Kujdes nga zgjidhjet e thjeshta në një botë të komplikuar

Kujdes nga zgjidhjet e thjeshta në një botë të komplikuar
  • 26 September 2016 - 10:36

Shkruan: Fareed Zakaria

Kjo është java e mbledhjes vjetore të liderëve botërorë në Nju-Jork

Liderët e të gjitha llojeve duket ta kenë të njëjtën sëmundje - mungesën e mbështetjes në anketa

Nuk ka asnjë regjion në botë që tani ka një rritje më të madhe ekonomike, sesa që kishte para krizës globale financiare

Kjo është java e mbledhjes vjetore të liderëve botërorë në Nju-Jork dhe, për shumicën prej tyre, kjo është koha e terapisë grupore. Në mbarë botën, liderët e të gjitha llojeve duket ta kenë të njëjtën sëmundje - mungesën e mbështetjes në anketa. Ruchir Sharma nga “Morgan Stanley” ka vënë në pah se mbështetja mesatare për liderët e 20 vendeve me ekonominë me zhvillimin më të madh, ka rënë për 17% që nga dekada e kaluar. Çka është duke ndodhur?

Sharma thotë se shkaktarët janë ekonomikë. Rritja globale ka rënë nga një botë pas Luftës II Botërore mesatarisht në 3.5 deri 2% që nga viti 2008. Nuk ka asnjë regjion në botë që tani ka një rritje më të madhe ekonomike sesa që kishte para krizës globale financiare. Dhe, përkundër kësaj, ata më të pasurit vazhdojnë që të përparojnë. Sharma vëren se numri i miliarderëve në botë është dyfishuar, duke arritur në më shumë se 1,800. Shtatëdhjetë prej tyre jetojnë në një qytet, në Londër.

Por, në fakt, problemi është më i thellë sesa një ngadalësim i rritjes. Ekziston një ndjenjë më e thellë e paralizës politike, e cila çon te frustrimi publik. Shkaqet e këtij zemërimi janë më fundamentale në shumë vende të perëndimit. Rritja në Perëndim ka qenë në rënie që nga vitet 1970, duke përfshirë edhe SHBA-në. Rritja e produktivitetit kurrë nuk është kthyer në nivelet e pas luftës, me përjashtim të një periudhe të shkurtër gjatë viteve 1990.

Vendet perëndimore ballafaqohen me sfida

Sikur që them në një ese që do të botohet në “Foreign Affairs”, vendet perëndimore ballafaqohen me katër sfida strukturore – demografi, globalizim, automatizëm dhe rritje të barrës së borxheve. Sfida demografike mund të jetë më fundamentalja. Gati në çdo ekonomi të përparuar, fertiliteti ka rënë ndjeshëm, duke filluar nga Japonia e deri te Koreja Jugore, nga Gjermania e deri te Italia. Numri i qindvjeçarëve në Japoni është sa dyfishi i atyre që ishte një dekadë më parë.

Globalizimi dhe revolucioni i informimit e nxisin rritjen e përgjithshme, por ato e përqendrojnë koston te punëtorët e specializuar dhe gjysmë të specializuar, sidomos në industritë themelore të prodhimtarisë, të cilat dikur ofronin vende të shumta të punës, me rrogë stabile.

Si reagim ndaj krizës financiare globale, qeveritë kanë marrë borxhe të mëdha. Për më tepër, rritja e moshës së popullsisë nënkupton rritje të shpenzimeve për më të moshuarit, në vend se shpenzimet të orientoheshin kah infrastruktura, edukimi, shkenca dhe teknologjia.

Duke u ballafaquar me një gjendje të tillë, liderët botërorë nuk kanë asnjë rrugë të lehtë të kthimit të rritjes dhe të ringjalljes së vendeve të tyre. Reformat e thella, radikale, nuk janë të pëlqyera në këtë klimë ku nuk ka shumë gjasa se do të ndikojnë në zmadhimin e rritjes ekonomike. Irlanda, Portugalia dhe Meksika kanë ndërmarrë reforma të gjera të tregjeve, por megjithatë kjo nuk është shoqëruar me një rritje më të madhe ekonomike. Japonia ka shpenzuar me qindra miliarda në planet stimuluese, por ende vazhdon që të ngecë. Për këtë shkak, edhe liderët të cilët erdhën në pushtet me një mbështetje të madhe të publikut, tani gjenden në kurthin e forcave të njëjta. Shumë shpejt mbështetja e tyre fillon që të bjerë dhe vjen deri te rritja e zemërimit populist. Kryeministri reformator italian. Matteo Renzi ka pësuar zvogëlim të mbështetjes prej 30%. Lideri populist grek, Alexis Tsipras, ka pësuar një rënie prej 19%.

Problemet e rritjes së pabarazisë

Në fjalimin e tij të mbajtur të martën në OKB, presidenti Obama nënvizoi shumë zgjidhje për problemet e rritjes ekonomike dhe të pabarazisë. Ai shpjegoi sesi SHBA-ja e ka përqendruar reformën e saj dhe tentimet për rimëkëmbje te ofrimi i ndihmës ndaj shtresës së mesme, që të ketë një qasje më të mirë ndaj vendeve të punës, kujdesit shëndetësor, trajnimeve dhe strehimit. Ai tha se, duke i rritur këto përpjekje, me investime të reja në kujdesin ndaj fëmijëve, në infrastrukturë dhe kërkime themelore shkencore, do të tejkalohen këto vështirësi. Ai theksoi se imigrimi dhe asimilimi mund të punojnë (funksionojnë) për tërë shoqërinë.

Por, zgjidhjet politike, të cilat ai i propozoi, si dhe ato të cilat janë duke i praktikuar vendet e tjera, janë të pamjaftueshme, specifike dhe në rritje e sipër. Në ndërkohë, populistët premtojnë zgjidhje të forta, dramatike, të cilat tingëllojnë shumë më mirë. Donald Trump iu thotë amerikanëve se jeta e tyre është e vështirë dhe ekziston vetëm një arsye për këtë - të huajt. Ata ua vjedhin amerikanëve vendet e punës, e ngarkojnë sistemin e mirëqenies sociale dhe e bëjnë jetën e amerikanëve më pak të sigurt. Ai propozon një qëndrim më të ashpër ndaj të huajve. Ai premton se kjo do ta bëjë vendin madhështor përsëri. Nuk është vështirë të vërehet një apel i thjeshtë në një botë të komplikuar. Nuk ka shumë dramacitet në planet për zgjerimin e edukimit të hershëm të fëmijëve, por ato megjithatë funksionojnë. Përpjekjet e vazhdueshme dhe energjike për reforma, e shpaguajnë veten. Një raport i fundit, i lëshuar nga zyra e regjistrimit civil, që tregon rënien më të madhe të varfërisë në kuadër të një viti, në 50 vitet e fundit, tregon se këto përpjekje funksionojnë. Në veri të SHBA-së, Kanadaja ballafaqohet me një rënie të rritjes ekonomike, duke mirëpritur me mijëra refugjatë dhe duke e stimuluar diversitetin. Dhe, dy liderët kryesorë të Perëndimit, me mbështetjen më të madhe sot janë Barack Obama dhe Justin Trudeau. Politika e qendrës mund të qëndrojë.