Gazeta prestigjioze "Kosova Sot" po e kryen misionin e saj historik

Gazeta prestigjioze
  • 13 September 2017 - 09:26

SHKRUAN: SKËNDER MULLIQI

Besnike e së vërtetës

Kaptinë e veçantë e gazetës ishte dhe ka mbetur lufta kundër dukurive negative në shoqëri, sidomos lufta e pakompromis kundër krimit të organizuar, korrupsionit, kapjes së shtetit nga strukturat mafioze politike, hajnitë e mëdha e të vogla, që po bëhen në kurriz të popullit. Çdo ditë e më shumë po pasqyrohet e vërteta, duke i qitur në shesh të gjitha të palarat e pushtetarëve

Sigurisht se nuk është lehtë të shkruash për një gazetë prestigjioze shqiptare çfarë është e përditshmja "Kosova Sot". Nuk është lehtë të përfshihen në një shkrim të vetëm të gjitha aktivitetet qysh nga themelimi i saj, të mbushura me shumë ngjarje dramatike për shqiptarët sa ishim në okupim dhe në kushte të paqes. "Kosova Sot" mbeti dritare e hapur, mbeti besnike e së vërtetës dhe vetëm të vërtetës, në pasqyrimin e të gjitha ngjarjeve ditore, temave nga politika, ekonomia, kultura, arti, sporti dhe shumëçka tjetër në interes të publikut. Gazeta "Kosova Sot" për aktivitetin e saj kombëtar u bë halë në sy e regjimit okupues të Serbisë. Për shkak të punës së gazetës, në pasqyrimin e drejtë të luftës për çlirim kundër regjimit serb, Beogradi kishte urdhëruar djegien e objektit të shtypshkronjës dhe gazetës. U mashtruan keq shovinistët serbë, sepse gazeta e vazhdoi misionin e saj fisnik edhe më me ngulm për afirmimin e vlerave kombëtare.

Shembull i suksesit në fushën e informacionit

"Kosova Sot" jo që nuk u shua, por rilindi në flakët e luftës çlirimtare, duke dhënë kontribut të pazëvendësueshëm në plasimin e të vërtetës për Kosovën në sytë e botës liridashëse. Ajo ngadalë, por sigurt arriti të bëhet një gazetë e pëlqyeshme për publikun deri te gazeta e parë në Kosovë. Qytetarë, politikanë , analistë , aktivistë të shoqërive civile e shumë kategori të tjera shoqërore, vlerësojnë lart kontributin e së përditshmes "Kosova Sot", në informimin e drejtë dhe të paanshëm, në denoncim të dukurive negative në shoqëri të shfaqura si fenomenet më negative të pasluftës. Gazeta "Kosova Sot" ishte dhe ka mbetur burim i pashtershëm informimi dhe ka mbetur gazeta më e besueshme me korrektësinë e saj. Ky përvjetor e zë këtë gazetë dhe stafin e saj më të vendosur së kurrë më parë, që Kosova të bëhet vend i përparuar, ku do të avancohen të drejtat dhe liritë qytetare. Angazhimi dhe përkushtimi i stafit të gazetës është për çdo lakmi. Gazeta është bërë shembull i suksesit në fushën e informacionit , e cila duhet të përgëzohet nga të gjithë pa dallim. Rezultatet e arritura në fushën e informacionit janë inkurajuese, janë rezultat i punës së palodhshme të editorit të gazetës, është rezultat i punës së palodhshme të një numri të madh të njerëzve, të cilët punojnë ose bashkëpunojnë me gazetën. Andaj, më takon edhe mua që në përvjetorin e 19-të të daljes, të përgëzoj këtë histori suksesi të kësaj gazete më renome kombëtare, që për afër dy dekada ka bërë emër në gazetari.

U lind dhe u rrit me qëndresën heroike të popullit

Duhet të gjithë njerëzit e ndershëm të urojnë themeluesin e gazetës, stafin e saj drejtues për vite, dhe në veçanti një urim për gazetarët e përkushtuar në punën e tyre korrekte dhe për informim nga dora e parë. Sigurisht së gazeta ka dhënë një kontribut të veçantë edhe për shqiptarët në të gjitha trojet etnike dhe për shqiptarët në mërgatë, duke pasqyruar në mënyrë korrekte për të gjithë atë që kanë bërë që Kosova, të bëhet shtet sovran dhe i lirë. Kaptinë e veçantë e gazetës ishte dhe ka mbetur lufta kundër dukurive negative në shoqëri, sidomos lufta e pakompromis kundër krimit të organizuar, korrupsionit, kapjes së shtetit nga strukturat mafioze politike, hajnitë e mëdha e të vogla, që po bëhen në kurriz të popullit. Çdo ditë e më shumë po pasqyrohet e vërteta, duke i qitur në shesh të gjitha të palarat e pushtetarëve, të cilët shumë pak kanë bërë gjatë këtyre viteve për shtetndërtim dhe mirëqenie të përgjithshme. Lufta kundër dukurive negative nuk ishte pa rreziqe për gazetën, e cila ka marrë detyrë primare që ta luftojë të keqen, që proceset demokratike në Kosovë më në fund të marrin të mbaren. Kësaj gazete nuk po i mungon përkushtimi dhe guximi për pasqyrimin real të situatës politike dhe situatës ekonomike në Kosovë. "Kosova Sot" gjithmonë u angazhua për avancimin e të drejtave të shqiptareve në Maqedoni, Mal të Zi e Çamëri. Kjo gazetë i dha dhe po i jep forcë qëndresës sonë kombëtare, qëndresës qytetare që të ardhmen ta ndërtojmë këtu në Kosovën tonë të dashur. Gazeta u lind dhe u rrit me qëndresën heroike të popullit shqiptar, me mundin dhe sakrificën, dijen dhe guximin për të thënë e për të treguar të vërtetën e kësaj historie. Ajo u ngrit dhe u rrit me lirinë, luftën çlirimtare dhe pavarësinë e vendit. Ka marshim të gëzueshëm dhe ecje të pandalshme, përkundër pengesave të natyrës objektive dhe të natyrës subjektive, duke ofruar ide, vrull dhe elan të ripërtërirë në veprimtarinë gjeneroze të gazetarisë shqiptare, duke sakrifikuar për zhvillimin dhe prosperitetin e shtetit të Kosovës, si dhe në zgjidhjen e çështjes shqiptare ende të pazgjedhur sipas dëshirës së shumicës në Ballkan. Në këtë 19-vjetor të ditëlindjes së gazetës numër një në Kosovë, i shkon asaj një mirënjohje dhe falënderim në misionin e saj historik, kushtuar shërbimit që po ia bën ajo shtypit të lirë e pavarësisë së Kosovës…

(Kosova Sot)