< Kriza evropiane e vetëbesimit ka filluar të ketë pasoja - Opinione - Kosova Sot
Kriza evropiane e vetėbesimit ka filluar tė ketė pasoja

Kriza evropiane e vetėbesimit ka filluar tė ketė pasoja

Shkruan: Nic Robertson

AFTËSIA E BE-SË

Trump duket të jetë buzë zhbërjes së disa prej sukseseve më të mëdha të politikës së jashtme evropiane

Në një kohë kur institucionet mbinacionale, sikur që është BE-ja, OKB-ja dhe NATO-ja, janë nën një presion gjithnjë e më të madh dhe iu është vënë në pikëpyetje validiteti i tyre, BE-ja ka një mundësi që ta demonstrojë stabilitetin, për ofrimin e të cilit edhe është krijuar

Shumëçka ka ndodhur në Evropë këtë javë. Shumë prej këtyre ngjarjeve kanë testuar aftësinë e BE-së për ta trajtuar krizën, edhe pse të pakta janë ngjarjet pozitive në Bruksel. Derisa presidenti i Katalonisë përpiqej që ta evitonte një konflikt të vetëshkaktuar me Qeverinë spanjolle, Brukseli ishte i zënë duke u marrë me çështjen e Brexitit. Referendumi i presidentit Carles Puigdemont - i shpallur ilegal nga gjykatat spanjolle - ka bërë që ai dhe separatistët e popullit të tij të konfrontohen me kryeministrin e Spanjës, Mariano Rajoy, në një kohë kur negociatorët britanikë dhe ata të BE-së ishin duke u përgatitur për takimin e tyre në lidhje me Brexitin. Një preokupim me problemet e veta rreth Brexit-it ndoshta shpjegon pse zyrtarët e lartë të BE-së u dukën të shurdhër ndaj separatistëve të Spanjës të cilët, nuk duhet harruar, janë qytetarë të BE-së. Është e vërtetë se, kohët e fundit, në 'kutinë postare' të BE-së ka pasur shumë çështje, ku secila prej tyre kërkojnë vëmendjen e Evropës. Presidenti Donald Trump duket të jetë buzë zhbërjes së disa prej sukseseve më të mëdha të politikës së jashtme evropiane: marrëveshjes bërthamore me Iranin, apo Planit të përbashkët gjithëpërfshirës të veprimit, meqë derisa Amerika në fakt udhëhoqi arritjen e marrëveshjes, ishin kompanitë evropiane ato që ishin ndër të parat që shkuan në Teheran dhe lidhën kontrata të majme biznesore. Nëse Trump me të vërtetë anulon marrëveshjen me Iranin, atëherë janë shtetet e BE-së ato që të parat do t'i ndjejnë pasojat

Ngecja e BE-së

Më pas, aty është edhe kriza në Ukrainë dhe raportet evropiane me Rusinë. Ka kohë që BE-ja është dukur e ngathtë në gjetjen e ndonjë plani në këtë drejtim. Por, ndoshta problemi më i madh me të cilin ballafaqohet Evropa, ka të bëjë me vizionet konkurruese franceze dhe gjermane rreth një Evrope më të integruar dhe rreth vet të së ardhmes së kontinentit. Tani është duke u pritur më shumë nga BE-ja, sesa gjatë viteve paraprake, por deri më tani BE-ja ka dështuar që fjalët t'i pasojë me vepra. Ngecja e BE-së u duk më së shumti gjatë javës që çoi deri te shpallja gjysmake e pavarësisë nga Puigdemont. Më 1 tetor, policia spanjolle lëndoi më shumë se 800 votues katalonas, derisa ata kishin dalë që të votonin në referendumin e pavarësisë. Gjatë ditëve në vijim, zyrtarë të lartë të BE-së dukej se falnin brutalitetin spanjoll kundër katalonasve, gjatë mbajtjes së referendumit jo kushtetues. Frans Timmermans, zëvendëspresidenti i Komisionit të BE-së, shkoi aq larg saqë deklaroi se policia kishte të drejtë në përdorimin e "forcës proporcionale". Reagimi i butë i Timmermanit është tipik me atë që shumë kritikë të BE-së presin nga një burokraci, e cila shpesh duket më e dhënë ndaj aspiratave të veta, sesa të atyre të qytetarëve, të cilët i përfaqëson. Javën pasuese negociatorët britanikë të Brexit-it arritën në Bruksel për një takim tjetër me homologët nga BE-ja. Llogoret janë duke u gërryer dhe pozicionet janë duke u ngrirë. Si liderët francezë, po ashtu edhe ata gjermanë kanë prishur qetësinë, duke hedhur 'ujë të ftohtë' mbi iniciativën e negociatorit kryesor të BE-së, Michel Barnier, për të negociuar rreth tregtisë të së ardhmes, para se Britania të dalë me atë se çka do të paguajë për ta larë hesapin e daljes nga BE-ja. E, në Barcelonë, katalonasit ishin duke matur koston e ushtrimit të së drejtës së tyre demokratike për pavarësi, sikur gjetiu në Evropë, sikur p.sh. në Skoci. Në mënyrë instinktive ata prisnin që BE-ja t'i mbështeste ata. Por, tanimë e preokupuar rreth Brexitit, Iranit, Ukrainës dhe të ardhmes së saj, BE-ja vetëm sa deklaroi se referendumi dhe dhuna e ushtruar janë çështje kushtetuese spanjolle, për t'iu kthyer përsëri bisedimeve rreth Brexitit. Ata që e kanë paramenduar BE-në si një entitet më të fuqishëm, mund të mbesin të zhgënjyer nga ky zhvillim.

Rikthimi i vetëbesimit të Evropës

Megjithatë, presidenti i Katalonisë, Puigdemont, i cili mendon se ka respektuar thirrjen e presidentit të Këshillit evropian për evitimin e eskalimit duke kërkuar bisedime në vend të shpalljes së menjëhershme të pavarësisë, beson se BE-ja është e obliguar për t'i ndihmuar atij në realizimin e pavarësisë, për të cilën kishte votuar populli i tij. Ndoshta Puigdemont e ka fatin e keq që, në momentin kur ai ka nevojë që BE-ja ta mbajë të gjallë ëndrrën katalonase për pavarësi, BE-ja është duke luftuar valën e vet separatiste. Por, pa marrë parasysh se a e kupton BE-ja, apo jo, apeli i Puigdemontit që ajo të ndërmjetësojë midis tij dhe Madridit, është ose shenjë e mungesës së të kuptuarit të seriozitetit të situatës, apo paaftësisë së ballafaqimit me të. Fjalimi i Puigdemontit në Parlamentin e Katalonisë të martën bën me dije se, pak me vonesë, ai ka kuptuar se politika është rruga kah ndarjes. Përgjigja e Rajoy't nga Madridi bën me dije se ai ka diçka krejt tjetër në mendje, gjë që e bën ndërmjetësimin e BE-së për menaxhimin e xhindit të pavarësisë, një gjë shumë më urgjente. Pak orë para mbajtjes së fjalimit të Puigdemontit, qeveria e kryeministrit Rajoy dërgoi policinë shtetërore në Gjykatën e lartë në Barcelonë. Ata qëndruan krah për krahu me policinë lokale të Katalonisë, "Mossos", e cila përndryshe e ruan parlamentin në kushte të rregullta. Por, mesazhi i Madridit ishte i qartë: Nëse nuk na pëlqen ajo që do të dëgjojmë, atëherë të dy policitë mund të konfrontohen. Në një kohë kur institucionet mbinacionale, sikur që është BE-ja, OKB-ja dhe NATO-ja janë nën një presion gjithnjë e më të madh dhe iu është vënë në pikëpyetje validiteti i tyre, BE-ja ka një mundësi që ta demonstrojë stabilitetin, për ofrimin e të cilit edhe është krijuar. Linjat janë duke u tërhequr dhe nuk është koha që BE-ja ta kthejë kokën në anën tjetër dhe të murmuritë rreth Brexitit, apo Iranit. Është koha që Brukseli ta shfrytëzojë këtë mundësi dhe ta rikthejë vetëbesimin e Evropës, para se ai të shembet në tërësi. 

(Nic Robertson është redaktor ndërkombëtar i CNN-it) 

(Kosova Sot)  

14 orë e 33 minuta më parë