Së bashku duhet të gjejmë zgjidhje për sfidat kryesore - Opinione - Kosova Sot
Së bashku duhet të gjejmë zgjidhje për sfidat kryesore

Së bashku duhet të gjejmë zgjidhje për sfidat kryesore

EDITORIAL EKSKLUZIV I AMBASADORIT AMERIKAN NË KOSOVË PËR GAZETËN "KOSOVA SOT" 

 Shkruan: Greg Delawie, Ambasador i SHBA-së në Republikën e Kosovës

Fillimi i një viti të ri ofron mundësi të përsosur për të bërë një hap prapa dhe për të vlerësuar: ku ishim dhe ku duhet të shkojmë? Këto pyetje posaçërisht kumbojnë tash kur jemi vetëm pak javë para përvjetorit të dhjetë të pavarësisë së Kosovës. Kosova ka ecur shumë përpara prej vitit 2008. Pamë zgjedhje të drejta dhe të besueshme. Qeveria e Kosovës ka forcuar sovranitetin e saj në tërë territorin e vendit, duke shtrirë sistemin e drejtësisë për të gjithë qytetarët e vendit. Nënshkrimi i ujdisë miliardë-dollarëshe për Termocentralin "Kosova e Re" demonstron se vendi po merret me kërcënimet më të mëdha ekonomike dhe të ndotjes. "Kosova e Re" do të duhej po ashtu t'u sinjalizonte investitorëve anembanë botës se Kosova është destinacion i sigurt për paratë e tyre, e përmirësimi i vendit në ranglistën e "Raportit të të bërit biznes" të Bankës Botërore është tregues tjetër i shkëlqyeshëm.

Korrupsioni është i përhapur gjithandej

Aq sa Kosova do të duhej ta shijonte këtë çast për të festuar këto suksese, po aq ne - Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku - duhet të gjejmë zgjidhje për sfidat kryesore që do t'i përkufizojnë dhjetë vjetët e ardhshëm të këtij vendi të pavarur. Së pari, duhet të ndalet përpjekja e fshehtë për të ndryshuar apo për të anuluar Ligjin që autorizon Gjykatën Speciale. Minimi i Gjykatës, e cila është jetike për të sjellë drejtësi për viktimat e krimeve të luftës, do të kishte pasoja të thella për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe për marrëdhënien e saj me Shtetet e Bashkuara. Çdo qytetar në Kosovë duhet të ndjehet krenar me sukseset e vendit të dekadës së shkuar, por e kuptoj pse shumë njerëz ndjehen të pakënaqur. Papunësia mbetet tepër e lartë, veçanërisht në mesin e të rinjve. Shumë shpesh studentët besojnë se duhet ta lënë Kosovën për të ardhme më të mirë. Korrupsioni është i përhapur gjithandej. Vendet e rëndë- sishme të punës ose jeta publike në përgjithësi tepër shpesh janë të rezervuara për meshkuj, kurse femrat janë të degdisura në vend të dytë. Korrupsioni është problem i madh dhe i gjerë: si mund ta zgjidhim atë? Çdo qytetar luan rol në këtë. Gjyqësori i Kosovës duhet të përkushtohet për ndjekjen penale të zyrtarëve të nivelit të lartë, t'i mbështesë ligjet që sjellin disiplinë dhe llogaridhënie në sistem, si dhe për të shtyrë përpara forcimin e sundimit të ligjit në vend. Politikanët kosovarë duhet të shfaqin vullnet politik për zbatimin e nismave si prokurimi elektronik dhe të votojnë për reformat e Kodit Penal dhe të Procedurës Penale - të gjitha këto në interes të vendit, e jo për interesat e tyre personalë. Qytetarët duhet të përmbahen nga pjesëmarrja madje edhe në ryshfet të nivelit të ulët dhe t'i raportojnë rastet e korrupsionit kur t'i shohin. Çka duhet të bëjë Kuvendi? Duhet ta ratifikojë marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi për të zhbllokuar lëvizjen pa viza në Evropë. Marrëveshja e vitit 2015 përfaqëson të njëjtin kufi që ka ekzistuar në mes të dy vendeve me dekada dhe do të duhej të miratohej ashtu siç është. Kuvendi ka përgjegjësi për ta mbështetur avancimin e Kosovës në agjendën e saj të integrimit evropian dhe t'i japë fund izolimit të qytetarëve të saj.

Një deputet nuk mund ta zgjidhë i vetëm çështjen e keqmenaxhimit në Qeveri

Me bilancin e këtyre të arriturave dhe sfidave në mendje, dëshiroj ta nxis çdo person në Kosovë të mendojë për të ardhmen. Si mund të ndihmoni? Një pronar biznesi nuk mund t'i zgjidhë i vetëm çështjet e punësimit të barabartë të grave, por mund të zgjedhë për të punësuar gratë nëse nuk i ka punësuar kurrë më parë. Një student nuk mund ta zgjidhë i vetëm çështjen e korrupsionit në arsimin e lartë, por mund të refuzojë që ta paguajë profesorin për notë më të lartë. Një deputet nuk mund ta zgjidhë i vetëm çështjen e keqmenaxhimit në Qeveri, por mund t'i nxisë kolegët e tjerë deputetë për të mbështetur prokurimin elektronik, duke i bërë shpenzimet më të mëdha të vendit transparente dhe më efikase. Shumë shpesh njerëzit mendojnë se meqenëse problemet e Kosovës janë të mëdha, dikush tjetër duhet të merret me to. Por, kjo s'është mënyra si kanë ndodhur cilido prej sukseseve të mëdha për të cilat fola. Individë të panumërt nga e tërë Kosova: në Qeveri, në shoqëri civile, në mediume, si dhe qytetarët e rëndomtë janë bashkuar për t'i bërë zgjedhjet të drejta, për ta forcuar ekonominë dhe për t'i bërë të drejtat e njeriut prioritet. Do të nevojitet përkushtim i vazhdueshëm i të gjithëve për të arritur përparim të vazhdueshëm në dekadën e ardhshme. Shtetet e Bashkuara të Amerikës besojnë në Kosovën. Këtë mund ta shihni në mënyra të mëdha, siç është ndihma jonë ekonomike ose përfundimi i ndërtesës së re të Ambasadës, që do të hapet në 2018-tën. Këtë mund ta shihni edhe në mënyra të vogla: përmes mundësimit të huave për bizneset e vogla, kulturave fitimprurëse për bujqit apo bursave për të studiuar në SHBA. Kemi qenë këtu për vendimet dhe diskutimet më strategjike të Kosovës dhe në triumfet e saj më të rëndësishme. Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin të vazhdojnë punën me Republikën e Kosovës për dhjetë vjetët e ardhshëm e përtej. Urime Viti i Ri!

(Kosova Sot)

8 orë e 38 minuta më parë
16/10/18