Pabarazia në shekullin XXI

Pabarazia në shekullin XXI
  • 19 December 2017 - 10:56

Shkruan: Kaushik Basu 

NIVEL ALARMUES

Një hap i parë do të ishte që t'u ndanim të gjithë banorëve të një vendi të drejtën që ta kishin një hise të caktuar nga fitimet ekonomike

Derisa bota kalon nga njëra krizë te tjetra, dhe pabarazia vazhdon të thellohet, ne nuk e kemi luksin që të mbajmë status-quo-në. Nëse nuk ballafaqohemi me pabarazinë, atëherë sfida vijon, duke rrezikuar gjithnjë e më shumë kohezionin social dhe vetë demokracinë

Në fund të një viti të pandershëm e të keq, që na kujton "dekadën e keqe e të pandershme" për të cilën W.H. Auden shkroi poemën e tij "September 1, 1939", "shpresat e mençura" të botës po i lëshojnë rrugë pranimit të problemeve të rënda që duhen përballur. Dhe, mesin e problemeve më të rëndave, me implikime afatgjata dhe ekzistenciale, është ai i pabarazisë ekonomike. Niveli alarmues i pabarazisë ekonomike globalisht është dokumentuar mirë nga ekonomistë të njohur, përfshirë Thomas Piketty-n, François Bourguignon, Branko Milanoviqin, dhe Joseph E. Stiglitzin, si dhe nga institucione të mirënjohura, përfshirë OXFAM-in dhe Bankën Botërore. Dhe është e qartë edhe nga shëtitë e rastit përmes rrugëve të Nju- Jorkut, Nju- Delhit, Pekinit apo Berlinit. Zërat nga e djathta shpesh thonë që kjo pabarazi jo që është e justifikueshme, por po ashtu edhe e përshtatshme: pasuria është një shpërblim i drejtë për një punë të madhe, ndërsa varfëria është një ndëshkim i merituar për dembelinë. Ky është një mit. Realiteti është që të varfrit, shumë shpesh, duhet të punojnë tepër shumë, e madje edhe në kushte mjaft të zorshme, thjesht që të mbijetojnë. Për më tepër, nëse një person i pasur ka një etikë veçanërisht të fortë të punës, kjo mund t'i atribuohet jo vetëm predispozitave të tij gjenetike, por po ashtu edhe edukimit, përfshirë gjithë ato privilegje, vlera dhe mundësi që ka pasur. Prandaj, nuk ka ndonjë argument moral të vërtetë për pasurinë e tepërt mes një varfërie tepër të përhapur.

Disa pasanikë amerikanë e kundërshtojnë legjislacionin e taksave

Kjo nuk dmth se nuk ka justifikim për çfarëdo sasie të pabarazisë. Në fund të fundit, pabarazia mund të reflektojë dallueshmëritë në preferenca: disa njerëz mund ta vlerësojnë pasurinë materiale më shumë se disa të tjerë. Për më tepër, shpërblimet e ndryshme vërtetë stimulojë njerëzit që të punojnë, mësojnë dhe të bëjnë shpikje, aktivitete këto që promovojnë rritje të përgjithshme dhe zvogëlim të varfërisë. Por, në një pikë të caktuar, pabarazia bëhet aq e rëndë sa që ka një efekt të kundërt. Dhe, ne moti e kemi kaluar atë pikë. Shumë njerëz - përfshirë edhe një pjesë të madhe të pasanikëve - e pranojnë sesa e papranueshme është pabarazia, si moralisht, po ashtu edhe ekonomikisht. Por, kur të pasurit flasin kundër kësaj, atyre iu mbyllet goja dhe etiketohen si hipokritë. Është evidente se dëshira për ta zvogëluar pabarazinë mund të konsiderohet e sinqertë vetëm nëse sakrifikohet pasuria vetjake. E vërteta, natyrisht, është që vendimi për të mos hequr dorë nga pasuria, nuk e diskrediton preferencën për një shoqëri më të barabartë. Që ta etiketosh si hipokrit një kritik të pasur të pabarazisë ekstreme, nënkupton të bësh një sulm ad hominem dhe një gabim logjik, që ka për qëllim të heshtë ata zëra që mund të sjellin ndryshim në këtë aspekt. Fatmirësisht, kjo taktikë duket se e ka humbur një pjesë të fuqisë së saj. Është inkurajuese të shohësh individë pasanikë tek iu kundërvihen këtyre sulmeve, jo vetëm duke e pranuar hapur dëmin ekonomik dhe social që shkaktohet nga pabarazia e skajshme, por po ashtu duke e kritikuar atë sistem që, megjithëse ua mundësoi atyre që të pasuroheshin, i la shumë të tjerë pa ndonjë mundësie. Në veçanti, disa pasanikë amerikanë e kundërshtojnë legjislacionin e taksave që është propozuar nga kongresmenët republikanë dhe nga administrata e presidentit Donald Trump, i cili ofron shkurtime të mëdha për pasanikët - të tjerët si ata. Siç thotë Jack Bogle, themeluesi i "Vanguard Group" dhe njëfarë përfituesi nga këto shkurtimeve, plani - i cili veç sa do ta përkeqë- sojë edhe më shumë pabarazinë - është një gjë e neveritshme". Megjithatë, pranimi i mangësive të strukturave aktuale është veç fillimi. Një sfidë më e madhe është të krijojmë projekte të zbatueshme për një shoqëri më të barabartë. Mungesa e projekteve të tilla ka ndikuar që shumë lëvizje qëllimmira në histori të përfundojnë në dështime të mëdha. Në këtë rast, fokusi duhet të jetë në zgjerimin e rregullimeve shpërndarëse të parasë, pa mbytur ose centralizuar stimujt e tregut të cilët janë kyç për të krijuar një rritje ekonomike.

Është koha për ndryshime radikale

Një hap i parë do të ishte që t'iu ndanim të gjithë banorëve të një vendi të drejtën që ta kishin një hise të caktuar nga fitimet ekonomike. Kjo ide është proklamuar në forma të ndryshme nga Marty Weitzman, Hillel Steiner, Richard Freeman, dhe, muajin e kaluar edhe nga Matt Brueing. Por kjo gjë është veçanërisht vitale tani, derisa përqindja e rrogave në të ardhurat kombëtare është duke rënë dhe shpërndarja e profiteve dhe qirave rritet - një trend të cilin po e përshpejton progresi teknologjik. Ekziston edhe një tjetër dimension i shpërndarjes së fitimeve që ka marrë më pak vëmendje, që ka të bëjë me monopolet dhe konkurrencën. Me teknologjinë moderne digjitale, fitimet janë aq të mëdha, sa që më nuk ka kuptim të kërkojmë, psh, që 1000 kompani të prodhojnë versionin e njëjtë të të njëjtit mall, ku secila prej tyre plotëson një të njëmijtën pjesë të kërkesës. Një përpjekje më efikase do të nënkuptonte 1000 kompani, ku secila prej tyre do të prodhonte një pjesë të atij produkti. Kështu që, kur vjen puna te automjetet, për shembull, një firmë do të prodhonte marshet, tjetra do të prodhonte pedalet e frenave e kështu me radhë. Legjislacioni tradicional antitrust dhe pro konkurrencës - që filloi në vitin 1890 në SHBA me Aktin Sherman - pengon një sistem të tillë që të hipë në fuqi. Por, një monopolizim i prodhimit nuk nënkupton një monopol të të ardhurave, përderisa hiset në secilën kompani janë gjerësisht të mbajtura. Prandaj, është koha për ndryshime radikale, që i zëvendësojnë ligjet tradicionale anti-monopol me legjislacionin që mandaton një shpërndarje më të madhe të aksioneve brenda secilës kompani. Këto ide nuk janë thuajse aspak të testuara. Shumë punë duhet bërë para se të bëhen operacionale. Por, derisa bota kalon nga njëra krizë te tjetra, dhe pabarazia vazhdon të thellohet, ne nuk e kemi luksin që të mbajmë status- quo-në. Nëse nuk ballafaqohemi me pabarazinë, atëherë sfida vijon, duke rrezikuar gjithnjë e më shumë kohezionin social dhe vetë demokracinë. 

(Kaushik Basu është profesor i ekonomisë në Universitetin Cornell dhe bashkëpunëtor i Institutit "Brookings") Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)