Në Kosovë dhe në Shqipëri duhet VETTING i thellë edhe në diplomaci - Opinione - Kosova Sot
Nė Kosovė dhe nė Shqipėri duhet VETTING i thellė edhe nė diplomaci

Nė Kosovė dhe nė Shqipėri duhet VETTING i thellė edhe nė diplomaci

SHKRUAN: SKËNDER S.KAPITI

Diplomacia është sfera më e rëndësishme e një shteti në politikën e jashtme, pasi ka të bëjë me përfaqësimin dhe me imazhin e kombit dhe të shtetit. Diplomatët duhet të jenë njerëzit më të përgatitur dhe njohës të mirë të shumë fushave dhe të kenë kapacitete intelektuale dhe njohuri e talent në aspektin politik, juridik, diplomatik dhe të historisë, gjeografisë, ligjit, fesë, institucionet, financat, zhvillimin ekonomik, si dhe për ligjet, historinë, kulturën dhe traditat e shtetit që përfaqësojnë, sikur edhe për ku ata akreditohen. Gjithashtu, së pari diplomati duhet minimalisht ta njohë mirë historinë e popullit dhe shtetit të vet të cilin ai e përfaqëson. Diplomacia është shtylla kurrizore e shtetit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Diplomati duhet të jetë i qetë, të mirëmendohet shumë para se të shprehet, të jetë i matur, të ketë aftësi profesionale, juridike, dhe intelektuale përfaqësimi, negocimi, komunikimi e prezantimi. Diplomacia është elementi thelbësor mes kombeve dhe shteteve, ajo zbaton politikën e jashtme në interes të shtetit. Diplomacia nuk është thjesht një "profesion" sa për punësim dhe sa për t'i gjetur punë "diplomacisë", por është arti për zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të shtetit. Profesioni i ambasadorit, diplomatit, është shumë i vështirë pasi kërkon përgjegjësi të lartë KOMBËTARE, përkushtim dhe përgatitje e njohuri shumëdimensionale.

Deklarata fyese

 Diplomatët, ambasadorët dhe diplomacia shqiptare vuajnë shumë nga këto se çfarë duhet dhe çfarë kërkon diplomacia, prandaj duhet edhe në diplomaci një VETTING rrënjësor dhe urgjent si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Diplomacia dhe ambasadat nuk janë dhe nuk duhet të shërbejnë si streha për injorantët e partive politike dhe as si agjenci punësimi në to me militantë injorantë, të afërmish familjarë dhe miqsh, të cilët mund të diskreditojnë shtetin. Si shembull po marrim rastin e bërë publik nga disa media për Ambasadorin e Kosovës në Britaninë e Madhe pasi sipas tyre ai është deklaruar se mëkati më i madh i shqiptarëve është konvertimi i tyre në Islam. Ambasadorët nuk janë misionarë fetarë dhe nuk duhet të shprehin preferencat, bindjet dhe interesat e veta personale dhe duhet të mbajnë përgjegjësi edhe ata të cilët i caktojnë ambasadorët që ta përfaqësojnë Kosovën dhe Shqipërinë, për individë të papërgjegjshëm, të paaftë dhe të paturp të cilët na diskreditojnë kombëtarisht. Kjo është pasqyrë edhe e vetë nivelit injorant të politikës shqiptare e ngritur dhe që funksionon me lidhje interesash të ngushta miope dhe momentale personale, partizane, klienteliste, servilizmi,korrupsioni,nepotizmi dhe fisnore mbi interesat kombëtare. Kjo deklaratë e këtij ambasadori nuk është befasi , pasi asaj i kanë paraprirë edhe disa diplomatë e diplomate të tjerë, ca media e portale me disa gazetarucë, analistë dhe "opinionistë" pseudointelektualë islamofobë me deklarata e shkrime raciste ,antishqiptare, të cilat provokojnë rëndë personalitetin dhe dinjitetin e shqiptarëve që janë shumicë e besimit Islam, deklarata e shkrime, të cilat nxisin përçarje dhe konfliktualitet. Shqiptarët myslimanë nuk kanë pse të akuzohen edhe si mëkatarë pse ata zgjedhin fenë e tyre lirshëm. Kjo deklaratë është një dhunim i lirive dhe të drejtave universale të njeriut, si liri fetare. E drejta e besimit fetar është e drejtë lirie e besimit të njeriut dhe jo mëkat e faj. Liria fetare është themeli nga burojnë të gjitha liritë dhe të drejtat e tjera njerëzore. Sot një deklaratë të tillë kaq të rëndë dhe fyese nuk e bëjnë kaq hapur as ekstremistët më të mëdhenj islamofobë.

A ka mëkat më të madh që të akuzosh për mëkat kombin tënd, 98% të shqiptarëve të Kosovës pse ata janë myslimanë?

Nuk duhet të na përfaqësojnë Kosovën e Shqipërinë individë, të cilët nuk e njohin historinë e popullit të vet, ateistë dhe ata të cilët nuk e kanë haberin as për diplomacinë, as për politikën, as për demokracinë, as për shtetin dhe as se ç'janë kombi dhe feja. Pra, ashtu si edhe drejtësia e politika, edhe diplomacia në Shqipëri dhe në Kosovë duhet t'i nënshtrohet VETTING-ut për ta pastruar edhe atë, pra, për t'i larguar nga detyrat shtetërore të gjithë të paaftët, të papërgjegjshmit dhe injorantët, të cilët nuk mund ta luajnë dhe as ta bëjnë rolin e kompetentit, të ligjzbatimit dhe të drejtimit të institucioneve të ndryshme shtetërore. Duhet t'i kujtojmë këtij ambasadori të Republikës se Kosovës, i cili na përfaqëson në Londër, se a di ai se qytetarët londinezë ia kanë besuar qeverisjen e Londrës një myslimani dhe a mos kanë bërë mëkat të madh edhe anglezët për këtë zgjedhje? Dhe nuk e di se a ka mëkat më të madh që të akuzosh për mëkat kombin tënd, 98% të shqiptarëve të Kosovës pse ata janë myslimanë? Dhe a e di ky "politikan" se në botë ka mbi 1.5 miliard myslimanë. Duhet pranuar se jo vetëm diplomacia dhe politika e jashtme, dhe politika kosovare në përgjithësi jo vetëm se është treguar e paaftë por më së shumti është treguar shumë e papërgjegjshme prej së cilës Kosovës së pavarur i janë shkaktuar dëme të mëdha politike, diplomatike, ekonomike,juridike ,kushtetuese dhe dëme të mëdha në integrimin brenda-shtetëror dhe atë për në BE.

Politika dhe diplomacia shqiptare, si ajo e Shqipërisë dhe e Kosovës, dështuan edhe në anëtarësimin e Kosovës në UNESKO

 Janë të patolerueshme dhe të pajustifikueshme aventurizmi politik i politikës kosovare, si miratimi i ngritjes së Gjykatës Speciale për hetimin e luftës së pastër dhe të drejtë të luftëtarëve të UÇK-së; miratimi i planit të Ban Ki Moon, i cili ia zgjati në mënyrë të panevojshme qëndrimin në Kosovë të UNMIK-ut; dialogun e Brukselit etj. Dhe të gjitha këto i kanë shërbyer vetëm politikës servile e të përlyer,të paaftë, karrieriste, politikës së interesave personale të politikanëve shqiptarë prej së cilës ka përfituar vetëm politika e Beogradit për ta penguar forcimin dhe konsolidimin e Pavarësisë dhe të Shtetit ligjor Republikës së Kosovës. Dhe nuk duhet përjashtuar këtu as politika dhe diplomacia e Tiranës, e cila nuk mund të justifikohet me qëndrimet e saj "indiferente" ndaj Kosovës, duke mos e ndihmuar dhe as përkrahur atë, por vetëm me disa deklarata sipërfaqësore sa për të kaluar radhën, siç ka bërë gjithmonë ajo, pa harruar këtu politikën e Tiranës edhe për rëndësinë e madhe që kanë për të përmirësimi dhe zhvillimi i marrëdhënieve të mira me Beogradin duke bërë promovime,takime dhe marrëveshje edhe në dëm të Kosovës. Politika dhe diplomacia shqiptare si ajo e Shqipërisë dhe e Kosovës dështuan edhe në anëtarësimin e Kosovës në UNESKO një vit më parë, ashtu sikurse ku vetëm falë paturpësisë , "neglizhencës" dhe mospjesëmarrjes në votim në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës i deputetes nga Shqipëria dhe asaj shqiptare nga Maqedonia u bë i mundur miratimi nga KiE i 4 propozimamendamenteve të Serbisë kundër Kosovës, gjë e cila pothuajse e kthen Kosovën në statusin e saj të para Pavarësisë. Pra, shikoni se edhe në këtë rast se çfarë neglizhimi dhe inferioriteti antikombëtar ka treguar e dëshmuar diplomacia dhe politika e dështuar e Tiranës dhe ajo e Kosovës ndaj ofensivës së asaj të Serbisë mbi shpatullat e së cilës rëndojnë krimet dhe gjenocidi i tmerrshëm kundër shqiptarëve të Kosovës. Dhe aspak më të mirë, pasi ashtu si politikën e jashtme dhe politikën në tërësi nuk i ka as Shqipëria diplomatët dhe ambasadorët e saj, as Shqipëria e cila ka 105 vjet shtet, ku më keq akoma pasi në shumë raste në ambasadat e saj janë ekspozuar ndodhi skandaloze korrupsioni, trafikimi droge dhe si agjenci allishverishi biznesi privat, shitjeje e trafikimi vizash. Përfaqësitë diplomatike janë mbushur me individë me lidhje farefisnore e nepotike dhe janë interesuar vetëm për të rregulluar e punësuar të afërmit e tyre në shtetin ku ata përfaqësojnë dhe deri edhe në parapërgatitjen e tyre që me përfundimin apo largimin e tyre si ambasadorë ta kenë siguruar vendqëndrimin e tyre dhe të familjarëve të tyre jashtë Shqipërisë. Ky është pak a shumë në përgjithësi "misioni" që kryejnë ambasadorët tanë të dështuar, ashtu sikurse edhe politikanët dhe pushtetarët e lartë të shtetit, të cilët i dërgojnë fëmijët e tyre për t'i shkolluar jashtë shtetit, paratë e vjedhura e të siguruara nga korrupsioni dhe krimi i organizuar i depozitojnë po jashtë vendit dhe në parajsat fiskale nëpër botë. Pra, a nuk i duhet bërë edhe diplomacisë ashtu si edhe vetë politikës, pushtetit, drejtësisë dhe administratës së shtetit, edhe asaj një VETTING të thellë e të gjerë?

(Kosova Sot)

14 orë e 51 minuta më parë
22/01/18
aaaaaaaa