Cili është BOSI i aferës "Pronto"?

Cili është BOSI i aferës
  • 27 August 2016 - 07:44

Shkruan: Florim Zeqa

Punësimet pa kritere nga ana e grupit mafioz

Bashkatdhetarëve u kushtoi me pagesën e haraçit në emër të procedurës së shpejtë të nxjerrjes së dokumenteve

Siç duket, publikimet e fundit të audio-incizimeve të aferave korruptive dhe lidhjeve nepotike të grupit mafioz "Pronto", kanë filluar të prekin në ndërgjegjen e shoqërisë civile, njerëzve të ndershëm që ia duan të mirën këtij vendi.

Një fjalë e urtë popullore thotë: "Kambana bie për ata që kanë vesh", andaj shtrohet pyetja - Ku janë drejtësia kosovare, Kryeprokurori i shtetit, policia, agjensionet dhe Task-forca antikorrupsion që i kanë futur veshët në lesh?

Nuk e kisha ndërmend të merrem tutje me aferën "Pronto", pasi çdo gjë është bërë publike për opinionin e gjerë publik, mirëpo duke e dëgjuar më vëmendje "Dosjen e shefave XIX", respektivisht bisedën numër 4-të  telefonatës, e cila i vërteton në mënyrën më besnike punësimet pa kritere nga ana e grupit mafioz "Pronto", ku bashkëbiseduesi i "shefit të shefave" emërohet drejtor në Zyrën e Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, pa iu nënshtruar intervistës me gojë dhe pa përmbushur asnjë kriter profesional!

Intervista në fjalë më ktheu pashmangshëm mbrapa në kohë, në vitin 2013, kur gjatë pushimeve në vendlindje, i dëgjoja qytetarët e Klinës duke folur në heshtje për fenomenin e emërimit të drejtorit në Qendrën e Regjistrimit Civil nga ana e "shefit të shefave".

Rasti është mbret i botës 

Pak nga kureshtja, e më shumë nga nevoja e vazhdimit të afatit të letërnjoftimit të bashkëshortes sime, ju drejtova Zyrës së Regjistrimit Civil në Klinë. Ditën e parë, kur shkova vetëm për t'u informuar rreth procedurave të vazhdimit, me sytë e mi e pashë  kur zyrtarët e kësaj qendre masakruan të gjitha pasaportat e një familjeje mërgimtare, e cila një ditë më pas duhej të nisej drejt vendeve perëndimore.

Askund në botë nuk ndodh që të bëhet i pavlefshëm një dokument, para lëshimit të dokumentit tjetër. Ndërsa këtu tek ne, në vendin e paradokseve, ndodh kjo dhe gjithçka tjetër si kjo.

Anulimi i dokumentit valid para dhënies së dokumentit të ri është ndëshkimi më i rëndë dhe i padrejtë që iu bëhet bashkatdhetarëve nga autoritetet vendore. Edhe pse më preku rëndë në shpirt rasti i këtij bashkatdhetari, dëshiroja të besoja se ky ishte vetëm një gabim i rastësishëm, i cili bashkatdhetarit tim i kushtoi me pagesën e haraçit në emër të procedurës së shpejtë të nxjerrjes së dokumenteve, në këtë rast prej 210 eurove, për tri pasaporta.

Mirëpo, rasti i ditës së premte i 23 gushtit 2013, e vërtetoi edhe një herë mënyrën e plaçkitjes së mërgimtarëve nga pushtetarët komunalë. Nga pesë rastet që ishin për vazhdimin e dokumenteve (pasaportave e letërnjoftimeve), njëra nga to ishte edhe bashkëshortja ime (asokohe për hir të mospersonalizimit të rastit nuk e bëra publik).

Tre nga pesë rastet që iu nënshtruan haraçit komunal i kaluan me sukses të gjitha testet për aplikim, ndërsa dy prej tyre (edhe bashkëshortja ime) që nuk deshën të bëhen pre e haraçit, u përballen me pengesa të pakalueshme me rastin e dhënies së gjurmëve të gishtërinjve. Pretekst nga zyrtarët e kësaj zyre u bë "lëkura e hollë" e gishtërinjve të dy mërgimtareve,...burrat e të cilave nuk deshën t'i fërkojnë gishtërinjtë e tyre me nga 50, respektivisht 70 euro, për procedurën e " përshpejtimit ".

Mirëpo edhe për këtë zyrtarja e regjistrimit civil (letërnjoftimeve ) e tregoi gjenerozitetin e saj, me gjetjen e ilaçit për shërimin e gishtërinjve, duke u rekomanduar lyerjen e gishtërinjve me Margarinë për nja 4-5 ditë dhe më pastaj të kthehen prapë në këtë zyre për riprovimin e testit... në rast se nuk funksionon kjo terapi, gjithnjë sipas zyrtares së këtij shërbimi atëherë VIKTIMAT (bashkatdhetarët) duhet të shkojnë në qendër, në Prishtinë për ndërrimin e terapisë. 

Kjo është "mirëseardhja" dhe "përcjellja" e mërgimtarëve që nuk u pranuan rregullat (haraçin) e pushtetit.

Ditën kur ndodhi kjo ngjarje, aty prezent ishte edhe "shefi", drejtori i sapoemëruar nga "shefi i shefave", i cili në momentin e hyrjes së bashkëshortes sime në procedurën e "skanerizimit" të gishtërinjve, largohet tinëzisht me makinë nga vendi i punës.

Edhe pse i kisha të gjitha mundësitë e intervenimit për rregullimin e kësaj çështjeje pa asnjë problem, nuk e bëra një të tillë,...u largova nga vendi i plaçkitjes së mërgimtarëve, duke ua thënë ndër sy punonjësve prezent në zyrat e hapura: "Turp ju qoftë, jeni shndërruar në shërbëtorë të një pushteti kriminal". 

Nuk munda të ndalem me kaq, të nesërmen për këtë çështje dola edhe me shkrimin autorial me titull; Margarina ilaç për mërgimtarët, ushqim i mirë për pushtetarët!, i botuar në të përditshmet kosovare e në dhjetëra portale në të gjitha trojet shqiptare dhe diasporë.

Afera "Pronto" ka zgjuar ndërgjegjen qytetare

Për fat të keq, ky shkrim imi dhe shumë të tjerë hasën në veshët e shurdhër të pushtetarëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve. Megjithatë, siç duket publikimet e fundit të audio-incizimeve të aferave korruptive dhe lidhjeve nepotike të grupit mafioz "Pronto", kanë filluar të prekin në ndërgjegjen e shoqërisë civile, njerëzve të ndershëm që ia duan të mirën këtij vendi.

Një fjalë e urtë popullore thotë: "Kambana bie për ata që kanë vesh", andaj shtrohet pyetja - Ku janë drejtësia kosovare, Kryeprokurori i shtetit, policia, agjensionet dhe task-forca antikorrupsion, që i kanë futur veshët në lesh?

Apo, mos vallë të gjithë janë të kapur e ngulfatur nga grupet mafioze!

Afera "Pronto" dhe "shefi i shefave" tashmë janë të njohur për opinionin publik, i pazbuluar ka mbetur BOSI i tyre!

Për këtë shkrim mbaj përgjegjësi civile dhe morale, dhe jam i gatshëm të ballafaqohem me argumente me secilin nga punonjësit e Zyrës së Regjistrimit Civil në Klinë, përfshirë edhe drejtorin e kësaj zyre.