Në pritje të 1 shtatorit

Në pritje të 1 shtatorit
  • 28 August 2016 - 08:35

Shkruan: Daton Mehmeti

Kryeneçësia e mazhorancës për të shpërfillur kërkesat dhe shqetësimet e qytetarëve të vendit.

Rëndom 1 shtatori na kujton fillimin e vitit shkollor, kjo datë çdo herë është pritur me gëzim, veçanërisht nga fëmijët. Edhe pak ditë na ndajnë nga 1 shtatori i vitit 2016, ditën ku shumë fëmijë presin që përherë të parë të ulen në bankat shkollore me ëndrrat për të ndërtuar një të ardhme në këtë vend, në atdheun e tyre. Eh, kur jemi tek ëndrrat, ato jo vetëm që janë venitur, por edhe po treten çdo ditë e më shumë. Pikërisht në këtë 1 shtator, pushteti i tanishëm synon të ratifikojë në Kuvend marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi. Pozita dhe opozita kanë qëndrime të kundërta sa i përket vijës kufitare me Malin e Zi, njëra pretendon se Kosova i humb 8 mijë hektarë, e tjetra se nuk humb asgjë. Faktikisht, e gjithë kjo erdhi si pasojë e vendosmërisë së opozitës për të propaganduar për humbjen e 8 mijë hektarëve, ndërkohë që koalicioni i tanishëm qeverisës me çdo kusht synonte mos të bënte publike se çfarë në të vërtetë ishte nënshkruar në Bruksel.

Tërheqja e litarit për të dëshmuar forcën ndaj njëri -tjetrit vazhdon të na sfidojë si shoqëri Por, të dalim tek 1 shtatori i këtij viti, konkretisht tek ajo se çfarë mund të ndodhë në këtë ditë, teksa mllefet dhe inatet mes pozitës dhe opozitës janë shtuar ndjeshëm. Tërheqja e litarit për të dëshmuar forcën ndaj njëri- tjetrit vazhdon të na sfidojë si shoqëri dhe si klasë politike, në vend se të dëshmojmë kulturë të dialogut politik dhe shoqëror. Arroganca e shpërfytyruar e qeverisjes së Isës - klanit " Pronto " dhe ekstremiteti i VV-së dhe Ramushit, e ka mbështetur për muri qytetarin e ndershëm të këtij vendi duke e lënë atë pa adresë të zgjidhjes së halleve të jetës. Kaq shumë urrejtje mes njëri- tjetrit, përtej të qenurit rivalë politikë, kjo vërtet është shumë e frikshme. I takon qeverisë që të jetë më e përgjegjshme për ruajtjen e stabilitetit në vend, të tregohet më e disiplinuar dhe më praktike. Kryeneçësia e mazhorancës për të shpërfillur kërkesat dhe shqetësimet jo vetëm të opozitës, por edhe të qytetarëve të vendit, vetëm sa do ta rëndojë situatën edhe ashtu mjaft të rënduar. Akumulimi i mllefit të qytetarëve me gjendjen në vend, në veçanti pas publikimit të përgjimeve të fundit të klanit " Pronto", rrisin shanset që të ketë shpërthim të situatës më 1 shtator, ditën kur qeveria pritet të mblidhet për të miratuar demarkacionin, ndërsa opozita të protestojë në rrugë. Për t'i evituar situatat e rënda për vendin, i takon qeverisë që të shqyrtojë seriozisht shqetësimet e opozitës dhe qytetarëve dhe të bëjë çdo gjë për të arritur një marrëveshje të pranueshme për të gjithë palët, duke u siguruar që vendi ynë nuk humb asnjë centimetër territor. Nëse qeveria nuk tregohet fleksibile, ka shumë gjasa që situata të dalë jashtë kontrollit, nuk kemi nevojë të derdhim gjak në liri. Çdo eskalim i situatës më 1 shtator dhe tutje do t'i faturohet qeverisë arrogante të Isës dhe klanit "Pronto". Në mungesë të dialogut pushtetarët dhe opozitarët janë duke zhvilluar "luftë nga distanca" për demarkacionin me Malin e Zi. Pushteti dhe opozita po i shfrytëzojnë mediat dhe rrjetet sociale për të bërë thirrje për votim, respektivisht mosvotim të demarkacionit. Në një shtet normale çdokush që shantazhon dhe bën presion mbi deputetët del përpara drejtësisë, ndërsa këtu hapur bëhen shantazhe, duke filluar nga presidenti e kryeministri dhe vartësit e tyre. Kjo dëshmon më së miri se deputetët i janë nënshtruar edhe në të kaluarën presionit, kjo më se paku u shërben interesave të qytetarëve.

Ekziston frika e arsyeshme e destabilizimit të gjendjes në vendin tonë deri në anarki Kjo klasë politike ka krijuar një ndjesi se janë shpeshherë të lënë pas dore, janë të pakënaqur. Pakënaqësia është ndjesia që lind nga frustrimi i nevojave tona dhe dëshirave të parealizuara, mes asaj që duam të kemi dhe asaj që kemi. Pakënaqësia është esenca ose "prezenca e mangët" e kënaqë- sisë së jetës sonë. I gjithë frustrimi është një gjendje apatie, e cila është karakterizuar nga mungesa e shpresës, trishtimit të thellë, zhgënjimit, pakë- naqësisë etj. E gjithë situata është konglomerat i një sistemi të korruptuar, me njerëz të përfshirë në afera joligjore dhe të dëmshme për vendin. Ekziston frika e arsyeshme e destabilizimit të gjendjes në vendin tonë deri në anarki . Klasës politike i mungon urtësia, ndershmëria dhe sinqeriteti ndaj njëri- tjetrit dhe qytetarëve në vend. Derisa 1 shtatori duhej të ishte një ditë shpresë për vendin tonë, kjo klasë politike po e shndërron këtë 1 shtator në një ditë frike dhe terrori, duke përforcuar edhe më shumë bindjen tek qytetarët se këtu nuk ka perspektivë. 

(Kosova Sot)