Pse Ramush Haradinaj...? - Opinione - Kosova Sot
Pse Ramush Haradinaj...?

Pse Ramush Haradinaj...?

Lakmia për fotele e për para

SHKRUAN: RESHAT BADALLAJ - ZHURIANI

Ramush Haradinaj, që në popull njihet si 'Rambo', por i kishte treguar dhëmbët moti që do me çdo kusht të bëhet kryeministër i vendit dhe kurrë nuk e fshehu lakminë për shkamin e të parit dhe me zor të madh u bë, me pazaret e nëntokës, se u bënë bashkë, krahu i luftës, si i thonë:"Për inat të vjehrrës, shkoi nusja në shtratin e mullingjiut". Me t'u ulur në këtë shkam, Rambo, për të treguar veten se është punëtor, natën nuk e kishte marrë gjumi dhe të nesërmen kishte marrë një shpuzë, një kovë ujë, dhe kishte dalë për të pastruar xhamat e objektit të qeverisë që disa banditë i kishin përlyer me ngjyrë të kuqe. 'Rambo' nuk ndalet me këtë, por vazhdon yryshin e tij, duke e bërë qeverinë më të madhe në planetin tokë, me ministra e zv. ministra, duke futur akraballëk, baxhanakë, boxhenakesha, dhëndurë e kush e di se a ka mbetur jashtë pa hyrë në këtë kope, nejse i bëri mbi 70 zv.ministra që shpeshherë e pranon edhe vetë se nuk e di numrin e saktë se sa ka. Vetëm se ia kalon Amerikës, Kinës, Indisë se mos të flasim më për vendet në Evropë. Dhe, hesapi po del shumë shtrenjtë, që duhet paguar këta argatë, diku rreth një milion euro. Nejse, nuk është fare problem, se 'Rambo' ka para nga thesari.

Mendoni vetëm për rritje rrogash

'Rambo', i pakënaqur me pasurinë që ka, jo vetëm me shtëpi, motorë, vetura dhe male të tij deri në Çakorr, i rriti rrogën së pari vetes, sepse nuk i dalin për kollare, po nuk e harroi as pashain e madh, Hashimin e Brojës. Kurse punë e madhe se veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës a i marrin apo nuk i marrin, punë e madhe se populli a ka bukë për të ngrënë, apo para për ilaçe. Me rëndësi ishte se 'Rambo' rriti rrogën e tij, të argatëve dhe të pashait të tij. Posa mori rrogën, 'Rambo' nuk u bë rehat dhe hajt babë e ia mësyn në Zvicër, në hotelin më të shtrenjtë në botë, ku kanë pushuar LORDAT më të mëdhenj se kushdo nuk ka mundësi të shohë qytetin se të mos flasim se mund t´i shkelë këmba në pragun e këtij hoteli. Të mos flasim për shpenzimet se sa i kushtoi. Me rëndësi është që 'Rambo' ynë u kthye shëndosh e mirë dhe nuk e futi kush në hapsane, sepse kjo ishte marrëveshje... 'Rambo' nuk e di një ditë u zgjua esëll dhe vetëm një shejtan e di se çka e ndërseu kundër Amerikës, aleatit më të fuqishëm në botë dhe më meritori për Pavarësinë e Kosovës dhe miqve tjerë si Bashkimi Evropian, kundër Gjykatës Speciale, që në fund të fundit këta vetë ngritën duart lart dhe e aprovuan. Nuk e preku fiqirin fare se sa e rrezikshme është kjo lojë e pistë dhe e dëmshme kundër vendit tonë.

Turpi më i madh i shekullit

Ç´është e vërteta, 'Rambo' kishte ndërsyer dikë tjetër që të ngrihet dhe t'í bie murit me kokë, me gjasë se dikush nga familja e tij do të ndiqet. Vetëm ata e dinë. Këta vërtet duhet rënë murit me kokë se ku i kishin mendtë, se si e pranuan një Gjykatë të tillë të merret vetëm me shqiptarët dhe jo me krimet e çetnikëve serbianë dhe mercenarëve rusë, që vranë mijëra shqiptarë, dhunuan mijëra femra shqiptare, dogjën tokën e Kosovës, por, tani vajtojnë si qyqja në lis... Dhe, për të mos e zgjatur muhabetin më tej dhe për të mos i rënë rrotull, 'Rambo' me argatët e tij, që jetojnë me djersën e popullit, bënë turpin më të madh të shekullit. U ngritën në këmbë për t´i mbajtur një minutë heshtje kriminelit Oliver Ivanoviq, që ishte vrarë ditë më parë. Ky kriminel lufte, që në fund të fundit është shpallur zyrtarisht i dënuar me 9 vjet burg për vrasjen e civilëve shqiptarë në Kosovë! Turp, turp, turp, e paç faqen e zezë! Përse Ramush Haradinaj i ngrite për mort argatin tuaj, për një kriminel lufte që kishte vrarë shumë civilë shqiptarë në Kosovë pa pikë faji. Përse shkele në gjakun e dëshmorëve, e haram të qoftë, e ditë të bardhë mos pafsh e mos qofsh! Nderove një kriminel lufte që kishte vrarë civilë të pafajshëm, duke menduar se do të marrësh ndonjë kockë karshi botës. Gabim, se nuk fitohet me kriminelë, duke shkelur gjakun e popullit shqiptar. Për këto që flas dhe shkruaj mbaj përgjegjësi morale, penale e juridike.

(Kosova Sot)

17 orë e 35 minuta më parë
18/02/18