Sulmet e mistershme, produkt i zhvillimeve politike apo ?

Sulmet e mistershme, produkt i zhvillimeve politike apo ?
  • 25 August 2016 - 07:56

Shkruan: Florim Zeqa 

Se a janë vërtet sulmet misterioze ndaj institucioneve shtetërore produkt i zhvillimeve politike, apo janë prapaskena me prapavijë tjetër kriminale apo terroriste, përgjigjen do duhej dhënë organet përgjegjëse për sigurinë e vendit dhe jetës së qytetarëve, në të kundërtën moszbulimi i rasteve të tilla pashmangshëm e dërgon vendin në pasiguri totale dhe anarki ligjore.

Sulmet e fundit mbi institucionet shtetërore dhe mediumin e vetëm publik janë një mister i pazbuluar apo orkestrim i organizuar nga grupet e ndryshme të interesit në Kosovë. Hedhja e granatës së dorës në oborrin e mediumit të vetëm publik në vend, është sulmi i gjashtë me radhë, ndërsa i katërti vetëm brenda tetë muajve ndaj institucioneve të vendit. Siç dihet, më 12 mars të këtij viti sulmohet objekti i Kuvendit të Republikës së Kosovë me koktej molotovi, pastaj më 19 mars sulmohet Gjykata Themelore e Prishtinës, dega në Lipjan,...për të ardhur tek 4 gushti, kur përsëri sulmohet me zollë objekti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, e deri tek sulmi më i freskët ndaj objektit të RTK-së. Paradoksi qëndron në faktin, se si është e mundur të ndodhin të gjitha këto sulme para syve të organeve vendore (Policisë së Kosovës dhe FSK-së) dhe ndërkombëtare (KFOR dhe EULEX) si ruajtës të rendit, dhe të përfundojë pa u zbuluar së paku një pistë e mundshme e këtyre sulmeve misterioze!

Prapaskenë politike e përgatitur Pushtetarët, që dy herë radhazi janë duke e përdorur një e-mail adresë anonime në emër të "rugovasve" se gjoja ata e marrin përgjegjësinë për sulmet ndaj institucioneve shtetërore,...duke e ndërlidhur këtë me rezistencën e rugovasve në mbrojtjen e pronave të tyre dhe tërë- sisë territoriale të vendit, që pushtetarët po duan t'ia falin tokën Malit të Zi përmes Marrëveshjes skandaloze të presidentit dhe kryeministrit të vendit me fqinjët tanë dhe autoritetet e Brukselit. Në anën tjetër rugovasit e vërtetë, jo vetëm që nuk e pranojnë përgjegjësinë për sulmet, i dënojnë fuqishëm aktet e tilla të turpshme dhe qyqare, si dhe skenarët monstruozë të pushtetarëve aktualë. Kjo është më tepër se turp për pushtetarët, është prapaskenë politike e përgatitur nga grupet e caktuara për shpërqendrim të vëmendjes së opinionit publik nga aferat skandaloze të afer- ës "Pronto" në prag të votimit të Demarkacionit. Sikur të mos ishin të imlpikuar pushtetarët në sulmin e fundit dhe ato paraprake,...me siguri se do të zbuloheshin edhe autorët e vjedhjes vite më parë të rreth 50 kg drogë, qindra mijëra eurove, sasi ari dhe argjendi dhe fshehjes së dëshmive të shumta për raste kriminale në dhomat e sigurisë së lartë të Policisë së Kosovës. Jo që nuk u zbuluan "vjedhësit", por asnjëri nga zyrtarët e lartë të Policisë së Kosovës, përfshirë edhe ministrin e Punëve të Brendshme nuk u ngarkuan me përgjegjësi, përkundrazi u graduan dhe u avancuan në postet më të larta shtetërore! Kështu po ndodh në Kosovën e kapur nga grupet kriminale dhe mafioze, ku gjithnjë aktet e rënda kriminale përfundojnë me "dënime" verbale nga krerët shtetërorë dhe partiakë, përderisa kryerësit e veprave mbetën të paprekur dhe pandëshkuar nga drejtësia vendore, duke përfunduar gjithçka me konkluzionin e njëjtë "Hetimet vazhdojnë..."

Frymëzim për krimin e organizuar Ndërsa partitë politike, në pushtet dhe opozitë mjaftohen me derdhjen e "lotëve të krokodilit", pa shkuar tutje me procedimin e rasteve, siç janë thirrja në interpelancë të ministrit të Punëve të Brendshme, kryeministrit dhe presidentit, si formë e llogaridhënies para deputetëve dhe qytetarëve të vendit, ngase nga sulmet misterioze përveç dëmtimit të pronave publike dhe shtetërore, rrezikojnë edhe jetën e qytetarëve. Si gjithnjë subjektet politike, fajin për sulmet misterioze mundohen t'ia atribuojnë njëra-tjetrës për poena dhe kauza politike për interesat e tyre personale dhe partiake. Se a janë vërtetë, sulmet misterioze ndaj institucioneve shtetërore produkt i zhvillimeve politike, apo janë prapaskena me prapavijë tjetër kriminale apo terroriste, përgjigjen do duhej dhënë organet përgjegjëse për sigurinë e vendit dhe jetës së qytetarëve, në të kundërtën moszbulimi i rasteve të tilla, pashmangshëm e dërgon vendin në pasiguri totale dhe anarki ligjore, e cila frymëzon akoma më tepër lulëzimin e krimit të organizuar, korrupsionin dhe format e tjera të ekstremizmit politik dhe fetar në vendin tonë.

(Kosova Sot)