< Pse është duke dështuar përpjekja e Katalonisë për pavarësi? - Opinione - Kosova Sot
Pse ėshtė duke dėshtuar pėrpjekja e Katalonisė pėr pavarėsi?

Pse ėshtė duke dėshtuar pėrpjekja e Katalonisė pėr pavarėsi?

Shkruan: Shlomo Ben-Ami

Në periudhën hutuese pas referendumit problematik të Katalonisë për pavarësi, presidenti i qeverisë regjionale të Katalonisë, Carles Puigdemont, ka dashur që ta kishte 'tortën' e tij dhe ta hante atë. Fjalimi i tij i shumëpritur në parlamentin regjional, në të cilin ai premtoi se do ta shpallte pavarësinë nga Spanja, përfundoi si një përpjekje e ngathët për të heshtur aleatët e tij nacionalistë radikalë, Kandidaturën e Unitetit Popullor (CUP), pa e tjetërsuar më shumë qeverinë qendrore në Madrid. Ai nuk ia arriti asnjërit prej këtyre qëllimeve. Puigdemont e shpalli një shtet katalonas "në formë të një republike". Por, ai menjëherë "e suspendoi" këtë shpallje, me qëllim që t'i mundësojë negociatat me qeverinë spanjolle. Për qeverinë spanjolle, fjalimi i Puigdemontit ishte një shpallje implicite e pavarësisë, derisa për partinë e paduruar, CUP, ky ishte një moment i tradhtisë së papranueshme. Tani ka shumë të ngjarë që qeveria qendrore do ta përdorë Nenin 155 të Kushtetutës së Spanjës, i cili ia mundëson asaj që ta marrë kontrollin direkt ndaj Katalonisë, një hap i cili pa dyshim se do të shkaktojë më shumë trazira civile në tërë regjionin. Historikisht, pavarësia kombëtare rëndom është arritur nëpërmes proceseve të dhunshme, bile edhe kataklizmatike të dekolonizimit. Shtetet e reja gati gjithmonë kanë lindur në gjak, sakrificë dhe deprivim. Në rastin e ish-Jugosllavisë, shtetet e pavarura u paraqitën nga lufta civile, bile edhe gjenocidi. Kombet e skllavëruara po ashtu e kanë rikthyer sovranitetin nga dështimi i shteteve dhe kolapsi i perandorive. Ndarjet miqësore, sikur rasti i Çekosllovakisë, apo ai i Norvegjisë dhe Suedisë, janë gjë e rrallë në histori.

Perëndimi nuk e mbështet pavarësinë kurde

Përpjekjes së Katalonisë për pavarësi, sikur që e di me gjasë Puigdemont, i mungon elani revolucionar, i cili ka karakterizuar lëvizjet kombëtare përgjatë historisë. Ankesat reale, e ndonjëherë edhe të imagjinuara, mund ta shpjegojnë valën aktuale nacionaliste në Kataloni. Por, projekti i pavarësisë kryesisht reflekton ëndrrat ekstravagante të elitave katalonase të madhështisë dhe shpërfilljes ndaj spanjollëve, gjoja inferiorë. Këto elita tani duhet ta pyesin veten se a janë të aftë votuesit e tyre të shtresës së mesme, që të durojnë bllokadat, largimin masiv të kapitalit (gjë që është duke ndodhur edhe aktualisht), një rënie të standardit të jetës dhe një armiqësi, si me Spanjën, po ashtu edhe me Evropën. Në Irak, kurdët e bazojnë kërkesën e tyre për pavarësi te pretendimi se Iraku është shtet shtypës dhe i dështuar. Por, katalonasit nuk janë komb i shtypur dhe, Spanja nuk është një shtet i dështuar. Duke përmendur diktaturën e gjatë të 'generalissimo' Francisco Franco - nga e cila tani kanë kaluar katër dekada - vetëm sa tentohet që të maskohen motivet ekonomike të separatistëve dhe ndjenjat e tepruara të superioritetit kulturor. Perëndimi nuk e mbështetë pavarësinë kurde, për të njëjtën arsye pse nuk do ta mbështesë as pavarësinë katalane. Po ashtu sikur që Spanja nuk është një fuqi pushtuese në Kataloni, Perëndimi nuk i konsideron shtetet që tentojnë ta parandalojnë pavarësinë kurde - Turqinë, Irakun, Sirinë dhe Iranin - si fuqi të vërteta koloniale. Në anën tjetër, kauza e Palestinës për pavarësi mbështetet në mbarë botën, mu për shkak pse Izraeli perceptohet si fuqia e fundit koloniale në tokat arabe. Perceptimet e tilla kanë rëndësi, meqë ajo që shpesh vulos fatin e lëvizjeve të pavarësisë, është reagimi i shteteve të treta. Dhe, as që mund të merret me mend që ndonjë vend evropian do të kishte ndonjë avantazh politik duke lehtësuar pavarësimin e Katalonisë, gjë që do ta tjetërsonte një anëtar kyç të BE-së dhe do t'i nxiste lëvizjet e shumta nacionaliste në tërë BE-në dhe në shtetet e afërta. Katalonia ka një mosmarrëveshje legjitime me qeverinë spanjolle rreth financave dhe atributeve të autonomisë. Por, derisa qeveria në Madrid do të mund ta kishte menaxhuar konfliktin katalonas, duke e adresuar atë politikisht, jo ligjërisht, kjo as për së afërmi nuk e justifikon pavarësimin. "Fakti diferencial katalonas" është realitet historik dhe ai meriton që të adresohet në mënyrë adekuate. Megjithatë, lëvizja perzistente kah pavarësia, duket se nxitet kryesisht nga eksitimi dhe reagimet reflektive të disa prej liderëve të Katalonisë. Në asnjë rast, para apo pas referendumit për pavarësi, ndonjëri prej tyre nuk ka ofruar ndonjë shpjegim të artikuluar pse është i nevojshëm një shtet i veçantë katalonas, apo si do të dukej ai.

Çdo votë e pahedhur mund të konsiderohet si protestë kundër referendumit

A do t'i kishte Republika e Katalonisë forcat e veta të armatosura? A do të zëvendësohej euroja nga valuta nacionale e këtij shteti? Si do ta bindte ky shtet Spanjën dhe shtetet tjera anëtare të BE-së që të mos e venin veton ndaj anëtarësimit të Katalonisë në BE? Cilat shtete do të rrezikonin prishjen e marrëdhënieve me Spanjën, duke njohur një shtet të ndarë katalonas? Nuk ka dyshim se, nëse kombet nuk marshojnë të bashkuar kah pavarësia, ato nuk arrijnë atje. Aktualisht Katalonia është gati e ndarë barabar rreth kësaj çështjeje, në një mënyrë të paparë që nga Lufta civile në Spanjë. Vetëm 43% të popullatës së Katalonisë kanë votuar në referendum, të cilin bile edhe kryetari i qytetit të Barcelonës, Ada Colau, një mbështetës i shtetësisë, e ka vënë në pyetje si bazë për një shpallje të njëanshme të pavarë- sisë. Çdo votë e pahedhur, mund të konsiderohet si protestë kundër referendumit dhe një votë për unitet me Spanjën. Colau ka të drejtë. Të thuash që referendumi rezultoi me një fitues të qartë dhe ta bazosh shpalljen e pavarësisë te ajo votë, është ofendim për logjikën e shëndoshë dhe për normat demokratike, gjë që do ta bënte shtetin e ri si një sipërmarrje tërësisht ilegjitime. Ndarje të ngjashme, të thella, e dëmtuan tentimin e Kuebekut për pavarësi, po ashtu edhe të Skocisë. Bile edhe liderët e Konfederatës gjatë kohës së Luftës civile amerikane, kuptonin se, pa një popull të bashkuar që qëndron në tërësi prapa përpjekjeve të tyre për pavarësi, republika e tyre poseduese e skllavërisë ishte e dënuar me dështim. Një trandje e status quo-s spanjolle, politike dhe kushtetuese, ka kohë që është vonuar dhe tërë vendi mund të dalë më i fortë nëse reformat e bëra si reagim ndaj krizës katalonase, ndihmojnë në lirimin e energjive të njërit prej popujve më divers të Evropës. Por, kjo nuk është koha për mendje të mjera dhe vizione të ngushta. Efektet malinje të politikave të sotme të identitetit nuk duhet të lejohen që ta copëtojnë shoqërinë spanjolle, ashtu sikur që bënë politikat ideologjike 80 vjet më parë.

(Shlomo Ben-Ami, ish-ministër i jashtëm i Izraelit, është zëvendëspresident i Qendrës ndërkombëtare Toledo për paqe) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për 'Project Syndicate', pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot

 (Kosova Sot)

37 minuta më parë