< A ka ardhur në pikën kritike dialogu me Serbinë? - Opinione - Kosova Sot
A ka ardhur nė pikėn kritike dialogu me Serbinė?

A ka ardhur nė pikėn kritike dialogu me Serbinė?

SHKRUAN: MR.BISLIM ALIU

Që nga fillimi i dialogimit me Serbinë është vërejtur qartas se ky dialog, nuk është i barabartë (si dy shtete),se nuk do t'na sjellë asgjë të mirë për Kosovën. E, përfitimet e mëdha do t'i marrë Serbia, duke ia hapur udhën për në BE, e ne përherë nga dialogu kemi dalë të nënshtruar, duke bërë lëshime e kompromise në dëm të Kosovës. Dhe, që nga fillimi është thënë, bile shpeshherë është përsëritur nga ministrja jonë për dialog Edita Tahiri se bisedimet janë "teknike" e në realitet asnjëherë nuk kanë qenë teknike, por tërësisht politike!!! Pra, qe gjashtë vjet kemi dialoguar me Serbinë, thuajse nuk e kemi njohur atë, dhe si asnjëherë nuk iu ka kujtuar ekipit negociator, e sidomos ministres Tahiri, se po bisedon me një shtet gjenocidal, me një shtet i cili qe 150 vjet ka pasur, ka dhe gjithherë do të ketë pretendime territoriale ndaj Kosovës. Ndaj, që nga fillimi e kemi pranuar nënshtrimin dhe fare nuk kemi treguar asnjë sens dashurie për shtetin dhe për qytetarët e saj. Si u bë që aq lehtë e harruam luftën, dëshmorët e rënë në luftë, invalidët e luftës dhe më se 1550 të pagjetur, ku familjet e tyre që 17 vjet lotojnë për më të dashurit e vet. Dhe, ne dialogojmë aq lehtë me shtetin gjenocidal. A ende nuk u mbushëm mend se dialog të sinqertë me Serbinë asnjëherë nuk mund të ketë, as sot dhe as kurrë…Dhe që nga fillimi, ekipi negociator ka zhvilluar dialog (negociata) të papërgatitura, pa program e koncept qeveritar dhe pa vizion të qartë për shtetin dhe të harmonizuar me Kushtetutën e vendit. Të gjitha këto, varg e vijë tregojnë papjekurinë të ekipit tonë negociator, i cili e solli këtë dialog pa perspektivë për Kosovën dhe për popullin e saj.

Kompromiset e mëdha

Ky dialog na solli marrëveshje të kundërta me Kushtetutën e vendit. Marrëveshjet janë nënshkruar pa i studiuar mirë dhe shih fatkeqësinë kombëtare për shtetin; asnjëherë këto marrëveshje të nënshkruara me Serbinë, nuk janë debatuar në Parlament, si institucioni më i lartë i shtetit. E, Serbia gjithmonë ka ardhur në bisedime e përgatitur, së pari ka bërë dialog me BE-në për marrëveshjet, e tevona është biseduar me Kosovën, gjithnjë duke bërë presion edhe BE-ja që Kosova të bëjë kompromise në lidhje me marrëveshjet. Tani një dobësi e pafalshme e jona është, kur politikanë serbë, e sidomos Gjuriq, i cili me pompozitet të shtuar sa herë ka dashur ka hyrë në Kosovë, si në "bahçe të babës" dhe ka folur gjithherë kundër Kosovës. Pra, kemi lejuar këtë bandit të prishur shpirtërisht të bëjë çfarë të dojë në Kosovë. Nëse jemi shtet, atëherë duhet të sillemi si shtet. A thua, cili shtet në botë e lejon politikanin e një shteti tjetër të hyjë në shtet tjetër pa e pyetur fare dhe ta fyejë atë shtet dhe institucionet e atij shtet? Kjo bëhet vetëm në Kosovën tonë, ku nuk jep askush llogari dhe përgjegjësi për asgjë!!! Kompromiset e shumta që i ka bërë Kosova duke pranuar fusnotën, duke lejuar që të bllokohet qarkullimi i lirë mbi urën e Ibrit dhe lënia e pjesës veriore të Mitrovicës që të bëjë çka të dojë Serbia. Pra, pjesën veriore ne vetë ia kemi falur Serbisë. U formuan 10 komuna serbe, që me aq lehtësi edhe u formuan. Serbët kërkojnë me ngulm Asociacionin e komunave serbe, i cili Asociacion ishte nënshkruar pa e studiuar mirë domethënien e tij, për çka edhe Kushtetuta e Kosovës tregoi për kompetenca më të mëdha dhe që ndeshet direkt me Kushtetutën e vendit. Pra, janë nënshkruar marrëveshje që e dëmtojnë Kushtetutën e vendit, e përgjegjësinë, a thua kush duhet ta marrë? Tani ndërtimi i murit në Mitrovicë tregon hapur se dialogu ka ardhur në fazën kritike dhe se kërkohet urgjentisht ndryshim të dialogut. A thua çfarë dialogu duhet të bëhet me Serbinë për këtë mur të ngritur në Republikën e Kosovës, në Mitrovicën veriore? Për atë s'ka kurrfarë bisedimesh me Serbinë. Tani është ndërtuar një mur tjetër (kinse më i shkurtër), e ai ende nuk është përfunduar dhe nuk dihet fare kur do të përfundojë. Pra, Serbia dirigjon dhe luan si të dojë me fatin e Kosovës! Ndaj, si kemi lejuar të biem në grackat e Serbisë?!

Urgjentisht të kërkohet një platformë e re në dialog me Serbinë

Tani kemi ardhur në një mat pozicion kur dialogu me Serbinë ka ardhur në pikën kritike dhe për këtë duhet urgjentisht kërkohet një platformë e re në dialog me Serbinë. Të gjitha marrëveshjet duhet studiuar mirë dhe ndonjëra, nëse është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, ajo nuk mund të zbatohet as sot dhe as kurrë. Meqë ekipi negociator në krye me Edita Tahirin nuk ka treguar transparencë të lartë për shtetin dhe për marrëveshjet e nënshkruara, atëherë duhet të rishikohen në detaje ato marrëveshje të nënshkruara. Edhe presidenti i vendit nuk mund të shkojë dhe të bisedojë, pa ndonjë konsensus të përbashkët, nga partitë politike, por edhe pa u debatua në Kuvend. Andaj, vetëm Kuvendi do ta aprovojë platformën në bisedime me Serbinë. Si bëhet presidenti i Serbisë Vuçiq të kërkojë konsensus të brendshëm për Kosovën, e ne për Kosovën nuk kërkohet asnjë konsensus , as nga partitë në pushtet, as nga opozita, as nga shoqëria civile, as nga ASHAK-u, dhe për këtë kemi ardhur në një situate aspak të mirë për shtetësinë e Kosovës. Pra, kërkohet unitet dhe unifikim i përgjithshëm për bisedime. Ky bashkim institucional duhet sa më parë të formohet. Në te, na duhen profesionistë të devotshëm, atdhetarë e patriotë të lartë që e duan vendin dhe zhvillimin e tij. Përndryshe, nëse veprohet si gjer më tani, vaj halli për Kosovën dhe për shtetësinë e saj!

Të dialogohet si shtet, e jo Serbia ta dirigjojë dialogun

Gjer më tani, ekipet tona negociatore nuk janë treguar të vëmendshëm për ta ruajtur shtetësinë e Kosovës. Si bëhet të negociohet me Serbinë, kur ajo në Kushtetutën e saj e ka Kosovën si pjesë përbërëse të saj? Atëherë, pra, për çfarë të bisedohet, për punë të brendshme të Kosovës! Ekipet tona negociatore, asnjëherë nuk ia kanë treguar Serbisë "dhëmbët" dhe për t'i thënë Serbisë; ne jemi shtet dhe do të bisedojmë vetëm si dy shtete. Por kemi lejuar që të bisedohet për punët e brendshme të Kosovë, ashtu siç ka dashur Serbia!!! Ndaj, kërkohet unitet. O sot, o kurrë. Vetëm kështu Kosova do të ecë përpara, përndryshe, nëse edhe më tej vazhdohet kështu siç është vepruar gjer më tani, vaj halli për shtetin dhe për qytetarët e saj. O sot dhe o kurrë duhet ta mbrojmë shtetin dhe pavarësinë e saj. Mundemi vetëm na duhet uniteti. Pa unitet nuk ka prosperitet. E, pra, bashkohuni për ta mbrojtur Kosovën, e cila është larë në gjak që 150 vjet nga shteti i Serbisë. Vallë, si bëhet që aq lehtë ta pranojmë dialogun me Serbinë, kur ajo vazhdimisht kërkon që të dialogohet për punët e brendshme të Kosovës?!

(Kosova Sot)

6 orë e 5 minuta më parë