Shqiptarët gjithmonë po mashtrohen dhe tradhtohen? - Opinione - Kosova Sot
Shqiptarët gjithmonë po mashtrohen dhe tradhtohen?

Shqiptarët gjithmonë po mashtrohen dhe tradhtohen?

Nuk duhet të lejojmë të na përsëritet historia e keqe

SHKRUAN: SKËNDER MULLIQI

Kur ne të kuptojmë se hienat i kemi komshi, kur të kuptojmë se udhëheqësit tanë nuk janë duke e kryer punën mirë, ndoshta do të jetë tepër vonë për t'i riparuar dëmet e shkaktuara. Nuk do të dimë se çfarë çmimi do të paguajmë edhe në vitin 2018… Në të gjitha anët e Kosovës i kemi përmendoret e martirëve dhe dëshmorëve të kombit. Ne çdo cep të Kosovës gjenden ata të cilët dhanë jetën për liri dhe pavarësi të Kosovës nga Serbia, e cila po na kërcënon me luftë edhe sot. Kosova historikisht u mbush me varre të atyre të cilët e mbrojtën vendin e tyre, të cilët e mbrojtën dinjitetin dhe qenien e tyre kombëtare. Na vranë armiqtë serbosllavë aty ku mbërrin, na pushkatuan dhe bën masakra, na sakatuan me bomba, na kositën me mitralozë duke na gjuajtur në varreza dhe në puse. Pyetja është e thjeshtë: a është ky rrëfim i mjaftueshëm për të kuptuar të gjithë se gjithmonë duhet t'i kujtojmë të rënët, se gjithmonë duhet t'i nderojmë ata të cilët sakrifikuan për lirinë të cilën po e gëzojmë të gjithë sot? Mos pikërisht për këtë gjë edhe na duhen më shumë informacione. Kosova nuk na duhet me dy fytyra. Me njërën të keqe dhe tjetrën të mirë. Nuk duhet të lejojmë të na përsëritet historia.

Tagrin e lirisë e paguam shtrenjtë

Nuk na duhen as vitet e largëta jo të mira për shqiptarët, nuk na duhen as vitet 1941- 1945 , ku partizanët në emër të lirisë vranë patriotët më në zë të popullit tonë? Nga distanca historike nuk e kemi vështirë të dallojmë se cila ishte e mira dhe cila ishte e keqja për shqiptarët. Në fund të shekullit të kaluar tagrin e lirisë e paguam shtrenjtë, por dolëm fitues karshi armikut shekullor serb. E fituam pavarësinë bashkë më miqtë tanë evropianë dhe amerikanë. Serbia u mposht ushtarakisht, u mposhtën edhe në jocivilizimin e tyre. Dolëm fitues se mbrojtëm trojet tona shekullore. Dolëm fitues se lufta jonë kishte kauzë të drejtë, ishte luftë për mbijetesë. Si duket, nuk jemi duke bërë dallim e qartë të paradigmës së fashizmit dhe antifashizmit, si dy ekstreme ideologjike. Kosova duhet të rezonojë më në fund me mendje të kthjelltë dhe me përgjegjësi të plotë të zgjedhë rrugën e demokracisë, të zgjedhë rrugën e prosperitetit, të zgjedhë rrugën euroatlantike, se alternativat e tjera na fusin në qorrsokak. Problemi primar shtrihet në dozën e shtuar të arrogancës tonë, në prepotencën dhe mosdijen e aktorëve të inkuadruar në politikë. Nuk po kuptojmë ose nuk po duam të kuptojmë së Serbia si armik i përhershëm, punon në destabilizimin e Kosovës, se punon edhe në ripushtimin ushtarak të Kosovës siç u kërcënua Vulin nga një tubim në Serbi.

Neglizhenca e institucioneve

Serbët historikisht u shërbyen me rrena duke i përsëritur ato deri atëherë kur edhe kanë arritur t'i plasojnë si të vërteta. Vranë historikisht pjesëtarët e popullit të vet për t'i arritur objektivat pushtuese, për ta shumëfishuar territorin e tyre me territore të huaja. Edhe pas Milosheviqit, Serbia po udhëhiqet nga Milosheviqët e vegjël. Serbët me luftë arritën ta formojnë "Republika Srpska" në Bosnje, dhe këtë gjë po e provojnë, e nuk janë shumë larg ta arrijnë edhe me ndarjen e veriut të Mitrovicës në Kosovë në kushte të paqes. Vrasja e njeriut që vrau shqiptarë, Oliver Ivanoviqit u bë pikërisht për vënien e kufirit mbi urën e lumit Ibër, të cilën e mbajtën të bllokuar për shumë vite kriminelët "Rojat e Urës". Neglizhenca dhe mosinteresimi i organeve tona për të vënë kontrollin e plotë mbi veriun e vendit ka mundësi të na kushtojë shumë. Edhe deklarata e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq se nëse organet e Sigurisë së Kosovës nuk e zbardhin të vërtetën rreth vrasjes së Oliver Ivanoviçit, Serbia do të reagojë për t'i kryer hetimet e vrasjes vetë, përbën një kërcënim serioz për sovranitetin e Kosovës. Leja nga organet tona që Vuçiq ta vizitojë Kosovën më 20 dhe 21 janar, më duket se nuk është aspak e qëlluar, e cila vizitë ka për qëllim shtimin e tensioneve ndëretnike në veri dhe destabilizimin e Kosovës. Që shumë kohë flitet se serbët dhe rusët në Nish kanë formuar qendrën ushtarake , dhe se në brendi të Kosovës po operojnë shërbimet e ndryshme sekrete të tyre, që është tregues për seriozitetin e gjendjes së krijuar qëllimisht nga Beogradi zyrtar. 

(Kosova Sot)

18 orë e 34 minuta më parë
18/08/18