Viti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i Heroit Kombëtar Adem Jashari dhe i Pavarësisë - Opinione - Kosova Sot
Viti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i Heroit Kombëtar Adem Jashari dhe i Pavarësisë

Viti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i Heroit Kombëtar Adem Jashari dhe i Pavarësisë

SHKRUAN: SKËNDER S.KAPITI

Viti 2018 përkon me tre përvjetorët më të rëndësishëm në historinë e lavdishme të popullit martir dhe heroik të Kosovës që janë: 13 Qershori i vitit 1878- 2018,140- vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit; 5,6 dhe 7 Marsi 1998-2018, 20- vjetori i Epopesë së Lavdishme të Komandantit Legjendar Adem Jashari si dhe 17 Shkurti i Vitit 2008- 2018; si 10- vjetori i Pavarësisë së Kosovës. I kujtojmë me këtë shkrim institucioneve "të përgjumura"të Kosovës se duhet dhe iu takonte atyre së pari që këtë vit ta shpallnin si një vit të madh përkujtimor për këto tri ngjarje të mëdha për Kosovën dhe që janë për të gjithë shqiptarët. Dhe se nuk janë vetëm Tirana e Vlora historia e shqiptarëve ku ngarendin me vrap politikanët, "akademikët" dhe mediat e Kosovës më shumë sa për t'u dukur dhe sa për Week-End ,por janë histori e shqiptarëve edhe Shkupi, edhe Prishtina, edhe Prizreni , edhe Prekazi, edhe Dukagjini etj.  

1878-2018 , 140 -vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Lidhja e Prizrenit është ngjarje kulmore në Historinë tonë kombëtare, pasi për herë të parë pas Epokës 25-vjeçare të Skënderbeut shqiptarët lëvizën si komb për liri e pavarësi kombëtare; ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit ajo që bëri zgjimin kombëtar, dhe po ajo ishte frymëzuesja e Rilindjes Kombëtare Shqiptare duke i dhënë shtysë edhe lëvrimit të letërsisë e të gjuhës shqipe dhe hapjes së shkollave dhe mësimit shqip. Ishte Lidhja e Prizrenit ajo ,politika, diplomacia dhe sidomos lufta e saj ato të cilat tronditët kancelaritë perëndimore të Evropës duke e prezantuar ekzistencën dhe të drejtën e kombit shqiptar për të pasur Shtetin e tyre. Ishte Lidhja shqiptare e Prizrenit ajo e cila promovoi platformën dhe që parapërgatiti terrenin dhe zhvillimin e luftërave dhe të kryengritjeve të pandërprera 35- vjeçare që nga viti 1878 deri në vitet 1912 në Kosovë prej të cilave erdhi dhe akti final i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo epokë, pra kjo periudhë 35- vjeçare është periudha më heroike e qëndresës më të madhe kombëtare shqiptare sepse nëse më parë shqiptarët luftonin kundër sundimit osman për të mbrojtur zotimet e privilegjet e beut, të pashait, apo të bajraktarit , në këtë kohë të Lidhjes së Prizrenit shqiptarët lëvizën si komb, për interesin e madh gjithëkombëtar dhe u përballën me shumë armiq në numër, por akoma shumë herë më barbar, më të egër dhe më mizor të cilët donin asgjësimin e shqiptarëve, dhe që si platformë kishin copëtimin dhe gllabërimin e trojeve shqiptare dhe të cilët patën edhe platforma akademike e kleriko-shtetërore duke ushtruar dhunë dhe gjenocid të paparë kundër shqiptarëve. Pa Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe pa luftën dhe qëndresën e Lavdishme të kësaj epoke nuk do të kishim pasur as Pavarësi dhe as shtet shqiptar në vitin 1912. Kjo është periudha historike më e lavdishme, sepse për rreth 35 vjet shqiptarët u përballën për liri dhe pavarësi jo vetëm me Perandorinë Osmane, por më shumë me hordhitë shoviniste barbare sllave, serbe, malazeze, bullgare e greke si dhe me Rusinë dhe me djallëzitë, pabesitë dhe me hipokrizitë e Evropës , pra shqiptarët u përballën me të gjithë. Këto fakte pa dyshim e vënë këtë periudhë të lavdishme kohore si pikën kulmore të historisë kombëtare shqiptare, e cila meriton të përkujtohet me madhështi. Prandaj, duhet përkujtuar me solemnitet të lartë ky 140- vjetor i kësaj ngjarje monumentale kulmore të historisë moderne shqiptare, epoke e cila nxori në skenë dhe frymëzoi burrat e mëdhenj të Kombit shqiptar si Vëllezërit Frashëri,Ymer Prizreni,Sylejman Vokshi, Haxhi Zeka, Isa Boletini, Bajram Curri, Ismail Qemali, Idriz Seferi etj., si dhe ideologun, diplomatin, politikanin dhe strategun e trurin e Pavarësisë Kombëtare, Babanë e Kombit Shqiptar, Hasan Prishtinën, i cili është për shqiptarët ashtu siç janë XH. Washingtoni për SHBA-në, Bismarku për Gjermaninë dhe Ataturku për Turqinë.

1998- 2018, 20- vjetori i Epopesë së Lavdishme të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të familjes së tij

Qëndresa dhe sakrifica e jashtëzakonshme, unikale në Historinë botërore e familjes Jashari për liri,Pavarësi dhe për Bashkim Kombëtar ishte frymëzim për Luftën Çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës. Këtë heroizëm dhe sakrificë të pashembullt për liri e ka shprehur edhe Bernar Kushner Administratori i parë i Kosovës pas çlirimit se:" po të kishte Çmim Nobel për liri dhe sakrificë, ai do t'i takonte Adem Jasharit dhe Familjes së Tij". Dhe do të ishte më se e duhur që ky vit me rastin e 20- vjetori të kësaj ngjarje epokale , ky vit të shpallej edhe si Viti i Adem Jasharit, pasi sakrifica dhe qëndresa e tij dhe e familjes së tij për liri solli ndryshimin e jashtëzakonshëm, e cila solli lirinë dhe pavarësinë e Kosovës pas 100 vjetësh luftë, përpjekje, qëndresë e sakrifica mbinjerëzore të popullit heroik të Kosovës kundër shovinizmit më të egër dhe kundër gjenocidit më barbar të paparë në Bakllkan. Adem Jashari dhe familja e tij e kanë ngritur shumë lart lavdinë tonë kombëtare me të cilën gjithmonë do të krenohen brezat dhe e ardhmja jonë.

008- 2018, 10-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

Prej një shekulli Kosova vuajti nga padrejtësia më e madhe që i është bërë ndonjë populli të Evropës, pas copëtimit që i bënë Fuqitë e Mëdha të Evropës Shqipërisë në vitin 1913, duke e lënë Kosovën nën Serbi. Historia 100- vjeçare e Kosovës deri në çlirimin dhe Pavarësimin e saj është një histori rezistence dhe qëndrese mbinjerëzore e pashembullt për ekzistencë; është histori lufte për liri dhe të drejta njerëzore dhe është histori lufte ,rezistencë e qëndresë për liri e të drejta kombëtare; është rezistencë, qëndresë, përpjekje e sakrifica mbinjerëzore për t'iu bashkangjitur Shqipërisë, të cilën gjithnjë shqiptarët e Kosovës dhe të trojeve shqiptare e kanë konsideruar dhe e konsiderojnë si shteti Amë. Këtë shkrim të shkurtër e shkrova për t'ia kujtuar politikës, pushtetit dhe institucioneve të Kosovës se a mos i kanë harruar sakrificat, mundin, gjakun dhe vuajtjet e atyre brezave prej të cilëve sot kemi Kosovën shtet të lirë dhe të pavarur, a mos e kanë harruar amanetin e tyre për një Kosovë të lirë, demokratike, të mirëqenë ku të qeverisë dhe të sundojë liria dhe drejtësia dhe ku të ketë mirëqenie, punë, qetësi e siguri. Apo mos i keni shfrytëzuar duke spekuluar me sakrificat e dëshmorëve dhe të heronjve, me vuajtjet dhe stërmundimet e brezave të së shkuarës thjesht vetëm për interesat tuaja personale, familjare e klanore politike, pushteti, autoriteti, përfitimi dhe pasurimi, të cilat do të përbënin tradhti?!

(Kosova Sot)

2 orë e 21 minuta më parë
20/10/18