Kosovë, urime dita e Republikës

Kosovë, urime dita e Republikës
  • 02 July 2015 - 08:15

Shkruan: Florim Zeqa

DEKLARATA KUSHTETUESE E 2 KORRIKUT 1990 ËSHTË GURTHEMELI I PAVARËSISË SË KOSOVËS

Në 25-vjetorin e shpalljes së pavarësisë nga Serbia

Dëshiroj t'ua rikujtoj qeveritarëve tanë një të vërtetë të pakontestuar - sikurse subjektet që kanë një ditë të lindjes, po ashtu edhe shtetet, sikurse njerëzit, kanë vetëm një datë të lindjes, andaj për shtetin e Kosovës ekziston vetëm një, ajo është 2 Korriku i vitit 1990

Sikurse objektet gjigante që shihen më mirë nga largësia, ashtu edhe 2 Korriku i vitit '90, nga distanca kohore na del një ngjarje madhore historike. Pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të 1878 dhe Pavarësisë së Shqipërisë të 1912-s, kjo është ngjarja më madhore në historinë më të re të popullit shqiptar. Pas suprimimit të Autonomisë së Kosovës nga ana e Serbisë më 23 mars 1989, të heqjes së Kushtetutës së vitit 1974, e cila Kosovën e përafronte në masë të madhe me Republikat e tjera të ish-Federatës Jugosllave, kishte bërë që delegatët shqiptarë dhe jo serbë të Kuvendit të Kosovës të organizohen në mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe integritetit të Kosovës.

Seanca e 2 Korrikut 1990

Përballja me delegatët serbo-malazezë qe shumë e vështirë, por falë unitetit të delegatëve shqiptarë, udhëheqja serbe e Kuvendit të Kosovës në pamundësi përballjeje me forcën e argumenteve të delegatëve shqiptarë, detyrohet t'i mbyllë dyert e Kuvendit për mbajtjen e seancës së paralajmëruar të 2 Korrikut. Mirëpo, ky veprim e as kërcënimet për mosmbajtjen e seancës së Kuvendit të 2 Korrikut, nuk i zmbrapsën delegatët nga vendimi i marrë për shpalljen e pavarësisë nga Serbia. Gatishmëria e delegatëve shqiptarë ishte në përmasat e vetëflijimit. Edhe pse të rrethuar nga të gjitha anët më policë e snajperë serbë, me tanke e autoblinda,... delegatët arrijnë të depërtojnë deri para dyerve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës, për të realizuar kështu qëllimin e tyre, për të shprehur vullnetin politik të popullit shumicë për të miratuar publikisht (para Kuvendit të Kosovës) DEKLARATËN KUSHTETUESE (të nënshkruar nga 114 delegat), me të cilën Kosova u shpall njësi e barabartë në kuadër të Federatës së atëhershme jugosllave ( që nënkuptonte pavarësinë nga Serbia). Thënë më qartë, Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 është gurthemeli i pavarësisë së Kosovës. Ky moment shënon edhe fillimin e shpërbërjes së krijesës artificiale të ashtuquajtur RSFJ, e dominuar kryesisht nga politika hegjemoniste serbe. Efektet politike të 2 Korrikut janë të shumta në rrafshin kombëtar. Pikësëpari shënon fillimin e shkëputjes së Kosovës nga Serbia, krijimin e unitetit dhe rritjen e solidaritetit në popull si asnjëherë më parë gjatë historisë. I gjithë aktiviteti dhe veprimtaria politike bëhej krejtësisht në baza vullnetare. Parim bazë i aktivistëve e veprimtarëve të viteve të '90-ta ishte dhënia gjithçka nga vetja për interesin e popullit e të shtetit.

Ngjarjet pas Deklaratës së Pavarësisë

Ishte kjo platforma politike e Alternativës Kosovare të asaj kohe, e Lëvizjes Demokratike shtetformuese ( LDK), e cila iu parapriu edhe shumë ngjarjeve të tjera të rëndësishme politike për të ardhmen e vendit, si: Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 shtatorit e mbajtur në Kaçanik, Referendumin gjithëpopullor për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur të mbajtur prej 26-30 shtator 1991, dhe zgjedhjet e para të lira pluraliste për Kuvendin e Republikës së Kosovës të mbajtura më 24 maj 1992, më ç'rast zgjidhet edhe kryetari i parë i Republikës së Kosovës (Ibrahim Rugova) me mandatin e Kushtetutës së Kaçanikut. Pa këto dokumente të rëndësishme historike, Kosova nuk do të arrinte dot as te zhvillimet e tjera të mëvonshme, që u kurorëzuan me luftën çlirimtare, e madje as në 17 shkurtin e 2008-s, që shënon fillimin e njohjes formale ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, kërkesë kjo që rrodhi nga goja e Presidentit Historik, Ibrahim Rugova, deri në frymën e tij të fundit. Republika e Kosovës për popullin shumicë të saj ekziston që nga 2 Korriku i vitit 1990. Ekziston jo vetëm në kujtesën e popullit, por në të gjitha dokumentet e shkruara zyrtare gjatë periudhës së funksionimit të shtetit paralel në rrethanat okupuese. Ishte përkrahja e madhe morale e materiale e mbarë popullatës shqiptare, ajo që e kishte bërë funksionale Republikën e Kosovës në të gjitha nivelet, gjë e cila kishte çuar në shkëputjen totale të institucioneve tona nga institucionet e sistemit okupues serb.

Të mjerë janë ata që injorojnë të arriturat e gjeneratave të mëparshme

Anashkalimi dhe harresa e qëllimshme e 2 Korrikut '90, ngjarjeve dhe dokumenteve historike që determinuan të ardhmen e këtij vendi nga ana e institucioneve aktuale shtetërore të Kosovës, jo vetëm që është e papranueshme, është tendencioze dhe më shumë pasoja për të ardhmen e vendit. Anashkalimi i 2 Korrikut nga vargu i gjatë i festave të shumta në Kosovën "multietnike" paraqet paradoksin sa të keq po aq të dhimbshëm! Kasta aktuale politike, për t'u bërë qejfin "miqve" ndërkombëtarë, hoqën dorë nga identiteti kombëtar dhe trashëgimia politike e kulturore e popullit të vet! Atë që s'mundi ta bëjë Serbia më represion e dhunë për një dekadë në Kosovë, po e bëjnë qeveritë tona pas "Pavarësisë" e tutje. Themelet e shtetit të Kosovës nuk janë në pakon e Ahtisarit e as në 17 shkurtin e 2008-së siç e prejudikojnë pushtetarët aktualë dhe mbështetësit e tyre, por janë në sakrificat e gjata e të panumërta, në gjakun e derdhur për liri, në ndjekjen e burgosjen e veprimtarëve e intelektualëve, në faljen e gjaqeve, në helmimet e nxënësve, në mbylljen e shkollave e fabrikave, në dëbimet më dhunë nga vatrat e veta të popullatës, pse jo edhe në ndjekjen dhe burgosjen e delegatëve që shpallën Deklaratën e Pavarësisë së 2 Korrikut të vitit 1990. Pikërisht harresa institucionale ndaj 114 delegatëve që nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, nga të gjitha legjislaturat e Kuvendit të Republikës së Kosovës, tregon më së miri për nivelin e ulët shtetformues që ka kasta aktuale politike e vendit. Përkushtimi i madh i qeveritarëve kosovarë ndaj bisedimeve me Serbinë, ka bërë që të shkëputen nga problemet vitale të popullatës shqiptare në Kosovë,...duke mbajtur në kokat e tyre marrëveshjen "historike" të 19 prillit 2013 me Serbinë në Bruksel, liderët shtetërorë i ka bërë t'i largojnë nga kujtesa ngjarjet madhore historike kombëtare siç janë 28 Nëntori i vitit 1912 dhe 2 Korriku i vitit1990. Për fund dëshiroj t'ua rikujtoj qeveritarëve tanë një të vërtetë të pakontestuar - sikurse subjektet që kanë një ditë të lindjes, po ashtu edhe shtetet sikurse njerëzit kanë vetëm një datë të lindjes, andaj për shtetin e Kosovës ekziston vetëm një, ajo është 2 Korriku i vitit 1990. Këtë datë historike nuk ka forcë që e shlyen nga kujtesa e popullit shqiptar. Kosovë, urime dita e Republikës. Zoti e bekoftë këtë ditë të shenjtë të historisë sonë kombëtare. Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës