Martirizimi i themeluesve të Lëvizjes, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla - Opinione - Kosova Sot
Martirizimi i themeluesve të Lëvizjes, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla

Martirizimi i themeluesve të Lëvizjes, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla

Dëshmi autentike për 17 Janarin e 1982-ës (abstrakt i paraqitur në simpozium)

SHKRUAN: IBRAHIM KELMENDI

"Kishte kohë që, thuaja pa dashur, më vërtiteshin në kujtesë dy tituj librash: Rrno vetëm për me tregue ( e Atë Zef Pllumit) dhe Të rrosh që të rrëfesh (e Gabriel Garsia Markezit). Pak a shumë e njëjta gjë në kohë e vende të ndryshme. Mua nganjëherë më bëhet se rrojta shumë, por edhe se rrëfeva shumë. E, megjithatë, shoh se njerëzit, të mirë e të këqij, ende e ngatërrojnë gjurmën dhe fërkemin, edhe atëherë kur është ditë e dielli ndrin..."1 E nisa këtë rrëfimin me këtë citim, për të paralajmëruar se nuk e kam aspak të lehtë ta paraqes dëshminë për 17 Janarit 1982, kur ndodhi themelimi i Lëvizjes dhe në të njëjtën ditë e vend ndodhi edhe martirizimi i themeluesve të saj: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla. E kisha fatin ose fatkeqësinë për të qenë bashkëveprimtar i angazhimit gjatë natës dhe pothuajse pjesës më të madhe të ditës së fundit të jetës së tyre, me Vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën. E kisha fatin, sepse mbijetova për të dëshmuar, vazhduar veprimtarinë dhe për të jetësuar edhe vendimin që patëm marrë atë ditë. E vuajta edhe si fatkeqësi poshtëruese, sepse nga momenti kur u mor vesh se unë kisha shpëtuar pa u bashkëvrarë, zuri fillin orteku i luftës speciale, shpifëse e denigruese, i strukturave policore jugosllave, serbe dhe "kosovare", duke më gozhduar, fillimisht si vrasës e më pastaj si informator i vrasësve. Kjo luftë speciale po zgjat tash e 35 vjet. Ende gjithandej flitet e shkruhet, tashmë me ca modifikime, se unë paskam qenë informator i policisë gjermane që paskësha bërë vrasjen, meqë Jusufi na paskësh qenë bashkëpunëtor i UDB-së2; se paskam qenë informator i vrasësve të komanduar nga UDB-ja; se nuk paskam qenë bashkëveprimtar i Jusufit; se ai më paska dëbuar nga shtëpia, e të tjera shpifje të ngjashme të asaj lufte të ndyrë3. 

Lajmi i kobshëm për vrasjen e shokëve, Jusufit, Kadriut e Bardhoshit

Rreth orës njëmbëdhjete të ditës së shtunë, të 16 janarit 1982, duke qenë bashkë me Kadri Zekën mysafirë te Sylë e Vezire Nuha në Dyseldorf, njoftohemi se Jusufi na kishte thirrur me telefon të shkonim në mbrëmje tek ai. Vendtakimi: te Murat Kryeziu në Bernhausen (NordWest-Ring 30), pranë aeroportit të Shtutgartit. Syla huazoi makinë nga një bashkatdhetar, për të na bartur deri atje (rreth 420 km largësi). U nisëm të tre, Kadriu, Syla dhe unë. Afër Manhajmit kemi ndaluar te kushëriri i Sylës, Avdyl Nuha, që të drekonim. Në mbrëmje, rreth orës tetëmbëdhjetë, kemi arritur në Bernhausen. Aty u bëmë bashkë me Vëllezërit Gërvalla dhe rreth 15 bashkatdhetarë të tjerë. Ai takim ishte organizuar për të filluar një aktivitet të ri: shfaqjen e filmave të Kinostudios "Shqipëria e re", që Jusufit ia kishin dërguar nga Tirana përmes ambasadës në Vjenë, të regjistruar në videokaseta. Ky aktivitet konkret duhet të ketë qenë si shkak që Jusufi të demonstronte para veprimtarëve të rrethinës së Shtutgartit se nuk ishim të përçarë, siç ishte përfolur e dezinformuar gjatë disa javëve të fundit të vitit 1981. Akoma më shumë, donte të demonstronte gatishmërinë për ta vazhduar bashkëveprimtarinë, që ishte ndërprerë qysh nga mesi i tetorit të vitit pararendës. Me të mbaruar shfaqja e tv-dramave "Gërsheta lufte" dhe "Epoka para gjyqit", Jusufi bëri një komentim përmbledhës të dramave, duke potencuar rolin frymëzues që do të ketë shfaqja e tyre, kudo ku kishim klube dhe mundësi përkatëse. Pastaj ai luti të pranishmit të shfrytëzonin praninë e Kadriut, për t'i bërë pyetje konkrete për gjendjen në Kosovë dhe për nevojën e angazhimit më të dendur në emigracion. Kishte kaluar mesnata. Fjalën e mori i pari Nuhi Sulejmani. Ai ishte më i moshuari dhe tashmë ishte imponuar edhe si kallauz i emigrantëve të interesuar për veprimtari patriotike në Shtutgart e rrethinë. Nuk e mbaj mend çfarë tha konkretisht, por Jusufi e kuptoi se ai po e provokonte e përçmonte Kadriun. Për këtë arsye ndërhyri, duke thënë se ishte bërë vonë dhe duhej të shpërndaheshim. Kur dolëm në oborr Fahridin Tafallari5 këmbënguli të na merrte mysafirë, Kadriun, Sylën dhe mua, meqë shquhej për bujari. Jusufi, në prani të pothuajse të gjithëve, ndërhyri: "Zeqa (siç e thërrisnim atëherë Kadriun), Ibrahimi dhe Syla do të vijnë të ne." Ishte natë tejet e acartë, me ngrica të ashpra e mjegull të dendur. Reshte edhe borë. U nisëm me dy automjete. Në automjetin e Bardhoshit udhëtuan Jusufi dhe Kadriu, kurse Sylën e shoqërova unë. Edhe pse kishim për të rrugëtuar rreth 70 km, deri në Untergruppenbach, ku banonin Vëllezërit Gërvalla, për shkak të motit na u deshën rreth dy orë e gjysmë. Jusufi hapi derën e shtëpisë. Sapo u fut në sallonin e pritjes pa një njeri që e kishte zënë gjumi në kolltuk. Na sinjalizoi që të ishim të heshtur, për t'u ngjitur në katin e dytë, pa e zgjuar atë. Megjithatë, atij i doli gjumi. U detyruam të rrinim në sallon, meqë nuk kishte kuptim të injorohej ai shtunak. Bëhej fjalë për një azilkërkues nga Bllaca e Suharekës. Ishte i vendosur në kampin e refugjatëve pranë Heilbronn'i. Bardhi e kishte njohur, kur policia e kishte thirrur të përkthente. Ai ishte ankuar se dikush po e kërcënonte në atë kamp, ndaj kishte frikë. Bardhit i kishte ardhur keq për të dhe e kishte marrë mysafir në shtëpi. Kështu ia kishte mësuar atij adresën dhe i kishte thënë që të shkonte tek ata sa herë që do të ndihej i frikësuar në kamp. Sapo zumë vend në sallon, ai, edhe për t'u arsyetuar pse ndodhej aty, zuri të rrëfente përçartë, për të na bindur sesi vërtet po e kërcënonte dikush. Në fakt na bezdisi. Jusufi, pas rreth gjysmë ore e luti Bardhin t'i merrte Sylën dhe atë shtunakun (të cilit ia kam harruar emrin) dhe t'i rehatonte për të fjetur në "Dhomën e Ibrahimit". Kështu e quanin një dhomë të vogël, në krye të shkallëve, kur rëndom flija unë kur isha te Vëllezërit Gërvalla. Edhe Bardhi kërkoi falje dhe shkoi të flinte. Po zbardhte agimi. Ora duhej të ishte rreth katër, e datës 17 janar 1982. Ditë e diel. Tashmë ishim vetëm Jusufi, Kadriu dhe unë. Jusufi zuri të fliste, duke njoftuar se të premten na kishte dërguar letër Kadriut dhe mua. Vazhdoi duke rrëfyer përmbledhtas zhvillimet që kishin ndodhur qysh kur kishte dështuar bashkimi në takimin në Turqi, ndërmjet Kadri Zekës dhe Sabri Novosellës, diku rreth mesit të tetorit, rreth tre muaj më parë. Ai e përmbylli fjalën e tij duke bërë një si reflektim, sepse ndihej i zhgënjyer për dështimin e bashkimit dhe për pasojat e pastajme. Por, tashmë ai ishte sqaruar gjatë bisedave që kishin ndodhur në dasmën e Kadriut dhe të Saime Jusufit, më 3 janar 1982. Në përmbyllje të fjalës së tij goxha gjithëpërfshirëse, Jusufi shfaqi gatishmërinë për ta vazhduar veprimtarinë e përbashkët, si deri në tetor, duke potencuar se ishte i gatshëm për bashkimin, siç ishim mirëkuptuar e marrë vesh gjatë gushtit. Kadriu qe impresionuar nga reflektimi dhe gatishmëria e Jusufit. Foli edhe ai goxha gjatë, duke shfaqur po ashtu gatishmërinë për t'u bashkuar në një organizim të përbashkët. Belbëzova edhe unë diçka, duke thënë se Fronti qysh në mars 1981 e kishte ngrirë organizimin për të pritur bashkimin në një organizatë. Në dukje krejt spontanisht, Jusufi u ngrit në këmbë dhe foli: "Atëherë, urime, na qoftë bashkimi!" Shtriu duar drejt nesh që të ngriheshim edhe ne dhe t'i bashkonim duart për ta bekuar bashkimin. Dhe ashtu ndodhi. U ngritëm dhe puqëm duart, duke i mbajtur një copë herë të lidhura. Më bëhet sikur të treve na qenë mbushur sytë me lot. U ulëm. Tashmë ndiheshim krejt ndryshe, sikur të ishim shkrirë të tre në një të vetëm. Biseduam edhe për emrin, nëse do ta quanim Lëvizje ose Front për Republikën e Kosovës. Dominoi mendimi për Lëvizje. Rreth orës gjashtë vendosëm të flinim ca orë dhe kur të zgjoheshim ta formulonim vendimin për bashkim, që duhej të bëhej edhe njoftim publik, dhe të shihnim sesi do t'i përshtatnim akoma më konkretisht "Tezat", të cilat i kishim diskutuar e aprovuar gjatë muajit gusht 1981. Rreth orës katërmbëdhjetë duhet të jemi zgjuar për të drekuar. Ai shtunaku vazhdonte të ishte po aty. Pas drekës u ngjitëm në dhomën e punës së Jusufit. Ai propozoi që unë dhe Syla të udhëtonim, për të dërguar videoincizimin në Klubin "Emin Duraku" në Dyseldorf, meqë një javë më herë e kishim bërë njoftimin, se të dielën në mbrëmje, më 17 janar, do të shfaqej filmi për Shote Galicën, siç i thoshim tvdramës "Gërsheta lufte". Unë zura të kundërshtoj, duke u arsyetuar se do ta dërgonte Syla. Kisha dëshirë t'i shoqëroja në kompletim të dokumentacionit. Por, të dy, Jusufi dhe Kadriu, këmbëngulën se nuk kishte kuptim që të mos ishim asnjëri nga ne në atë aktivitet. Me atë rast u tha se ndoshta Kadriu do të duhej të rrinte edhe atë natë aty për të përmbaruar dokumentacionin përkatës për bashkim në Lëvizje për Republikë të Kosovës, nëse nuk do të mund të bëhej më shpejt. U detyrova të pajtohem për të udhëtuar. Rreth orës 15.30 duhet të jemi larguar nga Untegruppenbach'u, për të rrugëtuar drejt Dyseldorfit. Në orën e paralajmëruar, në prani të rreth 200 bashkatdhetarëve, është lëshuar televizori me ekranin më të madh që prodhohej atëherë, të cilin, bashkë me videon, duhet t'i ketë blerë Klubi, rreth 9 mijë DM. Në Klub kemi qëndruar deri në mesnatë. Sapo jemi shpërndarë për të fjetur, na ka mbërri lajmi i kobshëm për vrasjen e shokëve, Jusufit, Kadriut e Bardhoshit... 

Sqarime dhe mirëkuptime ndërmjet Jusufit e Kadriut

Kur ndodhën demonstratat e pranverës së vitit 81 në Kosovë, edhe në emigracion ndodhi një ndërgjegjësim dhe gjallërim më intensiv i veprimtarisë patriotike për të përkrahur kërkesën Kosova-Republikë, që ishte bërë kryekërkesë në Kosovë. Ky angazhim u bë në koordinim te të tre organizatave, tashmë të afirmuara: Organizata e Marksistë-Leninistëve të Kosovës (OMLK), Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ) dhe Fronti i Kuq Popullor (FKP). Ekzistonin edhe organizime të tjera, në dukje nacionaliste, të djathta, por ato, pos që nuk kishin anëtarësi numerike, nuk i përkrahnin demonstratat e Kosovës, duke akuzuar se ato po i bënin "kuçaloshët enveristë". Këto tri organizata dallonin fare pak nga njëra-tjetra sa i përket platformës ideopolitike. Nëse deri në mars 1981 përcaktim kryesor e kishin çlirimin e trojeve të banuara me shumicë shqiptare në Jugosllavinë e atëhershme dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë socialiste, nga marsi e tutje edhe këto organizata i modifikuan përcaktimet e deriatëhershme dhe u përcaktuan vetëm për barazi nacionale në Jugosllavi, duke pranuar rendin kushtetues që do ta miratonin popujt e Jugosllavisë federative. Gjatë verës se vitit 1981 ndodhën edhe angazhimet për bashkim të tyre. Iniciativa ishte nga OMLK-ja në Kosovë. Për atë qëllim ajo pati përgatitur "Tezat rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës". Meqë në Kosovë ndodhen burgosje të mëdha, bisedat tashmë nuk mund të bëheshin atje. Prandaj "Tezat" i ofroi Kadri Zeka që të bisedonim për bashkim në emigracion. Gjatë verës 1981 ato u shqyrtuan nga përfaqësuesit e tri subjekteve të lartpërmendura. Gatishmëria për bashkim ishte e madhe, meqë ishte përvijuar edhe në bashkëveprimtari, si të ishim vetëm një organizatë. Por, nuk ishim krejtësisht të qartë nëse donim bashkim në një organizatë të vetme apo organizim të seleksionuar në organizatë të masave dhe pararojë komuniste. Bisedimet u përmbyllën me përshtatje të "Tezave", si platformë e organizimit pasues. Jusufi shtroi kërkesën që bashkimin simbolikisht ta shpallte veterani, Sabri Novosella. Për këtë qëllim nga mesi i tetorit 1981, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla shkuan në Turqi. Por, atje Sabri Novosella e kundërshtoi bashkimin, nuk e pranoi siç qemë dakorduar në bisedat që patëm gjatë verës. Nga ai takim i mesit të tetorit 1981 deri më 3 janar 1982 marrëdhëniet tepër të ngushta ndërmjet Jusufit e Kadriut u ndërprenë. Jusufin e pat urdhëruar Sabri Novosella të fillonte me botimin e "Zërit të Kosovës", si organi i LNÇKVSHJ. Në numrin e parë të tij ai shkroi edhe për zhgënjimin që e kishte përjetuar për shkak se në takimin e Stambollit Sabriu e Kadriu nuk qenë marrë vesh. Më 3 janar 1982 Kadriu e Saime Jusufi organizuan dasmën e tyre në Zvicër. Aty morën pjesë shumë bashkëveprimtarë të ftuar nga shumë shtete të Perëndimit. Mori pjesë edhe Jusufi, të cilit tashmë i qe njohur statusi i azilantit dhe i qe lëshuar dokument udhëtimi nga shteti gjerman. Aty u bënë sqarime dhe mirëkuptime mes Jusufit e Kadriut. Ai mirëkuptim bëri që Jusufi të na ftonte të shkonim tek ai, më 16 janar 1982. 

Plasja e komplotit

Pas vrasjes së Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit, vendimit të 17 Janarit i plasi komploti. Në krye të atij komploti ishin Sabri Novosella, Abdullah Prapashtica e Xhafer Shatri, të cilët simuluan bashkime në takimet e tyre, më 17 shkurt, përkatë- sisht, më 9 maj 1982, për ta kapur gjithë veprimtarinë tonë të deriatëhershëm të organizuar patriotike të emigracionit. U deshën 4-5 vjet që komploti i tyre të demaskohej. Për rrjedhojë ata u vetëlarguan nga Lëvizja për t'u marrë me angazhime të tjera. *** Shënime / fusnotat:

1 Ibrahim Kelmendi, "Gjurmë dhe fërkemë" (fragment hyrës nga manuskripti i përgatitur për ta botuar në format libri).

2 Këtë version e ka propaganduar me sforco Riza Salihu, i Mushitishtës së Suharekës, atëherë me banim në Shtutgart të Gjermanisë, të cilin institucionet gjermane e kanë hetuar, denoncuar dhe gjykuar si të dyshuar për vrasës.

3 Pos pjesëtarëve aktiv të UDB-së, këto shpifje i kanë përhapur me zell të tepruar edhe Vëllezërit Avdyl e Hysen Gërvalla, vajza e Jusufit, Donika Gërvalla, Sabri Novosella dhe viktimat e tyre.

4 Nuhi Sylejmani është lindur më 10 maj 1943, në fshatin Stanec (Malësia e Preshevës). Shkollën tetëvjeçare kreu në Caravajkë. Është shpërngul në vitet e 50-ta në Llojan të Kumanovës. Që nga 22 maji 1969 është emigrant ekonomik në Gjermani (i punësuar në Fabrikën e "Mercedesit" në Siendelfingen, afër Shtutgartit).

5 Ishte emigrant në Gjermani, me banim në Nagold, me profesion taksist. Kishte filluar të shpërndante material propagandistik, qysh nga viti 1979, meqë ishte njohur me Hysen Gegën.

6 Kështu thuhej atëherë, por tani me rezulton se vetëm OMLK-ja pat dëshmuar se kishte struktura të organizuara në Kosovë, ndërsa LNÇKVSHJ dhe e FKP-së nuk kishte radhë të organizuara e aktive brenda. Për tjetër organizim nuk dihej atëherë. Përflitej edhe për Parti Komuniste Marksiste Leniniste Shqiptare në Jugosllavi, por nuk kishin informim konkret. Më vonë rezultoi se atë "parti" e kishte themeluar oficeri madhor i UDB-së Abdullah Prapashtica. 

(Kosova Sot)

12 orë e 28 minuta më parë
22/05/18