67!

67!
  • 08 December 2017 - 07:57

SHKRUAN: RESHAT BADALLAJ ZHURIANI

Kësaj radhe kështu ma mori mendja të vë titullin e këtij opinioni, jo vetëm për t´iu rënë në sy lexuesve dhe habitur se çka është ky titull me numër, por duke menduar se do të dalë ndonjë bir nëne në këtë tokë dhe t´i trokasë Qeverisë dhe kapos së kësaj qeverie, z, Ramush Haradinajt, ose si njihet në popull RAMBO. A i kanë bërë hesapet mirë kjo kope e dalë nga stanet bjeshkëve që nuk bëjnë llogari se si mund të jetë qeveria me më shumë zv.ministra, më e madhe jo vetëm në planetin tokë, por as në planetë të tjerë deri më tani nuk ka zbuluar NASA se sa UFO janë dhe si sillen tinëzisht rreth planetit tonë, duke numëruar zv.ministrat në një Kosovë të vogël me banorë shumë më pak se një ndërtesë në NjuJork. Do të ishte mirë shumë për të mirën e popullit, amani ju qoftë, sesa më parë dikush të drejtojë në terezi këta dallkaukë që të ulen dhe të bëjnë llogari se sa kushton kjo qeveri dhe se a ia vlen barra qiranë dhe se sa do të mundoheshin njerëzit e rëndomtë ose këto para të hyjnë në përmirësimin e arsimit, spitaleve që shtretërit nuk kanë jorganë e dyshekë, që të sëmurët duhet t´i marrin në shpi me vete.

Vini gishtin kokës!

 Pastaj, të parit të qeverise, z. Ramush Haradinajt, ose si po e njohkan në popull me emrin Rambo, thonë se paska ushtruar shumë në mulli duke ngritur pesha të rënda thasë gruri e kollomoqi, se të thosha thasë misri kush e di a e kuptojnë, dhe është bërë muskalator, fjala është t´i thonë se kjo qeveri përpos që do të hyjë në librin e Ginisit, për numër rekord në botë me 67 zv.ministra, edhe për qeverinë e mbushur me dhëndurë, baxhanakë, boxhenakesha, teze e halla. Amani ju qoftë shkoni bre burra të vini në terezi, sepse unë po e kryej borxhin tim. Po i çoj fjalë me shkrim përmes gazetës më të lexuar në Ballkan, në gjuhën shqipe që quhet "KOSOVA SOT". Është për të mirën tonë, për të mirën e qytetarëve, është për të mirën e buxhetit të Kosovës, sepse në fund të fundit, këta marrin pagat nga djersa e taksapaguesve e mos e gëzofshin për jetë të jetëve! Përse këta nuk mendojnë vetëm pak, ama vetëm pak t´ia vënë gishtin kokës, se sa kushtojnë këta. Mendoni pak e mos qofshi!

Populli nuk ka kohë të merret me pallavrat tuaja

Shkarkime, emërime sipas urdhrave të pashait të madh, sipas urdhrave të minoriteteve e dreqit të mallkuar. Populli nuk ka kohë të merret me pallavrat tuaja, duke shëtitur nëpër vende të botës, duke bërë sallamadi e dyzen ahengu. Populli ju ka zgjedhur dhe jep paranë për të punuar për një jetë më të mirë të tyre dhe për interesa shtetërore dhe kombëtare...Për të mos e zgjatur më shume, uluni dhe bëni llogari dhe pazare, por jo pa hanxhiun, se nuk ka lezet fare. Amani ju qoftë, mos se u bëtë horë. Nxirrni njerëz të profileve që marrin vesh në drejtimet e tyre përkatëse dhe jo dhëndurë, baxhanekesha, halla dhe teze. Mosni o burra, se nuk jeni duke shkuar në kanagjegje. Mosni, e mos qofshi! Për këto që flas e shkruaj mbaj përgjegjësi morale, penale e juridike.

(Kosova Sot)