A mundet Macron ta rivizatojë hartën politike? - Opinione - Kosova Sot
A mundet Macron ta rivizatojė hartėn politike?

A mundet Macron ta rivizatojė hartėn politike?

Shkruajn: Kemal Dervis dhe Caroline Conroy

Shumë analistë e kanë përshkruar fitoren e Emmanuel Macron-it në zgjedhjet presidenciale të Francës, si triumf për qendrën e djathtë, meqë ai mori votat, të cilat përndryshe do t'i jepeshin kandidatit konsevator, të prirë për të bërë skandale, François Fillon. Kjo dinamikë elektorale nuk përfshin domethënien e fitores së Macron-it. Do të ishte më me vend të thuhet se Macron tejkaloi ndasitë partiake tradicionale dhe qëndroi si një kandidat për ata që besojnë se, me një menaxhim adekuat dhe me teknologji të reja, integrimi evropian dhe forcat e globalizimit mund të sjellin të mira të përbashkëta për një rreth të gjerë. Në anën tjetër, pjesa më e madhe e kundërshtarëve të Macron-it thjesht vetëm sa rritën frikën nga realitetet e sotme ekonomike. Analizoni të dhënat vijuese nga raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale franceze: 42% të mbështetësve të Macron-it, në të kaluarën kanë pasur simpati ndaj Partisë socialiste, 36% të tjerë anonin kah mbështetja e centristëve. Këto të dhëna tregojnë se votuesit e së majtës dhe qendrës përbëjnë pjesën më të madhe të bazës mbështetëse të Macron-it, dhe se ata e konsiderojnë atë si kandidat të qendrës së majtë, në vend se të qendrës së djathtë.

Macron mund të rritë perspektivën e partisë së vet

Në fakt, Macron vjen nga qendra e majtë moderne, që është pro globalizimit. Ai së fundmi ishte anëtar i qeverisë së presidentit François Hollande e, më herët gjatë karrierës së tij, mentor i tij ishte kryeministri socialist Michel Rocard. Por, edhe nëse Macron nuk ka bërë një shkëputje të qartë me të kaluarën e tij politike, ai depërtoi përtej barrierave tradicionale politike, duke arritur te votuesit e të gjithë spektrit politik, me përjashtim të atyre të së majtës dhe së djathtës ekstreme. Nëse ndonjë gjë, tentimet e shumta për ta ngushtuar Macron-in në një arketip tradicional politik francez, tregon se politika franceze dhe evropiane me çdo kusht kanë nevojë që të riformatizohen, në mënyrë që të marrin parasysh narrativat, argumentet dhe linjat e reja të kuqe. Qeveria e tranzicionit të cilën e formoi Macron menjëherë pas mbajtjes së zgjedhjeve, reflekton një diversitet të madh, jo vetëm në aspektin e gjinisë, por edhe në aspekt të përvojës dhe orientimit politik. Kabineti i Macron-it përbëhet nga centristët, majtistët, si dhe nga djathtistët, duke përfshirë edhe socialistët dhe të gjelbrit. Por, emërimi nga ana e tij i republikanëve të qendrës së djathtë, sikur Bruno Le Maire dhe Gérald Darmanin, ka rëndësi të veçantë, meqë anketat tregojnë mesazhi i Macron-it rezonon më së paku me votuesit djathtistë. Për më tepër, duke emëruar Édouard Philippe, po ashtu nga republikanët, në postin e kryeministrit, Macron vërtetoi përkushtimin e tij për të transformuar politikën franceze. Qeveria e tij do ta përfshijë tërë spektrin politik që nga dita e parë. Dhe, me një përfaqësim të tillë të ndryshëm politik, Macron mund të rritë perspektivën e partisë së vet, "La République En Marche !", në zgjedhjet për Parlamentin kombëtar, që do të mbahen këtë muaj. Një rezultat i mirë do t'ia mundësonte atij që t'i realizojë premtimet kryesore të kampanjës. Si një politikëbërës social-liberal me një të kuptuar të mirë të asaj sesi funksionon ekonomia, Macron mund të bëhet i tillë, sikur që është kërkuar nga progresivët kudo. Për ta bërë këtë, atij do t'i duhet ta kalis një kontratë të re sociale, e cila mbron më të ndjeshmit nga ndryshimet e shpejta dhe ndërprerjet e papritura në një ekonomi fleksibile, të hapur, të shekullit XXI. Nuk ka dyshim se kjo është një sfidë e madhe. Por, nëse Macron arrin sukses, ai do ta ketë bërë këtë duke punuar në bazë të idesë së "modernitetit", të mbështetur një kohë të gjatë nga reformistët.

Sistemi i ri progresiv politik

Një kontratë e re sociale franceze për shekullin XXI duhet të mbështetet në tri shtylla, duke filluar nga politikat e fuqishme të sigurisë sociale, të cilat do ta mundësojnë një fleksibilitet të përmirësuar të tregut të punës dhe një dinamizëm më të madh ekonomik. Për shembull, sistemi aktual francez do të jetë më efikas. Qytetarët francezë do të përfitonin nga masat sociale më lëvizëse mbrojtëse, të cilat do t'i përcillnin ata përgjatë tërë jetës, pa marrë parasysh a janë në kërkim të një vendi të ri të punës, apo edukimi. Shtylla e dytë është një sistem industrial, i cili e nxit shpërndarjen dhe inovacionin teknologjik, duke inkurajuar sipërmarrësinë. Dhe, përfundimisht, çdo kontratë e re sociale duhet të përfshijë një angazhim të fortë ndaj hapjes ekonomike, integrimit evropian dhe globalizimit. Ata që kanë votuar për Macronin në raundin e parë të zgjedhjeve - kur në skenë kishte edhe kandidatë të tjerë - besonin se këto tri shtylla nuk janë vetëm të përshtatshme midis veti, por edhe e forcojnë njëra-tjetrën. Derisa kandidatët e së majtës tradicionalisht janë përqendruar vetëm te solidariteti social, ndonjëherë duke refuzuar integrimin evropian, Macron ka premtuar se do të angazhohet edhe për drejtësi sociale, rritje ekonomike, hapje. Dhe, për ata në qendër të djathtë, ai ka premtuar se, me politikat e reformuara sociale, Franca po ashtu mund ta ketë një fleksibilitet më të madh të punës. Duke zhvilluar një kontratë të re sociale, Macron ka mundësi që ta rivizatojë hartën politike franceze. Aktualisht, Franca ka ngecur në vend nga një "konservatorizëm i dyfishtë", ku konservatorët e të djathtës angazhohen për politika më të dobëta sociale, si metodë e përmirësimit të konkurrencës, derisa "konservatorët" e së majtës thonë se, sistemi ekzistues thjesht nuk mund të reformohet. Nën Macron-in, mund të paraqitet një sistem i ri progresiv politik, i cili bazohet te një sintezë e politikave sociale dhe liberalizimit. Për më tepër, Macron nuk do ta ketë një qëndrim mbrojtës karshi pjesës tjetër të Evropës. Ai ka shprehur një përkushtim të plotë ndaj Projektit evropian dhe një pjesë e popullatës franceze duket se qëndron me të. Për dallim nga kundërshtarët e tij politikë, Macron e sheh Evropën si burim të zgjidhjeve, e jo të problemeve. Një presidencë e suksesshme e Macron-it do të paraqiste një hap të rëndësishëm përpara për ta shndërruar Evropën në një motor të përparimit njerëzor. Ky rol i përshtatet mirë Francës dhe presidentit të saj. Kemal Dervi? është zëvendëspresident i Institutit "Brookings" Caroline Conroy është analiste në këtë institut Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot

(Kosova Sot)

5 orë e 12 minuta më parë