Vendimi i Trump-it nuk është diplomaci, por prostitucion

Vendimi i Trump-it nuk është diplomaci, por prostitucion
  • 11 December 2017 - 09:45

Shkruan: Fareed Zakaria

Me vendimin e tij rreth zhvendosjes së ambasadës amerikane në Jerusalem, presidenti Trump bëri diçka të pakuptueshme për dikë që pretendon të jetë i zoti në arritjen e marrëveshjeve. Ai bëri një lëshim të madh, paraprak, ndaj njërës palë në një proces të komplikuar të negociatave, pa marrë asgjë në këmbim. Nëse kjo është mënyra e tij e veprimit, atëherë nuk është për t'u habitur pse kaq shumë ish-kolegë të tij mendojnë se ai, në fakt, nuk është ndonjë biznesmen kushedi sa i suksesshëm. Jerusalemi është kryeqytet i Izraelit dhe do të mbetet i tillë. Nuk jam dikush që i mohon faktet. Por, arsyeja pse 86 vendet të cilat kanë ambasada në Izrael, deri më tani i kanë mbajtur ato në Tel- Aviv, ka të bëjë me faktin se Jerusalemi është pjesë integrale e zgjidhjes finale midis izraelitëve dhe palestinezëve. Edhe palestinezët e duan këtë qytet të jetë kryeqyteti i tyre. Në të gjenden vende të shenjta për të tri religjionet Abrahamike të botës.

Ka mënyra për ta zgjidhur problemin e Jerusalemit

Ky qytet përmban një popullsi të madhe arabe e cila, përkundër dekadave të tëra të kolonizimit çifut, përbën më shumë se një të tretën e numrit të përgjithshëm të banorëve. Për këtë shkak, statusi formal i Jerusalemit gjithmonë është parë, si nga republikanët dhe demokratët, po ashtu edhe nga evropianët dhe aziatikët, si çështje që duhet të zgjidhet me anë të marrëveshjes së përgjithshme paqësore midis Izraelit dhe Palestinës. Sikur ky veprim të ishte pjesë e një plani më të madh strategjik, atëherë kjo do të ishte gjë tjetër. Në atë rast, deklarata e Trump-it do të bëhej me kujdes, e shoqëruar me ndryshime serioze politike nga Izraeli, apo do të ishte pjesë e një serie masash për t'i siguruar të dyja palët. Në vend të kësaj, duket se ky vendim është marrë në një masë të madhe për t'i kënaqur elementet themelore të bazës së Trump-it në vend - të krishterët evangjelistë dhe donatorët pro izraelitë. Aspekti i vetëm strategjik duket të jetë entuziazmi i bazës së Partisë republikane para garës së Roy Moore'-it për senator në Alabama. Kjo nuk është diplomaci, por prostitucion. Ka mënyra për ta zgjidhur problemin e Jerusalemit, sikur psh të shtohen disa lagje në pjesën lindore të qytetit, duke i lejuar palestinezët që t'i pretendojnë ato për kryeqytet të tyre. Deklarata e Trump-it nuk e përjashton në mënyrë specifike këtë mundësi, gjë që e bën vendimin e tij edhe më të pakuptimtë. Ky veprim në fakt arrin pak në terren, derisa ofendon me miliona palestinezë, me qindra miliona arabë dhe opinionin publik thuajse kudo. Kur Kina, aleatët evropianë, papa dhe mbretërit e Arabisë saudite dhe Jordanisë, që të gjithë këta kundërshtojnë zëshëm këtë veprim, atëherë ia vlen që të analizohet mençuria e ndërmarrjes së tij.

Rritja e polarizimit

Zhvendosja potenciale e ambasadës amerikane në Jerusalem, gjithmonë ka qenë gjest simbolik, i dizajnuar më shumë për t'ua bërë qejfin amerikanëve, sesa për ta çuar përpara paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme. Shkencëtari izraelit Yoav Fromer, thekson se, në vitin 1995, derisa Bob Dole ishte duke planifikuar kampanjën e tij për ta sfiduar Bill Clinton-in për postin e presidentit, ai donte ta paraqiste veten si një pro-izraelit të zjarrtë. E kaluara e tij nuk e demonstronte një gjë të tillë, prandaj ai vendosi për një veprim simbolik. Kështu lindi ligji i cili kërkon nga SHBA-ja që ta zhvendosë ambasadën e saj, edhe pse më pas ky ligj u ndalua së zbatuari çdo gjashtë muaj, nga secili president, meqë nuk dëshironin të hiqnin dorë nga një aset, i cili do të mund ta kishte rolin kyç në negociatat për arritjen e një zgjidhjeje paqë- sore. Derisa shumë njerëz kanë parashikuar dhunë në Lindjen e Mesme, ka të ngjarë që kjo dhunë të përmbahet. Izraeli tani është superfuqi regjionale dhe fqinjët e tij e dinë një gjë të tillë. Ai po ashtu mban nën kontroll të rreptë territoret palestineze, me anë të një rrjeti të pengesave, pikave të kontrollit dhe operacioneve të inteligjencës. Për shumicën e izraelitëve, terrorizmi më nuk ekziston si problem. Ekziston rreziku që ky vendim vetëm sa e rritë dëshpërimin e palestinezëve, të cilët tanimë janë të dobët, të përçarë dhe jofunksionalë. Ata kurrë nuk kanë pasur liderë të mirë, por tani thuajse nuk kanë fare liderë. Ata jetojnë në rrethana thuajse unike në botën moderne: nuk janë shtetas të asnjë shteti dhe nuk kanë shtet të vetin. Ndërkohë, Izraeli do të vazhdojë që të përparojë në aspektin ekonomik dhe ta ruajë karakterin e tij demokratik, por me një vërejtje të madhe: ai do të sundojë tokat ku miliona njerëz nuk kanë të drejta të plota politike. Ky kancer në zemër të sistemit demokratik dhe kulturës së Izraelit, do të mbetet dhe mund të intensifikohet, derisa të rritet numri i arabëve të Izraelit. Do të kemi një Izrael i cili duket si Zvicra, i rrethuar nga një Palestinë e cila duket sikur Bangladeshi. Ka mundësi që, në një moment, kjo pabarazi e të ardhurave, statusit dhe të drejtave politike, të çojë deri te një lloj shpërthimi. Ajo pa dyshim do ta çojë, në një moment, këtë pabarazi në të ardhura, në të drejta sociale dhe politike, do ta shkaktojë njëfarë lloji të shpërthimit. Kjo me gjasë do të çojë deri te një rritje e polarizimit dhe mospajtimeve. Dhe, veprimi i Amerikës këtë javë, do t'i ketë thelluar përçarjet dhe përkeqësuar tensionet.

(Kosova Sot)