Spastrimi i madh në Turqi

Spastrimi i madh në Turqi
  • 26 August 2016 - 07:50

Shkruan: Mustafa Akyol

Situata është tepër e komplikuar

Ka shumë të ngjarë që Gulenistët ta kenë organizuar puçin e dështuar

Tentimi i puçit, i cili deshi të na e vidhte demokracinë, vetëm sa e ka forcuar përkushtimin tonë. Grupet kryesore politike në Turqi – islamikët, laikët, nacionalistët dhe kurdët – tani kryesisht janë të bashkuar për herë të parë pas disa dekadave, edhe pse vetëm rreth një çështjeje

Ka kaluar më shumë se një muaj që nga puçi i dështuar i 15 korrikut në Turqi. Shumica e njerëzve këtu janë të gëzuar që evituam një sulm më të madh ndaj demokracisë sonë, i cili do të mund ta shënonte fillimin e një regjimi brutal ushtarak, apo ndoshta edhe një luftë civile. Shumë njerëz jashtë Turqisë, në anën tjetër, duken më të shqetësuar rreth asaj që ndodhi pas dështimit të puçit, sesa rreth vet puçit të përgjakshëm, i cili shkaktoi vdekjen e më shumë se 250 njerëzve.

Ajo që duket se i shqetëson me të vërtetë njerëzit, sidomos në Perëndim, është spastrimi të cilin presidenti Recep Tayyip Erdogan dhe qeveria e tij e filluan pas kryengritjes. Numrat janë mbresëlënës: 80,000 shërbyes civilë janë suspenduar nga puna, më shumë se 2,000 sish gjykatës dhe prokurorë. Në ndërkohë, më shumë se 20,000 njerëz janë arrestuar. Ministri i drejtësisë bëri me dije në fillim të këtij muaji se rreth 38,000 të burgosur do të lirohen, për të bërë vend në burgjet e Turqisë.

Për disa, këto shifra ringjallin kujtimet e episodeve të errëta të shekullit të kaluar: Spastrimit të madh famëkeq të Stalinit kundër disidentëve gjatë viteve 1930, apo përdorimi i zjarrvënjes së Rajhstagut nga ana e Hitlerit, për t’i sulmuar komunistët.

Puçi nuk ishte vepër e oficerëve të caktuar

Por, situata në Turqi është tepër e komplikuar për t’u krahasuar me momente të tilla historike. Për shembull, rivali më i madh politik i Erdoganit, Partia republikane laike, apo C.H.P., pajtohet me presidentin de shteti duhet të spastrohet nga njerëzit që mbështetën tentim-puçin. Gjatë ditëve pas 15 korrikut, lideri i C.H.P.-së, Kemal Kilicdaroglu, vizitoi Erdoganin në pallatin e tij presidencial për herë të parë. Dy rivalët bile edhe biseduan së bashku në një miting kundër puçit, ku morën pjesë me miliona njerëz.

Me fjalë të tjera, tentimi i puçit, i cili deshi të na e vidhte demokracinë, vetëm sa e ka forcuar përkushtimin tonë. Grupet kryesore politike në Turqi – islamikët, laikët, nacionalistët dhe kurdët – tani kryesisht janë të bashkuar për herë të parë pas disa dekadave, edhe pse vetëm rreth një çështjeje. Ato pajtohen se puçi nuk ishte vepër e oficerëve të caktuar, por më me gjasë e një kulti islamik, i cili ka infiltruar institucionet shtetërore: nga lëvizja që udhëhiqet nga Fethullah Gulen, një imam turk, i cili jeton në Pensilvani që nga viti 1999.

Për të painformuarit, kjo mund të tingëllojë vetëm edhe si një teori tjetër bizare e konspiracionit në Turqi. Por, ata që e njohin vendin, pajtohen se kjo është e vërtetë. James F. Jeffrey, i cili ishte këtu ambasador i Amerikës midis viteve 2008 - 2010, ka deklaruar për një gazetë se Gulenistët kishin infiltruar rëndë forcën policore të Turqisë, si dhe sistemin e drejtësisë. Jeffrey po ashtu tha se pjesëtarët e këtij grupi i qëndronin besnik lëvizjes, e jo shtetit dhe se, “ka shumë të ngjarë” që Gulenistët ta kenë organizuar puçin e dështuar.

Autoritetet turke thonë se kjo është më se e sigurt. Ato thonë se disa nga komplotistët kanë pranuar se janë anëtarë të kultit Gulenist, dhe se kanë vepruar sipas urdhrave të tij dhe se mesazhet e dekoduara tregojnë për këto lidhje. Gjenerali kryesor turk, i cili u rrëmbye nga kryengritësit më 15 korrik, thotë se komplotistët donin që ta detyronin të bisedonte me “liderin tonë, Gulen”.

Spastrimi i madh i Turqisë nuk ka për qëllim ndëshkimin e çdo disidenti, por demaskimin e kësaj pranie të rrezikshme brenda shtetit. Zëdhënësi i presidentit Erdogan, Ibrahim Kalin, e krahasoi këtë situatë me largimin e qindra mijëra shërbyesve komunistë civilë nga qeveria gjermane, pas rënies së Murit të Berlinit. “Çdo shtet që ballafaqohet me kryengritje të brendshme, do ta bënte të njëjtën gjë”, ka deklaruar Carl Bildt, ish-kryeministër i Suedisë.

Turqia nuk ka nevojë për kritikë armiqësorë

Por, edhe pse spastrimi është i domosdoshëm, ka mundësi që ai të ketë shkuar tepër larg. Lëvizja Gulen është shpartalluar. Përpos aspiratave të saj politike, kjo lëvizje udhëheqë edhe shumë shkolla legale, organizata të bamirësisë dhe organizata mediatike. Thjesht, nëse punon, apo dhuron para për këto organizata, nuk duhet të mjaftojë që të arrestohesh, sikur që duket se ka ndodhur në disa raste.

Për shembull, qeveria ka lëshuar fletarrestime për më shumë se 40 gazetarë, ku disa prej tyre janë ekspertë të njohur, thjesht pse kishin punuar apo shkruar për gazetat pro-Guleniste. Por, gazetarët insistojnë se thjesht ishin kritikues të qeverisë, të cilët nuk ishin në dijeni për aktivitetet ilegale të lëvizjes.

Disa nga mbështetësit e zellshëm të presidentit Erdogan jo vetëm që injorojnë nuancat e tilla, por po ashtu janë të etur që t’i zbulojnë edhe “kripto-Gulenist-t” te të gjithë ata që bëjnë kritika. Për të shkuar përpara, presidenti Erdogan, i cili tani ka dhënë disa sinjale pozitive për pajtim kombëtar, duhet t’i frenojë mbështetësit e tij, të cilët duken të prirë që ta eskalojnë këtë spastrim duke e shndërruar atë në një ndjekje diktatoriale të shtrigave. Ai po ashtu duhet të vazhdojë që të punojë me opozitën kryesore, e cila e pranon seriozitetin e gjendjes të shkaktuar nga Gulenistët, por tërheqë vërejtjen rreth teprimit në këtë drejtim.

Në ndërkohë, Perëndimi duhet të kuptojë se kjo nuk ka të bëjë me tendencat autoritare të presidentit Erdogan, por me një rrezik të vërtetë për Turqinë, i cili u manifestua me tërë ligësinë e vet më 15 korrik. Për më tepër, Turqia është traumatizuar edhe më shumë këtyre ditëve për shkak të sulmeve të përsëritura terroriste nga ISIS dhe militantët kurdë. Për të qenë në gjendje që të merret me këto kriza brenda kufijve të demokracisë, Turqia nuk ka nevojë për kritikë armiqësorë, por për miq kritikë. Perëndimi duhet ta zgjerojë këtë miqësi, në rend të parë duke kuptuar se nëpër çka në fakt është duke kaluar Turqia, e më pas duke dhënë këshilla rreth të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.

(Mustafa Akyol është autor i librit “Islam Without Extremes: A Muslim Case for Liberty” dhe një analist i njohur)