< Rusia dëshiron ta kontrollojë hapësirën kibernetike - Opinione - Kosova Sot
Rusia dėshiron ta kontrollojė hapėsirėn kibernetike

Rusia dėshiron ta kontrollojė hapėsirėn kibernetike

Shkruan: David Ignatius

Përzierja kibernetike e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016, është pasuar nga ajo që ekspertët amerikanë dhe evropianë e përshkruajnë si kampanjë shqetësuese të Kremlinit për të rishkruar rregullat e hapësirës kibernetike globale. Një draft i propozimit rus, për një "Konventë të re të OKB-së për bashkëpunim në luftimin e krimeve të informimit", tash vonë më është treguar nga një ekspert i sigurisë, i cili e kishte siguruar një kopje. Dokumenti me 54 faqe përmban 72 artikuj të propozuar, duke mbuluar mbledhjen e trafikut të internetit nga autoritetet, 'kodet e sjelljes' për hapësirë kibernetike dhe 'hetimet e përbashkëta' për aktivitetet keqbërëse. Gjuha duket burokratike dhe e padëmshme, por ekspertët thonë se nëse miratohet, do t'ia lejojë Rusisë që ta shtrëngojë hapësirën kibernetike edhe më shumë. Konventa e propozuar nga Kremlini do ta rriste aftësinë e Rusisë dhe shteteve tjera autoritare, për ta kontrolluar komunikimin brenda vendeve të tyre dhe për të fituar qasjen ndaj komunikimit në vendet e tjera, sipas disa ekspertëve kryesorë kibernetikë të SHBA-së. Ata e përshkruan draftin e fundit si pjesë të insistimit të Moskës, gjatë dekadës së fundit, për ta formësuar arkitekturën ligjore të asaj që strategët rusë duan ta quajnë "hapësirë informative".

Propozimi mistik

Ky propozim ishte bërë nga Kremlini më herët këtë vit dhe ishte nënvizuar në një artikull të botuar më 4 prill, në "Kommersant". Kjo e përditshme e Moskës raportonte se ministria ruse e punëve të jashtme, e ka përshkruar këtë konventë si tendencë 'inovative' dhe 'universale' për ta zëvendësuar Konventën e Budapestit të vitit 2001, e cila është nënshkruar nga SHBA-ja dhe 55 vende të tjera, por është refuzuar nga Rusia. "Kommersant" thoshte se "autoritetet e Rusisë aty shihnin rrezik ndaj sovranitetit të vendit". Tentimi i Rusisë për të rishkruar rregullat globale, nëpërmes OKB-së, ishte kombinuar nga një ofertë personale rreth bashkëpunimit kibernetik në korrik, nga presidenti Vladimir Putin, drejtuar presidentit Trump, gjatë samitit të G 20-tës në Hamburg. Putin "kategorikisht mohoi" se Rusia ishte përzier në zgjedhjet presidenciale amerikane, kishte bërë me dije Trump në një postim. Trump më pas bëri një propozim mistik: "Putin & unë kemi diskutuar formimin e një njësiti të padepërtueshëm të Sigurisë kibernetike, në mënyrë që hakimi i zgjedhjeve dhe shumë gjëra të tjera negative, do të kontrollohen dhe do të jenë të sigurta". Sugjerimi i Trumpit që Amerika i është bashkuar Rusisë në mbrojtjen kibernetike, provokoi një potere në SHBA. Një komentues në 'Twitter' shkruante: "Kjo është njësoj sikur FBI të kërkojë nga mafia formimin e një njësiti të përbashkët antikrim". Shtëpia e bardhë reagoi menjëherë, ku këshilltari i sigurisë së vendit, Tom Bossert, iu tha gazetarëve më 14 korrik, se: "Nuk besoj që SHBA-ja dhe Rusia kanë ardhur deri në atë pikë të bashkëpunimit në fushën kibernetike. Dhe, derisa të mos ndodhë një gjë e tillë, nuk mund ta bëjmë bisedën rreth partneritetit". Shumë ekspertë kibernetikë amerikanë ndajnë pikëpamjen e Bossert-it, se çdo marrëveshje formale, apo partneritet me Moskën, tani nuk është veprim i mençur, derisa bisedimet e heshtura rreth ndërtimit të besimit, mund të ishin të dobishme. Ato do të mund të përfshinin kontaktet e ushtrive midis veti, apo kontaktet teknike, për të eksploruar si të evitohen ngjarjet katastrofike kibernetike, të cilat mund të gjymtojnë sistemet strategjike, apo të paraqesin rreziqe sistematike. Zyrtarët amerikanë dhe rusë kanë mbajtur një dialog të tillë për të eksploruar normat për internet, por deri më tani kjo udhë ka qenë qorre. Rusët udhëhiqeshin nga Andrey Krutskikh, një zyrtar i ministrisë së jashtme, i cili është këshilltar kibernetik i Putinit; derisa në anën amerikane, udhëheqës ishte Christopher Painter, i cili ishte shef i çështjeve kibernetike nën presidentin Barack Obama.

Vazhdimi i kampanjës ruse

Këto kontakte janë të ndjeshme, por ato janë dobësuar me përkeqësimin e marrëdhënieve midis SHBA-së dhe Rusisë. Një grup i nivelit të lartë pushoi së takuari pasi Rusia invadoi Ukrainën në vitin 2014. Një Grup ekspertësh qeveritarë për siguri informative, i sponsorizuar nga OKB-ja, u shpërbë në qershor pasi që dështoi të arrinte konsensus rreth masave përmirësimin e sigurisë kibernetike. Propozimet bilaterale të Putinit të bëra në Hamburg, u zhdukën me të shpejtë, pas pranimit të tyre të parakohshëm nga ana e Trumpit. Rusët, në ndërkohë, vazhdojnë kampanjën e tyre për ta rregulluar hapësirën kibernetike sipas kushteve të tyre, duke mobilizuar aleatët për ta mbështetur alternativën e tyre ndaj Konventës së Budapestit. Rusia mori një mbështetje globale për përpjekjet e saj në një takim të mbajtur në shtator, në Xiamen, Kinë, nga vendet e ashtuquajtura BRICS: Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e jugut. Në deklaratën e tyre formale, vendet 'pranojnë nevojën për një instrument universal për luftimin e përdorimit kriminal të ICT-ve [teknologjive informative dhe të komunikimit] në kuadër të OKB-së". Këto vende "njohin iniciativën" e Rusisë, në kërkim të një marrëveshjeje të tillë obliguese. Nëse ngjarjet e vitit të kaluar na kanë mësuar ndonjë gjë, atëherë kjo është se Rusia sheh informimin si armë vendimtare politike dhe dëshiron që ta kontrollojë këtë hapësirë potenciale luftarake. Ana rregullatore globale e këtij kontesti nuk ka marrë vëmendjen e duhur, por ajo mund të ndihmojë në përcaktimin se a do të mbijetojë qarkullimi i lirë i informatave në epokën e autokratëve.

(Kosova Sot)

7 orë e 15 minuta më parë