Një Brexit fals, apo kurrfarë - Opinione - Kosova Sot
Një Brexit fals, apo kurrfarë

Një Brexit fals, apo kurrfarë

Shkruan: Anatole Kaletsky

Që nga referendumi Brexit i vitit të kaluar, Britania ka ngjarë me një vetëvrasës, i cili kërcen nga një ndërtesë 100-katëshe dhe, derisa është duke rënë në tokë, bërtet "deri këtu, shumë mirë". Ky krahasim nuk është i drejtë për vetëvrasësit. Porosia e vërtetë politike dhe ekonomike sot është "deri këtu, shumë keq". "Marrëveshja" për të filluar negociatat për një marrëdhënie "post-Brexit", e bërë publike në samitin e BE-së më 15 dhjetor, e pasuar nga kapitullimi i kryeministres Theresa May ndaj të gjitha kërkesave, të bëra nga liderët evropianë: 50 miliardë euro të kontributeve buxhetore, juridiksioni i Gjykatës evropiane mbi të drejtat e shtetasve të BE-së në Britani dhe një kufi përherë i hapur ndaj Irlandës. Lëshimi i fundit pati efektin ndryshues. Kufiri i hapur në Irlandë detyroi kryeministren May që të heqë dorë nga premtimi i saj "i rimarrjes së kontrollit" nga BE-ja dhe korniza e saj rregulluese, sikur që konfirmohet në komunikatën e samitit: "Në mungesë së zgjidhjeve të dakorduara, Britania do të mbetet në tërësi e rreshtuar ndaj atyre rregullave të Tregut të përbashkët dhe të Unionit doganor të cilat, tani apo në të ardhmen, mbështesin bashkëpunimin veri-jug".

Veprimi i pamatur i May

Rezultat i këtij lëshimi kyç në lidhje me Irlandën është se, të dy skenarët rëndom të propozuar për raportin e Britanisë me BE-në, tani mund të anulohen. Në mungesë të një shumice parlamentare për ta revokuar marrëveshjen, një "Brexit i vështirë", sipas të cilit Britania çlirohet nga rregullat e BE-së dhe tregton thjesht në bazë të rregullave të Organizatës botërore të tregtisë, më nuk është i mundshëm. Dhe, një "Brexit i butë" i cili tenton të mbajë përfitimet tregtare nga të qenit anëtar i BE-së, pa i marrë përsipër obligimet politike, po aq është i pamundur, meqë liderët evropianë refuzojnë çdo zgjidhje të tillë 'nazelie' dhe tani ata janë në një pozitë që mund t'i diktojnë Britanisë. Nëse përjashtohen si Brexiti i fortë, po ashtu edhe ai i butë, atëherë çfarë opsionesh tjera na mbesin? Ai që duket evident ka të bëjë me njëfarë anëtarësimi "të pjesshëm" në BE, ngjashëm me Norvegjinë. Britania do të mbante shumë nga privilegjet e saj aktuale tregtare, në këmbim të respektimit të rregullave të BE-së, duke përfshirë edhe lëvizjen e lirë të punës, pagimin e kontributeve ndaj BE-së dhe pranimin e juridiksionit të ligjit të BE-së. Derisa May me një veprim të pamatur refuzoi që të tri këto kushte më herët, gjatë vitit, rezultati i mundshëm i negociatave Brexit do të jetë anulimi i të gjitha "vijave të kuqe" të saj. Derisa bizneset, investitorët dhe ekonomistët do ta mirëprisnin një "Brexit fals", të stilit norvegjez, ai do ta kishte një kosto të madhe politike. Britania po ashtu do të duhej t'iu nënshtrohej ligjeve të BE-së, rregullave, si dhe vendimeve gjyqësore, ndaj të cilave më nuk do të ketë asnjë ndikim. Në vend të 'bërësit të rregullave', Britania do të bëhej 'marrëse e rregullave', apo sipas gjuhës emocionale, të përshtatur së fundmi nga ithtarët e Brexitit, Britania do të reduktohej nga një fuqi imperialiste në një "shtet vasal", apo "koloni" të BE-së. Ky status "i marrësit të rregullave" është diçka që Britania ka kërkuar për një periudhë kalimtare prej dy vjetësh, duke filluar nga prilli i vitit 2019. Thënë të vërtetën, thuajse nuk ka asnjë gjasë që Britania ta arrijë një "partneritet të thellë dhe të veçantë" të cilin e ka premtuar May. Thjesht nuk mund të merret me mend që liderët evropianë t'ia ofrojnë industrisë britanike të shërbimeve qasjen në tregun e përbashkët të BE-së, pa vënë kushte legale dhe buxhetore, të pranuara nga Norvegjia dhe Zvicra. Çka, atëherë, do të ndodhë në fund të periudhës së tranzicionit, në prill të vitit 2021? Përgjigja e vetme e besueshme, është një tranzicion shtesë, nëse dëshirohet të evitohet një çarje shkatërruese ekonomike në rregullat tregtare para zgjedhjeve të përgjithshme të Britanisë, të cilat pritet të mbahen në vitin 2022. Dhe, duke supozuar që tranzicioni të zgjatet nga viti 2021 deri, të themi, në vitin 2023, atëherë a ka të ngjarë për shtyrje të tjera, duke u shndërruar në një kuazi marrëveshje të përhershme? Edhe raporti i Norvegjisë me BE-në, me anë të Zonës ekonomike evropiane, po ashtu ishte dizajnuar si tranzicion i shkurtër, por tani ka 24 vjet që zgjatë. Ky skenar ala "Hotel California", në të cilin "mund të dilni kur të doni, por kurrë nuk mund të largoheni", në fund do t'i zemërojë si mbështetësit, po ashtu edhe refuzuesit e Brexitit. Por, cilat janë opsionet e tjera?

Një Brexit i rremë nuk është i pranueshëm për askënd

 Nëse një Brexit i vështirë nuk është ekonomikisht i pranueshëm për bizneset dhe Parlamentin britanik, atëherë një Brexit i butë është politikisht i papranueshëm për liderët e BE-së. Një Brexit i rremë nuk është i pranueshëm për askënd, gjë që len vetëm një opsion: pa Brexit fare. Ende është tërësisht e mundshme që të hiqet dorë nga Brexiti, duke revokuar njoftimin britanik për dalje, sipas nenit 50 të Marrëveshjes së BE-së. Ky vendim duhet të merret nga Parlamenti para afatit të fundit të marrëveshjes, 29 mars, 2019 dhe, me gjasë, do të duhet të ratifikohet nga një referendum tjetër. Një rrethanë e domosdoshme për këtë skenar, do të jetë rënia e qeverisë May, ndoshta të shkaktuar nga një revoltë e Brexiterëve kundër "shtetit vasal" të imponuar nga BE-ja gjatë periudhës së tranzicionit. Në këto rrethana, mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme sipas të gjitha gjasave do të rezultonte me një koalicion të kryesuar nga laburistët, të bazuar te premtimi i "rimendimit" të Brexitit. Ky edhe ishte skenari i sugjeruar muajin e kaluar nga njëri prej besnikëve të paktë, të mbetur, të May'it, sekretari i shëndetësisë, Jeremy Hunt, i cili u bë konservatori i parë i lartë që pranoi publikisht se Brexiti mund të mos kishte ndodhur kurrë, sikur euroskeptikët e zellshëm të ishin ngritur kundër May-it. Tani për tani, rreziku nga një qeveri laburiste ka mjaftuar për t'i frikësuar të zellshmit e Brexitit. Derisa ata e shohin këtë qorrsokak logjik, ata mund të vendosin që ta rrëzojnë Mayin dhe të rrezikojnë mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme, më mirë sesa të bashkëpunojnë në shndërrimin e Britanisë në një shtet vasal. Vetëvrasësi që ka kërcyer ende është duke rënë dhe, derisa t'i afrohet tokës, nuk do ta dimë a është i lidhur me ndonjë litar.

(Anatole Kaletsky është ekonomisti kryesor dhe bashkë-kryesues i "Gavekal Dragonomics" dhe autor i librit "Capitalism 4.0, The Birth of a New Economy")

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)

4 orë e 54 minuta më parë
25/06/18