Kush po i "përzien letrat" në Ballkan?

Kush po i
  • 23 December 2017 - 07:47

SHKRUAN: PROF.DR.MEHDI HYSENI

Këtë pyetje e imponon deklarata e Johannes Hahn (Komisioner për Zgjerimin e Bashkimit Evropian) e pohuar në një takim zyrtar me ministrin e Jashtëm grek Nikos Kotzias, bërë në Athinë, më 16 dhjetor 2017, se "BE-ja nuk do t'i pranojë në gjirin e saj vendet të cilat kanë problem të pazgjidhura me fqinjët e tyre. Ne nuk dëshirojmë një gjë të tillë. Ky është një leksion nga e kaluara." Ky konstatim i Komisionerit të BEsë, Johannes Hahn, është plotësisht i pranueshëm dhe i qëndrueshëm, sepse, siç është shprehur me plot të drejtë, historia e derisotme ka provuar se vendet ballkanike kanë shumë probleme të pazgjidhura ndërfqinjësore (në veçanti problem territoriale) siç është ndër të parat Serbia, Mali i Zi, Greqia, Bullgaria, Bosnja dhe Hercegovina, të cilat, që nga Kongresi i Berlinit (1878), Konferenca e Paqes e Parisit (1919-1920, Konferenca e Ambasadorëve të Londrës (1912- 1913) kanë copëtuar territoret e Shqipërisë Etnike, me ç'rast Serbia me terror dhe me gjenocid, duke pushtuar dhe kolonizuar posaçërisht territoret autoktone shqiptare, zgjeroi territorin e saj, jo më pak se "81 për qind". Pra, ky është argument historik, gjeopolitik dhe juridik, që e justifikon Deklaratën e z. Johannes Hahn, se Serbia, në asnjë formë nuk duhet pranuar në kuadrin e anëtarëve të BE-së, sepse, në radhë parë ka probleme të pazgjidhura territoriale e me Shqipërinë. Pastaj me Kroacinë, me Bosnjë Hercegovinën, me Hungarinë, si dhe me Bullgarinë. Ky problem territorial ndërshtetëror mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, edhe sot, në shekullin XXI ka ngelur i pazgjidhur mbase mbi "80 për qind" u përket shqiptarëve dhe Shqipërisë Etnike. Prandaj, BE-ja assesi nuk do të duhej ta pranonte Malin e Zi në radhët e saj, derisa Podgorica ta zgjidhte këtë konflikt territorial me Tiranën.

Problemet e pazgjidhura territoriale

Problem numër 3 për BE-në është Greqia, edhe pse kjo me pa të drejtë është anëtare e BE-së, sepse nuk i plotë- son kushtet dhe standardet themelore të BE-së ngase ende ka të pazgjidhur problemin territorial me Shqipërinë (Epiri dhe Çamëria). Problem numër 4 për BE-në është Maqedonia e Titos (1945-2017), e cila, në saje të politikës kolonialiste serbojugosllave ka pushtuar mbi "75 për qind" të territorit indigjen shqiptar, i cili nuk është territor maqedonas, bullgar e as grek, por vetëm i shqiptarëve autoktonë dhe i Shqipërisë Etnike. Problem numër 5 për BE-në është edhe Shqipëria londineze (1913), sepse nuk ka zgjidhur problemet territoriale me Greqinë, me Malin e Zi, me Serbinë dhe me Maqedoninë, edhe pse të të gjitha këto vende fqinje i ka njohur dhe rinjohur, edhe në vitet e 90-ta të shekullit XX. Kjo nuk nënkupton se Shqipëria tanimë nuk ka asnjë problem territorial me këto shtete kolonialiste dhe neokolonialiste sllave të Ballkanit. Përkundrazi, megjithëkëtë, ende ka ngelur i pazgjidhur problemi kolonial i shqiptarëve dhe i Shqipërisë Etnike në Ballkan. Ndaj, për integrimin, për bashkëpunimin, për stabilitetin, për sigurinë dhe për paqen e BE-së, do të ishte me rrezik të madh dhe me pasoja të paparashikuara pranimi i këtyre vendeve ballkanike në strukturën e Bashkimit Evropian (BE). Prandaj, u pëlqeu, nuk u pëlqeu Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Shqipërisë dhe Greqisë (e cila patjetër, duhet të përjashtohet nga BE-ja derisa të mos e njohë pavarësinë e Çamërisë dhe të drejtën e vetëvendosjes së shqiptarëve çamë të rikthehen në tokat dhe në shtëpitë e tyre stërgjyshore pellazgo-ilire-shqiptare), Bashkimi Evropian, do të duhej t'ua mbyllte dyert për integrim, ashtu siç ka deklaruar Komisioneri Johannes Hahn.

Bashkimi Evropian, me asnjë çmim, nuk duhet ta integrojë Serbinë në radhët e saj

Së fundi, ashtu siç kemi pohuar me qindra herë, pa organizimin dhe mbajtjen e një Konference a Kongresi ndërkombëtar për Ballkanin, me qëllim të ridefinimit dhe të rishqyrtimit të kufijve gjeopolitikë dhe historikë të vendeve të sipërtheksuara, nuk do të ketë kurrfarë efekti politik, ekonomik, diplomatik dhe demokratik e paqësor, grupimi i tyre, edhe në "Ballkanin Perëndimor", do të ishte edhe një problem më shumë për BE-në, ashtu siç është edhe problemi i madh i BE-së me emigrantët afro-aziatikë, që e kanë vërshuar Evropën. Për më tepër, Deklaratën e Komisionerit Johaness Hahn, para së gjithash, dhe me seriozitetin më të madh, duhet ta marrë BE-ja. Ndryshe, pranimi eventual i këtyre shteteve sllave ballkanike (Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia) në BE, do të thotë BALLAKNIZIMIN SLLAV të EVROPËS PERËNDIMORE gjë që kjo, do të thoshte ringjalljen e aspiratave të Platformës me përmbajtje nacionalshoviniste , etnocentriste, hegjemoniste, militariste dhe kolonialiste për krijimin e një Perandorie të të gjithë sllavëve në Evropën Juglindore, duke përfshirë edhe tërë Ballkanin. Nuk ka asnjë dilemë se një strategji të tillë, "të gjithë sllavët në një shtet të madh sllav" shkaktoi edhe Luftën e Parë Botërore (1914) për shkak të vrasjes së Archduke Franz Ferdinand në Sarajevë, më 28 qershor 1914 nga Gavrilo Princip, pjesëtar i një organizate terroriste serbe "Dora e Zezë" me "kokë dhe me bisht" në Beograd të Serbisë. Pas këtij akti terrorist, ku tjetër veç në Beograd, shpërfaqet reagimi zyrtar i një organizate nacionaliste e ashtuquajtur "Narodna Odbrana" (1908), duke reaguar se akti terrorist i Gavrilo Principit, "është ideali ynë kombëtar"(!) Këtë ideologji terroriste të Platformës së kësaj organizate famëkeqe çetnike serbomadhe e pasqyrojnë edhe këto NENE të saj : 1. "Neni 1. Organizata është krijuar me synim të realizimit të idealit nacional-Bashkimin e të gjithë serbëve. Të të gjithë serbëve… dhe të të gjithë atyre, që sinqerisht dhe në mënyrë të devotshme e mbështesin këtë kauzë. Ata mund të jenë edhe anëtarë të saj…; 2. Neni 3. Kjo organizatë ka emrin' Bashkim a Vdekje'…; 3. Neni 4. Për të realizuar këtë qëllim, organizata… vepron dhe organizon akte me karakter revolucionar në të gjitha territoret e banuara me serbë." Nga një ideologji dhe politikë e këtillë nacionaliste, ekspansioniste dhe kolonialiste e fillim shekullit XX (1914), edhe sot udhëhiqet politika dhe diplomacia zyrtare e Beogradit, e cila realizimin e saj e mbështet te politika, diplomacia dhe ndihma konkrete ekonomike, tregtare dhe ushtarake e Moskës. Këtë e dëshmojnë edhe kërkesat dhe kushtëzimet e panumërta të Serbisë drejtuar BE-së, duke e shantazhuar me përzierjen në çështje të brendshme të Kosovës dhe të Bosnjë-Hercegovinës, me qëllim të fundit, që këto t'ia bashkëngjitë Serbisë së Madhe. Mirëpo, Bashkimi Evropian (BE) me asnjë çmim, nuk duhet ta integrojë Serbinë në radhët e saj, sepse kjo së bashku me Moskën po synojnë ricopë- timin dhe ndarjen e Evropës dhe të Ballkanit sipas sferave të interesit të konglomeratit sllav, sikurse në shekullin XIX dhe XX.

(Kosova Sot)