Raundi i fundit i Bazelit? - Opinione - Kosova Sot
Raundi i fundit i Bazelit?

Raundi i fundit i Bazelit?

Shkruan: Howard Davies

PAKOJA QË FINALIZON REFORMAT

Bankierët favorizonin një marrëveshje dhe do të jetojnë me pasojat e saj

Bankierët theksojnë koston e lartë të ekuiteteve dhe thonë se, detyrimi i bankave për t'i ngritur ato edhe më shumë, do ta rritë koston dhe do ta zvogëlojë disponueshmërinë e kredive. Në Evropë, rreth gjysma e përmirësimit në normat kapitale ka ardhur nga zvogëlimi i huadhënies, sesa nga ngritja e ekuiteteve të reja. Ka pak mendime të përbashkëta midis këtyre dy kampeve

Pas negociatave të gjata, e ndonjëherë edhe të dhembshme, të cilat testuan marrëdhëniet personale midis bankierëve qendrorë dhe rregullatorëve të shumë shteteve, Komiteti i Bazelit "çeli" një vezë të shumëpritur në dhjetor. E përshkruar si pako e cila finalizon reformat e pas vitit 2008 ndaj regjimit global për kapital botëror, ajo i jep fund procesit të njohur si "Bazel 3". Bankierët e kanë emërtuar këtë rezultat si "Bazel 4", duke thënë se pakoja finale përmban shumë kërkesa të reja dhe më të rënda. Por, Komiteti është i vendosur se rregullat e reja duhet të shihen si pjesë e programit të reformës, i cili filloi në vitin 2009, pas krizës financiare globale. Ata insistojnë se "Bazel 4" mund të vijë një ditë, por ky nuk është ai. Çfarë problemi kërkon ta zgjedhë pakoja e re? Në preambulë, rregullatorët i referohen një "shkalle shqetësuese të variabilitetit në llogaritjet bankare të aseteve të rrezikshme". Ata kanë gjetur se, aplikimi i modeleve të ndryshme të brendshme nga bankat e mëdha, për portofolin e njëjtë të huave, mund të japë rezultate shumë të ndryshme, gjë që dmth se disa banka do të bartin një sasi konsiderueshëm më të vogël të kapitalit, sesa të tjerat, për sasinë e njëjtë të rrezikut të supozuar.

Vazhdimi i pasigurisë

Do të mund të mendohej se, përgjigja logjike ndaj këtij problemi, ka të bëjë me analizimin e modeleve më për së afërmi, për të parë se çka shkakton ndryshimet dhe me kërkimin e ndryshimit të kalibrimit aty ju asetet rezultuese vlerësohen si të tepërta. Por, është e qartë që rregullatorët dyshojnë te kapaciteti i tyre për të depërtuar në 'qilarët e errët' të modeleve të brendshme të bankave; prandaj, në vend të kësaj, ata kanë imponuar një, të ashtuquajtur, "kat të prodhimit". Me fjalë të tjera, pa marrë parasysh sa shumë modeli juaj zvogëlon asetet e ponderuara, ju nuk mund të merrni kredi për më shumë se një shumë prej 27.5%. "Kati i prodhimit" shprehet si figurë neto, prej 72.5%, nën të cilën nuk mund të shkoni. Pse është marrë mu kjo shifër jo e rëndomtë, prej 72.5%? Përgjigja është evidente. Ajo paraqet mesataren midis 75%, sa ishte oferta finale e SHBA-së dhe 70%, sa ishte oferta franceze. Ata u pajtuan t'i binin në mes kësaj. Edhe pse kjo mund të duket e pakuptimtë, bile edhe bankat e prekura kanë ardhur deri te përfundimi se, më mirë të ketë njëfarë marrëveshjeje, sesa të mos ketë fare. Vazhdimi i pasigurisë e kishte vështirësuar shumë planifikimin e kapitalit. Për këtë shkak, bankierët favorizonin një marrëveshje dhe do të jetojnë me pasojat e saj, nëse ajo me të vërtetë paraqet fundin e programit. Por, për fat të keq, kjo marrëveshje e re nuk ka të ngjarë që ta vejë një vijë nën debatin rreth kapitalit. Edhe pse bankierë të lartë qendrorë, si Mark Carney, guvernator i Bankës së Anglisë dhe kryesues i Bordit të stabilitetit financiar, mendojnë se tani ka mjaft kapital në sistemin bankar, shumë të tjerë mendojnë ndryshe. Anat Admati nga Stanfordi do të donte norma të kapitalit mbi 20%. Martin Wolf nga "Financial Times" ka mendim të ngjashëm. Ai mendon se bankat ende kanë një jostabilitet të rrezikshëm. Andy Haldane nga Banka e Anglisë thotë se, duke pasur parasysh çmimin e ultë të ekuiteteve bankare, bankat nuk janë aq të forta në një bazë të korrigjuar sipas tregjeve, ashtu sikur që duken. Në anën tjetër, bankierët theksojnë koston e lartë të ekuiteteve dhe thonë se, detyrimi i bankave për t'i ngritur ato edhe më shumë, do ta rritë koston dhe do ta zvogëlojë disponueshmërinë e kredive. Në Evropë, rreth gjysma e përmirësimit në normat kapitale ka ardhur nga zvogëlimi i huadhënies, sesa nga ngritja e ekuiteteve të reja. Ka pak mendime të përbashkëta midis këtyre dy kampeve. 

Rillogaritja e modeleve statistikore

Në anën tjetër, ekuitetet më të larta për bankat do ta zvogëlojnë incidencën e dështimeve bankare, gjë që imponon kosto të larta ndaj ekonomisë dhe ndaj individëve. Zvogëlimi i numrit dhe seriozitetit të krizave është shumë i dëshirueshëm. Për këtë shkak, William Cline tenton të llogaritë ku mund të gjendet balanca optimale, duke ditur se, duke zvogëluar rrezikun e dështimit të bankave deri në zero, mund të rrezikohet shkaktimi i kostove me çmim irracional të lartë. Përfundimi i Cline-s është se "norma optimale kapitale është 7% deri 8% i aseteve totale, gjë që korrespondon me 12% deri 14% të aseteve të ponderuara. Këto të dhëna, në fakt, janë shumë të afërta me numrat themelorë të kërkesave të Bazelit të ri, të implementuara nga rregullatorët nacionalë. Shumica e bankave britanike, për shembull, tani janë duke synuar një kërkesë prej 13%, dhe rëndom bazohen pak më shumë 'te fati'. Qasja e Cline-s është interesante. Ai pranon se norma mundet në mënyrë të arsyeshme që lihet nën hije për bankat me rëndësi sistematike, të cilat rëndom cilësohen si "tepër të mëdha për të falimentuar". Në shkollën rregullatore ku jam trajnuar unë - Bankën e Anglisë - na është thënë që kurrë të mos e përdorim këtë frazë fatale, për shkak të frikës së shkaktimit të mu atij dëmi moral, të cilin donim ta evitonim. Por, në botën pas krizës, është vështirë t'i iket një gjëje të tillë. A do të mbyllet debati si rezultat i punës së vyeshme të Cline-s? Nuk ma merr mendja. Edhe tani shoh rillogaritje të modeleve statistikore. Dhe, ende nuk ka votim për heqjen e presionit nga bankat e mëdha. Bankierët qendrorë do të kenë nevojë për më shumë durim, derisa bankierët e rëndomtë të sillen mirë, përndryshe një model "Bazel 4" mund të duket në horizont në bankat e Rajnës. 

(Howard Davies është kryesues i Bankës mbretërore të Skocisë) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot) 

14 orë e 55 minuta më parë
24/10/18