Plani im për t’i ndihmuar të varfrit e Amerikës

Plani im për t’i ndihmuar të varfrit e Amerikës
  • 23 September 2016 - 09:52

Shkruan: Hillary Clinton

Ka fëmijë që bien në gjumë me barkun thatë

Lajmi i mirë është se jemi duke përparuar, falë punës së madhe të popullit amerikan

Mënyra më e mirë për t’u ndihmuar familjeve që të dalin nga varfëria është që t’u ndihmojmë atyre të gjejnë vende të punës me rrogë të mirë. Si presidente, njëri ndër prioritetet kryesore të mia do të jetë shtimi i rritjes ekonomike, duke e bërë atë të fortë, të drejtë dhe të qëndrueshme

Parametri kryesor i çdo shoqërie është si përkujdesemi për fëmijët tanë. Me të gjitha burimet dhe pasuritë e vendit tonë, asnjë fëmijë nuk do të duhej të rritej në varfëri. Por, çdo natë, në tërë Amerikën, ka fëmijë që bien në gjumë me barkun thatë, apo që nuk kanë një vend për ta quajtur shtëpi.

Duhet të bëjmë më shumë. Mbështetja e fëmijëve dhe familjeve ka qenë kauza e jetës sime, duke filluar që nga puna ime e parë si avokate e re në Fondin për mbrojtjen e fëmijëve dhe nëse do ta kem nderin që të shërbej si presidente, ky do të jetë misioni kryesor i administratës sime.

Lajmi i mirë është se jemi duke përparuar, falë punës së madhe të popullit amerikan dhe të presidentit Obama. Shkalla globale e varfërisë është përgjysmuar gjatë dekadave të fundit. Në SHBA, një raport i ri nga Zyra e regjistrimit konstatoi se, në vitin 2015, numri i njerëzve që jetojnë në varfëri është zvogëluar për 3.5 milionë, krahasuar me një vit më parë. Të ardhurat mesatare janë rritur për 5.2%, gjë që paraqet rritjen më të shpejtë të regjistruar ndonjëherë. Amvisëritë e të gjitha niveleve të të ardhurave kanë përjetuar rritje të të ardhurave, ku rritjen më të madhe e kanë pasur ata që punojnë më së shumti. Të dhënat bëjnë me dije se kur amerikanët marrin shtytje të lehta, sikur p.sh. bonot e ushqimit dhe sigurimin shëndetësor, atëherë ata mund të dalin nga varfëria.

Por, mos u habitni, ende kemi punë për të bërë. Familjet në tërë vendin janë prekur keq nga Recesioni i madh.

Ne kemi nevojë për një përkushtim nacional

Gati 40% të amerikanëve të moshës midis 25 dhe 60 vjet do të përjetojnë në një moment të jetës së tyre, një vit të varfërisë. Mënyra më e mirë për t’iu ndihmuar familjeve që të dalin nga varfëria është që t’iu ndihmojmë atyre të gjejnë vende të punës me rrogë të mirë. Si presidente, njëri ndër prioritetet kryesore të mia do të jetë shtimi i rritjes ekonomike, duke e bërë atë të fortë, të drejtë dhe të qëndrueshme. Do të punoj me demokratët dhe republikanët për të bërë investime historike në vendet e punës që paguhen mirë, në vendet e punës në infrastrukturë dhe prodhimtari, teknologji dhe inovacion, biznese të vogla dhe energji të pastër. Dhe, ne duhet të përkujdesemi që puna të shpaguhet, duke rritur vlerën e rrogës minimale dhe duke garantuar rroga të njëjta edhe për fermat.

Nëse duam të jemi seriozë rreth varfërisë, ne kemi nevojë për një përkushtim nacional, për ta krijuar një sektor më të përshtatshëm të strehimit. Kjo çështje nuk është duke marrë vëmendje të madhe gjatë kampanjës, por ka rëndësi të madhe për 11,4 amvisëri amerikane, të cilat shpenzojnë më shumë se gjysmën e të ardhurave të tyre për ta paguar qiranë. Janë të paktë ata njerëz që ia dalin të kursejnë për fëmijët, apo për pension, meqë tërë paratë i shpenzojnë për sigurimin e një kulmi mbi kokë.

Plani im do ta zgjeronte Kredinë tatimore për personat me të ardhura të vogla, me qëllim të rritjes së shkallës së strehimit dhe për ta nxitur një zhvillim të mëtejmë. Pra, nëse edhe familja juaj jetoni në një qytet të shtrenjtë, do ta keni mundësinë që ta gjeni një vend të përshtatshëm për ta quajtur shtëpi dhe do të keni qasje në transportin, i cili ju çon te shkollat dhe vendet kualitative të punës.

Ne po ashtu duhet të përkujdesemi që investimet tona të arrijnë deri te komunitetet që vuajnë më së shumti nga dekada të tëra të lënies pas dore. Ne jemi në dijeni se, përkundër asaj që shkalla e përgjithshme e varfërisë ka rënë, varfëria ekstreme ka shënuar rritje. Tim Kaine dhe unë do ta modelojmë strategjinë kundër varfërisë, në kuadër të planit 10-20-30 të kongresistit Jim Clyburn, duke ndarë 10% të investimeve federale për komunitetet ku 20% të popullsisë kanë jetuar nën pragun e varfërisë gjatë 30 vjetët e fundit. Dhe, ne do ta vejmë një theks të veçantë te komunitetet e pakicave, të cilat tash e një kohë të gjatë janë penguar nga paragjykimet raciste sistematike.

Donald J. Trump e ndan Amerikën në fitues dhe humbës

Si presidente, do ta vazhdoj angazhimin tim jetësor për krijimin e mundësive për fëmijët dhe për drejtësi për familjet. Ne duhet ta zgjerojmë qasjen ndaj kujdesit kualitativ ndaj fëmijëve dhe të garantojmë pushim me pagesë për prindërit, në mënyrë që prindërit me të gjitha nivelet e të ardhurave të mund ta arrijnë balancin midis punës dhe jetës së tyre. Dhe, ne do të punojmë për të dyfishuar investimet në “Early Head Start”, duke e bërë sistemin parashkollor të arritshëm për çdo fëmijë 4- vjeçar, meqë fëmijët tanë e meritojnë fillimin më të mirë në jetë.

Donald J. Trump ka një qasje të ndryshme. Ai e ndan Amerikën në fitues dhe humbës. Dhe, ai nuk duket se mërzitet fort për të varfrit. Në fakt, planet e tij ekonomike do të shkonin në favor të amerikanëve më të pasur dhe do të nënkuptonin një zvogëlim të taksave prej 4 miliardë dollarësh për familjen e tij, vetëm duke eliminuar tatimin në pronë. Ai ka thënë tanimë se rrogat janë tepër të larta. Një analizë e pavarur ekonomike ka vënë në pah se, po të realizohej propozimi i Trump-it, atëherë ekonomia jonë do të kthehej në recesion, duke bërë që më shumë familje të rrëshqasin në varfëri.

Këtë nëntor, populli amerikan do ta ketë mundësinë që të përcaktohet midis një ekonomie që funksionon për të gjithë dhe një ekonomie nga e cila përfitojnë vetëm ata më të pasurit, në dëm të të gjithë të tjerëve. Zgjidhja kurrë nuk ka qenë më e lehtë!