Dalje nga errësira

Dalje nga errësira
  • 31 August 2016 - 08:00

Shkruan: Islam Krasniqi

Çdo ditë e më shumë po dalin dëshmi të reja, që tregojnë se Demarkacioni me Malin e Zi u bë gabimisht.

Çdo ditë e më shumë po dalin dëshmi të reja që tregojnë se Demarkacioni me Malin e Zi u bë gabimisht, fakte të reja po sigurohen si nga ekspertët e Demarkacionit, gjithashtu edhe nga banorët e Komunës së Deçanit. Jemi afër ditës kur do të sillet në Kuvend për ratifikim marrëveshja e Demarkacionit, ku janë shtuar aktivitetet politike, të cilat po përcillen me polemika dhe tensione të ashpra rreth asaj se duhet apo jo Kuvendi të ratifikojë Marrëveshjen me Malin e Zi. Kjo klasë politike e ka bllokuar vendin, kanë filluar të krijojnë përçarje brenda vetë popullit, ku një pjesë e popullit e painformuar mirë lidhur me Demarkacionin dhe duke lakmuar në liberalizimin e vizave po pajtohet me Demarkacionin që Malit të Zi t'i falet ato bukuri që i kemi dhuratë nga vetë Zoti, ata që e dinë se liberalizimi nuk ka asnjë vlerë për popullin dhe e dinë rendësin e atdheut nuk po pranojnë në asnjë mënyrë që kjo marrëveshje të ratifikohet.

Populli është mllefosur

Klasa politike është futur në rrugën e të verbërve dhe po dëgjon me veshët e të shurdhërve, ku një pjesë e liderëve të partive politike janë bërë servilë ndaj bashkësisë ndërkombëtare, servilë ndaj pushtetit, servilë ndaj shërbimeve të huaja (ndoshta edhe të shtetit serb) për interesa personale që t'i ruajnë fotelet e tyre, nënshkruajnë marrëveshje që e dëmtojnë sovranitetin e shtetit, që e zvogëlojnë territorin e vendit vetëm e vetëm që t'u zgjatet mandati i tyre politik. Populli është mllefosur, s'po mund t'i durojë këto padrejtësi që po u bëhen gjithmonë me arsyetimin se janë në interes të vendit, për të vazhduar rrugën drejt bashkimit Evropian, ( kushte që nuk ishte për asnjë vend tjetër deri me sot), duke bërë politikë diplomatike ashtu siç bënte dikur Esat Pasha derisa populli ia la në fyt, edhe këta po harrojnë se shqiptari gjithmonë është përgjigjur ashtu siç e ka dashur atdheu, sepse historia na ka mësuar së tradhtaret do t'i ndjekë plumbi nga pas ku do që jenë.

Shumë shpejt gjithçka mund të dalë nga kontrolli

Dalja nga kjo errësirë bëhet duke i dhënë fund kësaj qeverisjeje dhe duke i vënë përgjegjësit para drejtësisë, sepse populli është lodhur dhe shumë shpejt do të shpërthejë si ujë. Nuk e di së çfarë interesi patën Qeveria e Kosovës t'u falin atë pjesë të territorit Malit të Zi, kur mbi 100 shtete na kanë njohur po me atë territor që e kemi pasur, apo janë mësuar të tjerët që gjithmonë të marrin nga ne territore ashtu siç e morën Çamërinë, Shkupin, Ulqinin, Plavën e Gusinë, Ohrin e Tetovën, Preshevën e shumë e shumë pjesë të Shqipërisë që nga Molla e Kuqe. Populli është mllefosur, ka filluar që ti sulmoj institucionet e vendit si shenj pakënaqësie, shumë shpejt gjithçka mund të dal nga kontrolli, ku këto ditë priten edhe protesta të cilat mund të jenë të dhunshme. Populli jonë gjatë bisedimeve nëpër tryeza ndërkombëtare ka treguar një analfabetizëm që do të thotë së i ka humbur betejat gjithmonë. E gjithë kjo rrëmujë vjen si pasojë e shërbimeve të huaja, të cilat i kanë lëshuar rrënjët përmes agjentëve të vetë që i kanë në krye të shtetit tonë, po luajnë me popull ashtu si po duan.

(Kosova Sot)