje të përkatësisë së një etnie me ngjyrë jo të bardhë, u nominua për president dhe arrit të fiton postin e presidentit. Ndryshimi i tashëm kur për herë të parë nominohet një femër për presidente, e shpresohet që po ashtu sikurse Obama edhe Hillary Clinton të dalë fituese. Megjithatë, cilido që të jetë rezultati përfundimtar vetë nominimi i një femre për presidente është me vlerë të veçantë.

 Femrat janë më të kualifikuara, por nuk zënë postet e merituara

Pesha e vlerës së garës së një femre për të qenë presidente e SHBA-së është e lidhur drejtpërdrejt me faktin se kanë filluar ndryshime pozitive në të mirë të njerëzimit dhe konkretisht në të mirë të pozitës së gjinisë femërore. Është mahnitëse vetëdeklarimi i presidentit Barack Obama në natën e tretë të konventës së demokratëve kur pohoj se Hillary është profesionalisht më e kualifikuar se vetë Obama dhe ish-presidenti Bill Clinton kur kandiduan për president. Ky argumentim të shtyn në mendime dhe të shikosh se sa femra janë më të kualifikuara, por nuk zënë postet e merituara? Megjithëkëtë vetëkritika nga vetë meshkujt është një shenjë se drejtësia herët a vonë do të triumfojë. Këto veprime indikojnë që në krye të udhëheqjes botërore do të ndodhin ndryshime dhe pushteti i deritashëm që dominohet nga patriakati do të lëkundet. Shumëkush ka ndrojë se tani matriarkati do të dominojë. Por, kështu nuk është e vërteta, sepse goditjen që po e pëson patriarkati nuk është krejtësisht e nxitur nga matriarkati, por më shumë e inspiruar nga feministet demokrate, që bëjnë përpjekje të vendosin barazinë në mes gjinive.

Feministet demokrate si moto të tyre kanë që njerëzit pavarësisht përkatësisë gjinore të konsiderohen si vlera të barabarta njerëzore. Feministet demokrate kërkojnë fillimisht nga vetja që me kapacitete e tyre të kontribuojnë në zhvillimin e jetës familjare, shoqërore e shtetërore. Objektivi i tyre është që të shfrytëzohen kapacitetet njerëzore në mënyrë të barabartë dhe të kompensohen e të avancohen në mënyrë të barabartë pa dallim të përkatësisë gjinore. Lufta dhe përpjekja për ta arritur këtë qëllim ka qenë e gjatë dhe e mundimshme por fatmirësisht ka sjellë ndryshime pozitive në disa vende nëse marrim parasysh që në disa shtete në konstilacionin qeveritar reprezentojnë dy gjinitë pothuajse me përqindje të barabartë, 50 të gjinisë mashkullore e 50 të gjinisë femërore.

Edhe një sukses në baraspeshën mes femrës dhe mashkullit

Ky model i barazisë gjinore në kuadër qeveritar është i aplikuar në shtetet nordike, të cilat janë të njohura si shtete të mirëqenies. Mirëpo, mirëqenia sociale nuk është e shtrirë në përmasa të gjëra botërore. Mungesa e mirëqenies është më e evidencuar në ato shtete ku mungon aplikimi i koncepti barazi gjinore. Në këto shtete nuk përdoren dhe as nuk vlerësohen resurset njerëzore në shkallë të njëjtë sikurse në vendet ku luftohet që të aplikohet barazia gjinore. Por nëse arrin që vërtet zonja Hillary Clinton të fitojë postin e presidencës do të shënohet jo vetëm fitore e amerikanëve, por edhe një sukses në baraspeshën mes femrës dhe mashkullit. Ardhja në krye të Clintonit do të shënonte një përforcim të forcave feministe, që bëjnë përpjekje ta ngrisin rolin e femrës dhe vlerat e saj në shoqëri. Në këtë kontekst edhe femrat kosovare duhet të synojnë që të rrisin kapacitetet e tyre e të kontribojnë për të arritur ndryshime pozitive, që Kosova jonë e vogël të shndërrohet në një shtet të mirëqenies.

  Kështu që, lajmi ogurmirë pas nominimit të Hillary Clintonit për presidente të SHBA-së është një shpresë se e ardhmja jo e largët në nivel botëror do të ketë një qasje drejt parimit të drejtësisë, ku peshorja për matjen e vlerave do të jetë e mbështetur në parimin e barazisë mes gjinive. Këto ndryshime shpresëdhënëse do të influencojnë Kosovën tonë, në përfaqësuesit dhe institucionet tona, dhe me siguri që pikërisht në Kosovën tonë kënga e pushka do të jehojnë si për lindjen e djalit ashtu edhe të vajzës.