Ku duhet të ndërtohet Stadiumi Nacional apo Olimpik i Futbollit në Kosovë?

Ku duhet të ndërtohet Stadiumi Nacional apo Olimpik i Futbollit në Kosovë?
  • 22 November 2017 - 08:24

SHKRUAN: YLBER VOKSHI

Jam i befasuar se si me papërgjegjësi ekstreme i japin të drejtë vetes disa individë, pa kurrfarë kulture dhe diturie profesionale në fushën e Planifikimit Hapësinor, që tentojnë të na bindin se ku do të duhej të ishte lokacioni më i përshtatshëm i ndërtimit të Stadiumit Nacional apo Olimpik të Futbollit në Kosovë, duke i imponuar qëndrimet e tyre regjionale me premisa provinciale, thua së kjo çështje nuk është interes nacional i të gjithë neve që jetojmë në Kosovë. Argumentet e tyre janë të mbështjella nën petkun e "patriotizmit provincial", i cili shpërfaqet në formën e tij ma të vrazhdë. Kjo na tregon një të vërtetë të hidhur se kush e ka udhëhequr këta 18 vjet Kosovën dhe se si ka marrë vendimet e rëndësishme shtetërore, duke u bazuar vetëm në interesat provinciale, regjionale, klanore, grupeve të ndryshme të interesit, e ma së paku të atyre nacionale si duhej të ishte.

Rekomandimet e profesionistëve

Zgjedhjet lokale 2017 përfunduan e me këtë edhe "lufta" politike me " urdhra" se ku do të ndërtohet Stadiumi Nacional Olimpik i Futbollit. Paturpësisht luhet me ndjenjat e dashamirëve të shumtë të futbollit dhe disiplinave të tjera olimpike. Ata polemizojnë se lokacioni i preferuar i Stadiumit Olimpik do të vendoset në katundin apo fshatin e këtij apo atij, duke harruar me qëllim se për këto çështje duhet së pari të marrë rekomandimet e profesionistëve të planifikimit hapësinor, të cilët në bashkëpunim me profesionistët tjerë të fushave adekuate duhet të propozojnë dhe miratojnë lokacionin e stadiumit. Tek atëherë politika mund të ndërhyjë e sigurt, pasi e ka mbështetjen në rekomandimet dhe dokumentet profesionale që askush nuk mund t'i kontestojë. Nuk duhet neglizhuar faktin se qasja selektive ndaj zgjidhjes së këtyre sfidave hapësinore shumë lehtë mundëson krijimin e konflikteve rajonale primitive, që kurrsesi me çdo kusht nuk duhet lejuar. Nuk është punë e lehtë kjo procedurë, e cila duket ashtu në shikim të parë. Kërkohen analiza detale të të gjithë indikatorëve hapësinorë në aspektin makro dhe mikro territorial, specifikat e terrenit, temperaturat, mjedisi kulturor i ndërlidhur me mentalitetin e popullatës ku duhet të frymojë dhe funksionojë ai kompleks sportiv, e shumë elemente të tjera të rëndësishme, që një ndërmarrje e tillë komplekse të jetë e suksesshme. Pastaj pëson faza e përpilimit të detyrës projektuese, përgatitja e konkursit ndërkombëtar të projektit, e së fundi sigurimi i mjeteve materiale dhe fillimi i ndërtimit, me siguri në faza, e kompleksit sportiv nacional, i cili kërkon mjete të mëdha materiale, të cilat ne nuk jemi mësuar t'i ndajmë deri më sot për këso destinime. Në vend që pas pranimit në UEFA dhe FIFA t'u rrekemi punëve përgatitore që i kërkon ky lloj kompleksi, duke i kompletuar të gjitha fazat e një projekti voluminoz, e të presim kur do të sigurohen mjetet materiale për të filluar ndërtimin e tij. Ne merremi me llafe të kota se ku preferohet apo urdhërohet ndërtimi i tij, që aspak nuk duhej të ishte brengë e tyre.

Planifikim afatgjatë i territorit të vendit në afate kohore shumëvjeçare

Elementi më i rëndësishëm në përcaktimin përfundimtar për lokacionin e stadiumit është tradita dhe dashuria e madhe ndaj këtyre sporteve, e zhveshur nga politika ditore që ka dominuar në fundshekullin e kaluar. Së pari, duhet analizuar se në cilat zona të Kosovës janë përqafuar idetë humaniste sportive, si ka qenë angazhimi i popullatës dhe i tifozëve të sportit, sa ka qenë masiviteti i këtyre sporteve etj. E jo të katapultohet një kompleks sportiv në një mjedis që kurrë nuk ka treguar interesim të madh për këta sporte, si është rasti me propozimet e fundit politike për lokacionin se ku duhet ndërtuar stadiumin, pa kurrfarë studime kredibile që iu paraprijnë ndërmarrjeve të tilla madhore. Propozimet politike janë treguar ekstrem të dëmshme dhe nuk duhet marrë në konsideratë, pasi ato vijnë zakonisht për të plotësuar interesat e kufizuara lokale apo regjionale,duke anashkaluar ato nacionale, që kurrsesi nuk duhet lejuar. Planifikimi afatgjatë i territorit të vendit në afate kohore shumëvjeçare është kompleks, kërkon ndodhinë. Me ndryshimin eventual të kufijve të disa shteteve ballkanike, që shumë lehtë lokacionet e pretenduara për stadium do t'i bënte të papranueshme, pasi do të gjendeshin në periferi të shtetit të ardhshëm, çka nuk preferohet në raste të tilla. Pasi zgjedhjet lokale kaluan, keni kohë që me koka të qeta, duke u bazuar në dokumentet hapësinore të shtetit të Kosovës, të caktohet lokacioni i ndërtimit të Stadiumit Nacional apo Olimpik të Futbollit në Kosovë. Ne ende po i vazhdojmë lojërat joparimore, si në rastin e Operës së Kosovës, e cila edhe se e ka të definuar lokacionin, ku edhe kanë filluar punët ndërtimore para disa vjetësh, ende po shfrytëzohet nga politikëbërësit tanë vetëm për lojëra të ulëta politike, e ne ende nuk kemi se ku t'i zhvillojmë aktivitetet e ndryshme kulturore. Uroj që fatin e ngjashëm të mos e ketë edhe ndërtimi i Stadiumit Nacional apo Olimpik të Futbollit në Kosovë, edhe se aktorët politikë janë të njëjtit. Prandaj kujdes me deklaratat tilla të pamatura, pasi realiteti është tërësisht ndryshe.

Autori ka qenë ish-kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)

(Kosova Sot)