Trump-it i mungon strategjia rreth Koresë Veriore - Opinione - Kosova Sot
Trump-it i mungon strategjia rreth Koresė Veriore

Trump-it i mungon strategjia rreth Koresė Veriore

ZGJIDHJA E KRIZËS AKTUALE BËRTHAMORE

Presidenti Donald Trump me të vërtetë ka të drejtë kur ankohet se ka trashëguar një problem të vështirë në Korenë Veriore

Shkruan: CHRISTOPHER R. HILL

Duke e ri-etiketuar në mënyrë arbitrare Korenë veriore si shtet, sponsor të terrorizmit, presidenti amerikan Donald Trump, përsëri ka bërë të qartë se nuk ka asnjë politikë, apo strategji për zgjedhjen e krizës aktuale bërthamore. Kur ish-presidenti George W. Bush e largoi Korenë Veriore nga lista e terrorizmit, në vitin 2008, ai të paktën përfitoi diçka nga kjo. Presidenti Donald Trump me të vërtetë ka të drejtë kur ankohet se ka trashëguar një problem të vështirë në Korenë Veriore. Lideri i Koresë veriore, Kim Jong-Un, nuk ka manifestuar interesim për negociata, apo edhe për të dëgjuar se çka kanë për të thënë të tjerët rreth angazhimit të tij për prodhimin e armëve bërthamore dhe të raketave me rreze të gjatë të veprimit, të nevojshme për bartjen e armëve të tilla. Por, fakti që Trump e ka këtë problem të trashëguar, nuk e shkarkon atë nga përgjegjësia për adresimin e tij. Deri më tani, ai ka dështuar edhe në artikulimin, e lëre më implementimin e një strategjie për t'u marrë me Korenë veriore. Gati një vit pasi që u bë president, e arritura e tij e vetme ka qenë sigurimi në OKB i vendosjes së sanksioneve shtesë kundër Koresë veriore. Edhe më keq, ankesat e tij rreth presidentëve paraprakë sugjerojnë se ai nuk e ka idenë çka të bëjë tutje. 

Dështimet e regjimit

Tentimi i fundit i Trump-it që të merret me këtë problem, erdhi në fillim të nëntorit, kur me pompë deklaroi se administrata e tij e ka kthyer Korenë Veriore në Listën e Departamentit të Shtetit, të shteteve që konsiderohen sponsorë të terrorizmit. Ky vendim i tij, edhe pse i arsyetuar në dritën e sjelljes së Kim-it, ishte kryesisht simbolik, sikur që ishte edhe vendimi i ish-presidentit George W. Bush në tetor të vitit 2008, për ta hequr Korenë Veriore nga kjo listë. Shtëpia e Bardhë e Trump-it thotë se ri-cilësimi i Koresë veriore si shtet sponsor të terrorizmit, ishte "hap kritik". Nuk ishte. Në fakt, Departamenti amerikan i thesarit as që e kërkon një etiketim të tillë, për të formuluar sanksione shtesë. Shtetet sponsorë të terrorizmit nuk mund të marrin ndihmë ushtarake amerikane, gjë që edhe ashtu zor se mund të imagjinohej për Korenë veriore. Dhe, SHBA-ja e ka të ndaluar mbështetjen e huave, apo të ndonjë asistence tjetër ndaj shteteve sponsorë të terrorizmit nga institucionet financiare ndërkombëtare, ku SHBAja është anëtar. Por, Koreja veriore nuk është anëtare e asnjë institucioni financiar ndërkombë- tar. Sikur që kanë theksuar shumë njerëz, lista e terrorizmit nuk është assesi një përmbledhje e vendeve, shërbimet e sigurimit të të cilave mund të kenë lidhje me grupet terroriste. Aktualisht, lista e plotë përmban vetëm katër vende: Iranin, Korenë Veriore, Sudanin dhe Sirinë. Përkundër lidhjeve të mirënjohura të diktatorit, tanimë të ndjerë, venezuelas, Hugo Chávez, me Forcat revolucionare të armatosura të Kolumbisë (FARC) - grup i cili nga Departamenti amerikan i shtetit është vlerësuar si organizatë terroriste - Venezuela ia doli që të mos hynte në këtë listë. Ngjashëm, janë të shumtë ata që besojnë se shërbimet pakistaneze të sigurimit mbajnë lidhje me grupet të cilat do ta kualifikonin këtë vend për t'u përfshirë në këtë listë. Megjithatë, qoftë edhe si gjest simbolik, konteksti i vendimit të Bushit për ta larguar Korenë Veriore nga kjo listë, ishte tërësisht i ndryshëm nga ai i Trump-it, për ta kthyer atë. Në vitin 2008, Koreja Veriore kishte përmbushur ca kritere. Së pari, ajo u pajtua që të merrte pjesë në bisedimet gjashtë- palëshe me Kinën, Japoninë, Rusinë, Korenë e Jugut dhe SHBA-në. Qëllimi eksplicit i këtyre bisedimeve ishte denuklearizimi i gadishullit korean dhe ato rezultuan me mbylljen e centralit bërthamor të Koresë Veriore në Jongbjon. Më pas, marrëveshja filloi të shkatërrohej, për shkak të refuzimit të Koresë veriore që të pranonte se kishte ndonjë program, të kaluar apo aktual, për të zhvilluar material fisiv nga urani tepër i pasuruar (HEU). Regjimi dështoi të shpjegonte blerjet ndërkombëtare të pajisjeve që janë në përputhje me një program të tillë; dhe, mostrat e materialeve speciale, të cilat ajo ua dha diplomatëve amerikanë, vetëm sa i shtuan dyshimet edhe më shumë. 

Politika efikase

Pas një pauze prej disa vjetësh, reaktori bërthamor në Jongbjon është përsëri në funksion. Bie në sy fakti se, që të gjashtë testet bërthamore nëntokësore, të cilat i ka bërë Koreja veriore që nga viti 2006, janë bërë me plutoniumin e marrë nga reaktori para bisedimeve gjashtëpalëshe. Mundësia që Koreja Veriore është duke operuar ndonjë qendër HEU diku në terrenin e saj me tunele, pa dyshim se paraqet shkak për një shqetësim të madh. Por Jongbjon, përkundër asaj që mund të ketë thënë ndokush, gjithmonë ka paraqitur një rrezik të qartë dhe aktual. Fakti që Trump mund ta kthejë Korenë Veriore në listën e terrorizmit, me pak bujë burokratike dhe pa asnjë reperkusion ndërkombëtar, demonstron faktin pse lista në fjalë paraqet një sanksion të dobishëm për SHBA-në. Standardi për largimin nga kjo listë - asnjë akt i terrorizmit, apo i bashkëpunimit me grupet terroriste gjatë gjashtë muajve të fundit - është mjaft fleksibil, sa që largimi nga lista të mund të përdoret si karrem joshës diplomatik. Ngjashëm me këtë, rikthimi në listë po ashtu mund të ndodhë me lehtësi, sapo situata ta diktojë atë - sikur që është një orkestrim i mundshëm i sulmeve për vrasjen e vëllait të tij nga baba, në një aeroport të Malajzisë. Zgjidhja e problemit të Koresë Veriore kërkon një seriozitet të qëllimit dhe një nivel të disiplinës të cilin Trump ende nuk e ka demonstruar. Një politikë efikase do të përfshinte bashkëpunimin me Kinën, e jo lajkat e papërmbajtura drejtuar liderëve të Kinës. Ai bashkëpunim do të duhej të bazohej te një përkushtim afatgjatë, e jo te transaksionet herë ekzistente, e herë jo. Dhe, ndoshta më me rëndësi, ai do të kërkonte angazhime ditore jo vetëm me Kinën, por edhe me faktorët e tjerë regjionalë. Nuk ka nevojë të thuhet se, një politikë e tillë do të përfitonte nga një sekretar amerikan i shtetit, i cili është i përkushtuar për mbajtjen e profesionistëve diplomatikë me përvojë dhe nga pranimi nga ana e Trump-it dhe këshilltarëve të tij, se mbështetja e përpjekjeve mbi ato të presidentëve paraprakë, është më efikas sesa akuzimi i tyre. Fatkeqësisht, ky leksion vazhdon që të jetë i vështirë për këtë administratë.

(Christopher R. Hill aktualisht është dekan i Shkollës 'Korbel' për studime ndërkombëtare, në kuadër të Universitetit të Denverit)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot

(Kosova Sot)

14 orë e 1 minuta më parë
20/01/18
aaaaaaaa