Pse një votim i dytë rreth Brexitit do të ishte ide e keqe?

Pse një votim i dytë rreth Brexitit do të ishte ide e keqe?
  • 27 January 2018 - 10:32

LARGIMI I BRITANISË SË MADHE NGA BE-JA

Pyeteni veten se deri ku do të shkonte Emanuel Macron për ta kthyer Britaninë në BE?

Shkruan: James Kirkup

Sikur dikush që votoi kundër Brexitit, i cili beson se, si anëtarësia në BE, po ashtu edhe migrimi evropian, në përgjithësi, kanë qenë të dobishme për Britaninë, për ekonominë dhe shoqërinë e saj, do ta them atë që nuk e them shpesh - Nigel Farage ka të drejtë! Ka të drejtë rreth asaj se çka do të ndodhte sikur Britania ta mbante një referendum të dytë rreth BE-së. Ka të drejtë se, një votim i dytë rreth anëtarësisë në BE në aspektin afatshkurtër, do të vriste, me gjasë përjetë, çdo shans të rindërtimit të një raporti domethënës me BE-në. Ka të drejtë rreth asaj se, kundërshtarët e Brexitit duhet të kenë kujdes çka dëshirojnë. 

Mbështetësit e Brexitit ishin mashtruar

Kërkesa pasionuese rreth një votimi të dytë jehon zëshëm në mediat sociale, të cilat kanë një ndikim të tepërt në debatin politik britanik. Hyni në "Twitter" ose "Facebook" dhe shkruani shkronjat FBPE ("Follow Back", "Pro-EU") dhe shumë shpejt do t'ju duket sikur të gjithë pajtohen se Brexiti është katastrofë, se të gjithë tani kuptojnë se mbështetësit e Brexitit ishin mashtruar për të votuar pro dhe se tani do ta mirëprisnin një shans për ta ndryshuar mendjen dhe për ta mbajtur Britaninë në BE. Por, nëse dilni nga 'guaca' dhe dilni nga Londra, atëherë do të shihni se janë të paktë ata mbështetës të Brexitit, të cilët tani e kanë ndryshuar mendjen. Brexiti mund të jetë një fatkeqësi e madhe, por ai është një fatkeqësi e madhe që ende nuk është përjetuar dhe nuk është parë nga miliona njerëz. Në fakt, gjëja më mbresëlënëse rreth mendimit publik në lidhje me Brexitin, nuk është se sa njerëz kanë ndryshuar mendjen që nga mbajtja e referendumit, meqë të gjitha anketat tregojnë se mendimet e njerëzve, si para, po ashtu edhe pas referendumit, mbesin stabile dhe të qëndrueshme. Natyrisht, kjo do të mund të ndryshonte po të mbahej një referendum tjetër. Ndoshta kampanja për të mbetur në BE do të mësonte nga dështimet e vitit 2016 dhe, kësaj here, do të angazhohej me faktorët kulturorë dhe socialë, të cilët ndikuan që të fitonin mbështetësit e Brexitit, në vend se të mbështeten vetëm te një kërcënim i thjeshtë ekonomik. Por, deri më tani, nuk ka ndonjë arsye për ta bërë një gjë të tillë: ende ka shumë të tillë që besojnë se, krejt ajo që nevojitet, është një leksion tjetër rreth tmerreve të Brexitit dhe, mbështetësit e tij përfundimisht do ta kuptojnë se sa të marrë ishin dhe tani do të pendohen. Ose, ndoshta mashtrimi më i madh i kundërshtarëve të Brexitit është se, të gjithë mbështetësit e Brexitit që të gjithë janë pensionistë të moshuar, të cilët do të vdesin së shpejti, duke e lënë Britaninë me një shumicë kundër Brexitit. Përpos që është e pashije dhe pa ndonjë bazë statistikore, ky pretendim po ashtu tregon shumëçka: nëse të gjitha shpresat i keni varur te 'egjeli', atëherë pranoni se nuk jeni të aftë që të fitoni me fuqinë e argumentit, apo bindjes. Apo, e kemi edhe mashtrimin se, për ta rikthyer Britaninë, të 27 vendet e BE-së do ta bëjnë një koncesion të madh, të papritur, psh, rreth lirisë së lëvizjes? Në realitet, nuk ka thuajse asnjë shenjë se shtetet e tjera të BE-së duan ta zhbëjnë referendumin britanik. BE-ja tanimë ka filluar që të përqendrohet te prioritetet dhe debatet e tjera. Pyeteni veten se deri ku do të shkonte Emanuel Macron për ta kthyer Britaninë në BE? Dhe, sa do t'i ndihmonte atij prania anglosaksone në Këshill, për të çuar përpara planet e tij për një "Evropë që mbron"? Përpos një kampanje më të mirë pro mbetjes në BE dhe një oferte më të mirë të BE-së, çka tjetër do të kishin votuesit britanikë me rastin e një referendumi të dytë? Një makineri të zemëruar, të motivuar edhe më të fortë pro largimit nga BE-ja. "Ju tanimë keni votuar. E keni ditur se për çka ishit duke votuar - por, këta njerëz, thjesht, nuk duan t'iu dëgjojnë. Duhet të bërtitni më shumë", do të mund të thoshte Farage në atë kampanjë. "Cilën pjesë të fjalisë 'largimi nga BE' nuk e kanë kuptuar atë? Përdoreni votën tuaj kësaj here, që të përkujdeseni që elitat londineze ta marrin mesazhin e duhur". 

Kampanja për referendum

Dhe ai, mendoj, do ta gjente veten në anën e njëjtë të referendumit, jo vetëm me lidershipin e Partisë konservatore, por edhe me ekipin opozitar laburist të Jeremy Corbyn'it. Unë mendoj se një kampanjë e tillë jo vetëm që do të fitonte, por do të fitonte me një margjinë më të gjerë sesa në vitin 2016. Frika ime është se, pas një fitoreje të arritur pas një kampanje me zemërim dhe kritika më të ashpra sesa në vitin 2016, Britania do të mbetej me një politikë edhe më të përçarë dhe jofunksionale, sesa që është sot. Në vend të ndjekjes së një ëndrre të rrezikshme të një referendumi të dytë, një përdorim më i mirë i energjisë do të ishte përqendrimi i saj kah Tregu i përbashkët. Me gjasë në Parlament ekziston një shumicë për një Brexit i cili e mban Britaninë në Tregun e përbashkët dhe, me gjasë, një shumicë e tillë ekziston edhe në vend. Në vend se të përpiqen për ta zhbërë referendumin e vitit 2016, ata që janë kundër Brexitit duhet të përpiqen që të gjejnë aleatë në anën tjetër: te mbështetësit e Brexitit, të cilët do ta mbështetnin edhe Tregun e përbashkët, e të cilët besojnë se anëtarësimi i llojit të Norvegjisë, apo EFTA, a diçka tjetër, të ngjashme, mund ta nderojë si kërkesën për të dalë nga BE-ja, po ashtu edhe për të evituar dëmet e mëdha ekonomike ndaj BE-së. Për këtë shkak, kundërshtarët e Brexitit duhet t'i kushtojnë më shumë vëmendje Farage-it sot. Për fat të keq, ai ka të drejtë! 

(Kosova Sot)