Kushtet kundrejt liberalizimit, qytetarët të izoluar

Kushtet kundrejt liberalizimit, qytetarët të izoluar
  • 01 January 2018 - 09:01

Republika e Kosovës e përmbyll vitin si e izoluar

SHKRUAN: ALBINOT MALOKU

Edhe vitin 2017, Republika e Kosovës e përmbylli e izoluar dhe me sfida që drejtpërdrejt po e prekin qytetarin e saj. Tentativat për t'i dhënë qytetarit të Kosovës mundësinë për t'u ndjerë i barabartë me qytetarët e vendeve të rajonit, së paku në lëvizje të lirë e të papenguar në hapësirën e Bashkimit Evropian, nuk është se kanë qenë të pakta. Ato nuk ishin të pakta, por që të gjitha po dalin me qenë jo të duhura. Po të kishte ngjarë të ndodhte realizimi i premtimit "për 15 muaj e kemi liberalizimin e vizave", kjo çështje moti do të harrohej. I tilli premtim pas nëntë vitesh u shndërrua, nga po i njëjti premtues, me kërkesë që qytetarët e Kosovës të pajisen me pasaporta të Shqipërisë si rrugëdalje nga izolimi i qytetarit të Kosovës. Që të dyja ngelën vetëm fjalë e muhabete boshe. Politikanët vendorë çështjen e liberalizimit të vizave e kishin futur në fjalorin e tyre të premtimeve prejse Kosova u çlirua nga Serbia, e me theks të veçantë pas pavarësimit të saj. Hapat drejt këtij procesi po ecin si me qenë të breshkës. Kriteret e kushtet e BE-së për Kosovën kohë pas kohe kanë marrë edhe konotacione të tjera, që janë dukur e po duken të pabarabarta karshi vendeve të tjera të rajonit. Bashkimi Evropian për të gjitha vendet, të cilat kanë synuar liberalizimin e vizave, ka parashtruar kushte, të cilat do të duhej plotësuar. Kjo ka ndodhur edhe për Kosovën. Bashkimi Evropian ndaj Kosovës kishte parashtruar kushte nga më të ndryshmet dhe për të gjithë sektorët. Kushtet synonin standardizimin me rregullat Acquis Communautaire të Bashkimit Evropian. Veç këtyre kritereve, Kosova në rrugëtimin e saj drejt procesit të liberalizimit të vizave, sfidë e ka edhe numrin prej pesë vendeve që nuk e kanë pranuar shtetësinë e saj. Nga këto pesë vende disa kanë raporte më të relaksuara e disa as që duan t'ia dinë se ekziston një hapësirë shtetërore, siç është Kosova. Pavarësisht këtij fakti, në këtë rrugëtim Kosova ka ecur përmes nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim. Ky mekanizëm i ka ngjallur shpresën, mirëpo ende nuk e ka përmbyllur çështjen.

Dyshimet ndaj raportit të BE-së karshi Kosovës

Mospërmbyllja e kësaj çështjeje u stagnua, siç po thonë politikanët e vendit, nga një kusht i parashtruar nga BE-ja e që duket se është shumë i padrejtë ndaj Kosovës. E, kjo çështje është shënjimi i vijës kufitare të Kosovës me Malin e Zi. I padrejtë, ngase kësi lloj kushti nuk ka pasur asnjë vend gjatë të gjitha proceseve integruese, e lëre më të jetë çështje kryesore për liberalizimin e vizave. Çështja e shënjimit të vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi është domosdoshmëri shtetërore e vendit dhe këtë e di gjithsecili, si nga pozita e si nga opozita. Fatkeqësia ndodhi kur çështja e demarkacionit u bë edhe kusht nga Bashkimi Evropian, gjoja për liberalizimin e vizave dhe rrugëtimin e Kosovës drejt euro-integrimit. Kjo gjë e vështirësoi shumë zgjidhjen e demarkacionit, duke u bërë çështje që ndau skajshmërisht qëndrimet e pozitës me opozitën. Si pasojë e kësaj ka një situatë, e cila po duket e pazgjidhshme. Pasoja e vetme për Kosovën nga kjo zgjatje e ratifikimit të formatit aktual të demarkacionit nga ana e Kuvendit ka qenë e vazhdon të jetë mbajtja peng e procesit të liberalizimit të vizave si kushtëzim i BE-së, edhe pse kam dyshime të mëdha se BE-ja do t'i liberalizojë vizat me Kosovën pas këtij ratifikimi. Dyshimet ndaj raportit të BE-së karshi Kosovës kanë bazë në qasjen e BE-së për situatat në të cilat ka kaluar vendi. Veç nëse i krahasojmë kushtet ndaj vendeve të tjera, kushti i demarkacionit është komplet sui-generis. Bashkimi Evropian nuk ka një vizion të unifikuar as për Kosovën, e as për Ballkanin si tërësi.

Humbësi ka dalë qytetari i Kosovës

Faji për tejzgjatjen e procesit të liberalizimit të vizave sa është i garniturave politike vendore, është po aq edhe i Brukselit zyrtar. BE-ja nuk ka treguar aq vullnet që ky proces të përmbyllet me Kosovën në afate jo aq të largëta, sa ka ndodhur kjo përmbyllje me vendet e tjera të rajonit. BE-ja e ka lënë Kosovën në faza, në pritje, në kushte e çka tjetër. BE-ja edhe ndaj politikanëve vendorë kur këta kanë premtuar gënjeshtra ndaj këtij procesi nuk ka reaguar me qartësi e sqarime. Sikur edhe BE-së i ka konvenuar lloji i politikanit të Kosovës. Nga e gjithë kjo situatë humbësi ka dalë qytetari i Kosovës, kurse pingpongu mes politikanëve vendorë dhe BE-së ka vazhduar sikur nuk po ndodh asnjë proces nga i cili ka humbës. I vetmi kusht që BE-ja nuk do të duhej të hiqte dorë dhe jo vetëm të mos hiqte dorë, por të bënte presion që drejtpërdrejt e prek politikanin vendor, është lufta kundër korrupsionit e nepotizmit politik e familjar. Në këtë kusht pranojnë të ngelin edhe qytetarët, ngase nga të gjitha kushtet, ky është ai që i jep shpresë vendit e qytetarit.

(Kosova Sot)