Kina ka nevojë për një strategji tjetër të madhe

Kina ka nevojë për një strategji tjetër të madhe
  • 27 February 2017 - 10:50

Shkruan: Minxin Pei

Deglobalizimi tani duket të jetë punë e krye

Lufta e ftohtë mbaroi në dhjetor të vitit 1991, kur u shpërbë BRSS-ja. Epoka e pas Luftës së Ftohtë mbaroi në nëntor të vitit 2016, kur Donald Trump fitoi në zgjedhje postin e presidentit të SHBA-së. Nuk është e mundur të parashikohen të gjitha ato që do t'i sjellë epoka e Trump-it, edhe atë jo vetëm për shkak të paparashikueshmërisë së këtij të fundit. Por, disa pasoja tanimë janë evidente. Për vetëm disa javë, presidenca Trump ktheu mbrapshtë supozimet kyçe mbi të cilat mbështetej strategjia e madhe kineze e pas Luftës së Ftohtë. Supozimi i parë është ideologjik. Triumfi i shtirur i demokracisë perëndimore liberale në vitin 1989, e mbushi atë sistem me një lloj dominimi. Për këtë shkak, supozohej që ai paraqiste një rrezik ekzistencial ndaj Partisë Komuniste Kineze (CCP). Në rrafshin ekonomik, Kina priste një lidership të vazhdueshëm të Perëndimit në globalizimin ekonomik. Për këtë shkak, qeveria e Kinës zhvilloi marrëdhënie të ngushta tregtare me Perëndimin, marrëdhënie të cilat mbështesnin rritjen ekonomike të Kinës, forconin mbështetjen ndaj CCP-së në vend dhe forconin ndikimin e vendit jashtë. Sa i përket sigurisë kombëtare, Kina supozonte se SHBA-ja nuk paraqiste ndonjë rrezik të menjëhershëm. Edhe pse SHBA-ja dhe aleatët e saj kishin një përparësi të madhe teknologjike, Kina e mori si fakt të kryer supozimin se SHBA-ja do të vazhdonte që t'i jepte prioritet të lartë evitimit të konfliktit. 

Rreziku nga ekspansioni kinez

Marrë në përgjithësi, liderët e Kinës ishin pajtuar me natyrën dualiste të strategjisë amerikane, derisa SHBA-ja ishte e angazhuar me Kinën në aspektin ekonomik dhe diplomatik, në anën tjetër ajo vazhdonte të mbante një qëndrim të ashpër të sigurisë vis- à-vis Kinës, me qëllim të pengimit të ekspansionizmit të saj. Dhe, ata zhvilluan një strategji të veten, e cila kishte për qëllim një zhvillim të shpejtë ekonomik. Por, tani, ai ambient veprues ka ndryshuar; në fakt, themelet e rendit të pas Luftës së Ftohtë ishin duke u luhatur shumë kohë para se të dilte Trump në skenë. Midis tjerash, kriza financiare globale e vitit 2008 dhe ngecja strategjike amerikane në Lindjen e Mesme që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001, në një masë të ndjeshme kishin dobë- suar kapacitetin e Perëndimit për ta mbajtur rendin ndërkombëtar, të bazuar në rregulla dhe për të ofruar të mira publike globale. Asgjë nga këto nuk paraqesin lajm për Kinën, e cila ka bërë përmirësime gjithnjë e më të mëdha të strategjisë së saj të madhe, me qëllim që t'i shfrytëzojë mundësitë e krijuara nga rënia relative e Perëndimit. Për shembull, derisa SHBA-ja ishte e dhënë pas konflikteve të zgjatura në Lindjen e Mesme, Kina kishte testuar vendosmërinë e këtij vendi, duke treguar muskujt e saj, kryesisht në Detin jugor kinez. Por, marrë në përgjithësi, ndryshimet ishin të vogla: themelet e strategjisë ngelnin të njëjtë. Por, kjo më nuk është e mundur. Me Trump-in në Shtëpinë e Bardhë, strategjia e madhe e Kinës do të duhet të kompletohet duke u bazuar në disa supozime të reja. Në aspektin ideologjik, Kina mund të marrë frymë më lirshëm. Fillimi i epokës së Trump-it duket të paralajmërojë një rënie të atraktivitetit ideologjik të demokracisë liberale. Në rrafshin ekonomik, megjithatë, ambienti i ri operues ka të ngjarë që të jetë i vështirë. Deglobalizimi tani duket të jetë punë e kryer. Kjo është shumë shqetësuese për Kinën, eksportuesin më të madh n ë botë dhe përfituesin më të madh nga globalizimi. 

Kundërshtar kryesor shihet

Kina Duke pasur parasysh vartësinë e Kinës nga eksportet, edhe në skenarin më të mirë, ajo pritet që të ketë një rënie të rritjes ekonomike. Por, ajo që me të vërtetë e ka shqetësuar Kinën, është rasti i skenarit më të keq. Ndërvartësia ekonomike midis Kinës dhe SHBA-së ka qenë tampon absorbues i rivalitetit të tyre ideologjik dhe gjeopolitik. Nëse Trump realizon kërcënimet e tij për anulimin e marrëveshjeve tregtare dhe, njëanshëm, të vendosë tarifa ndëshkuese, atëherë sistemi ekzistues tregtar global do të kthehet mbrapshtë, ku Kina do të jetë njëra ndër viktimat më të mëdha. Por, rreziku më akut mund të qëndrojë në rrafshin e sigurisë kombëtare. Deklaratat dhe veprimet e Trump-it që nga zgjedhja, bashkë me reputacionin e tij më të gjerë, bazuar në besimin e tij se bota është një xhungël Hobbesiane, e kanë bindur Kinën se ai është duke u përgatitur për luftë. Trump jo vetëm që e ka rrezikuar politikën e "një shteti kinez", e cila gjendej në bazamentet e raporteve midis Kinës dhe SHBA-së që nga viti; por ai ka thënë se do t'i rrisë aftësitë detare të Amerikës, ku kundërshtar kryesor shihet Kina. Sjellja lajkatare e Trump-it ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, vetëm sa i ka shtuar shqetësimet te liderët kinezë, se SHBA-ja është duke u përgatitur ta sfidojë Kinën. Këto supozime të reja ofrojnë disa tregues të rrugës të cilën duhet ta ndjekë Kina, derisa zhvillon strategjinë e saj të re, të madhe. Por, ende mbesin shumë të panjohura. Nëse, për shembull, Trump vendosë që të "kapet" me Iranin, duke u zhytur kështu edhe më thellë në baltën e gjallë të Lindjes së Mesme, atëherë Kinës mund t'i mbetet ca hapësirë për të marrë frymë lirshëm. Por, nëse Trump vendos që të konfrontohet me Kinën në Detin jugor kinez, apo nëse heqë dorë nga politika e "një Kine", atëherë marrëdhëniet amerikanekineze mund të jenë në rënie të lirë, duke rritur frikën nga një konfrontim direkt ushtarak. Përpos kësaj, ngritja e Trump-it në postin e presidentit mund ta shënojë fillimin e një Lufte të re të Ftohtë, kësaj here të SHBA-së kundër Kinës. Kjo mund të duket e pamundur për shumëkënd, por, e tillë dukej edhe fitorja e Trump-it, derisa ndodhi me të vërtetë. (Minxin Pei është profesor i qeverisjes në Kolegjin "Claremont McKenna")

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)