Zgjedhjet e reja dhe proceset e dëmtuara demokratike?

Zgjedhjet e reja dhe proceset e dëmtuara demokratike?
  • 30 January 2018 - 08:38

Demokracia ka rënë në shkallën më të ulët

SHKRUAN: SKËNDER MULLIQI

Nuk ka shumë kohë që zgjedhjet nacionale dhe zgjedhjet lokale i kemi lënë mbrapa. Pa u harruar mirë kanë filluar të përmenden zgjedhjet e radhës nacionale, sepse nuk po qetësohet situata politike, ajo po tensionohet gjithnjë e më shumë nga problemet e grumbulluara. Disa ndajnë mendimin se zgjedhjet nuk duhet të kemi kohë e pa kohë, duke e ditur se ato janë të kushtueshme !Bukur shumë po ndajnë mendimin se duhet të shkojmë në zgjedhje të reja se kjo qeveri nuk është në gjendje t'u japë rrugë Demarkacionit, "Zajednicës", formimit të Ushtrisë... e sidomos pas përpjekjeve të shfuqizimit të Gjykatës Speciale, ku janë dëmtuar shumë marrëdhëniet me faktorin ndërkombëtar. Kosova është izoluar që shumë kohë për shkak se kjo klasë politike nuk është në gjendje ta përfundojë si duhet fazën e rëndësishme të tranzicionit.

Demokracinë dhe lirinë e paguam shumë shtrenjtë

Nga pozicionet e ndryshme politike vijmë deri të konkludimi se demokracia në Kosovë ka rënë në shkallën më të ulët në këto 18 vite. Thënë saktësisht, kjo tregon se me proceset demokratike nuk kemi arritur askund. Në politikën postkomuniste nuk po zgjidhen metoda dhe mjete dhe as nuk po kemi mirëkuptim para sfidave që sjell faza e tranzicionit. Dobësitë e shumta të sistemit dhe dobësitë e shfaqura në udhëheqje nga këto struktura dekadente politike kanë bërë që kriza politike dhe kriza ekonomike dhe sociale të thellohen gjithnjë e më shumë. Nëse zgjedhjet e reja janë të kushtueshme, shtrohet pyetja cila është alternativa. Të lejohet diktatura? Ndoshta mos të dalim fare në votime , apo të krijojmë standarde për zgjedhje normale dhe të ndershme. Qytetarët sigurisht se shumë iu kanë gëzuar sistemit shumëpartiak pas diktaturës së egër komuniste dhe okupimit shumëvjeçar nga serbosllavët. Demokracinë dhe lirinë e paguam shumë shtrenjtë. Dhe, pas gjithë atyre vështirësive dhe përpjekjeve, t'i stopojmë këto procese pa të cilat nuk do të kemi prosperitet dhe zhvillim të gjithmbarshëm , është e pakuptueshme dhe shumë e palogjikshme. Dihet se nuk është lehtë të ballafaqohemi me zgjedhje të treta brenda një harku kohor shumë të shkurtër, por megjithatë zgjedhjeve u jep kuptim sistemi pluralist shumëpartiak, të cilin e kemi zgjedhur.

Kemi korrupsion dhe krim me bollëk

Në shtetet normale me demokraci të lartë dhe sistem të rregulluar, zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk paraqesin ndonjë problem serioz që të mbahen. Kur janë institucionet kredibile, kur qytetarët u besojnë këtyre institucioneve , kur kemi veçmas sistem të drejtësisë të mirëfilltë dhe të pakorruptuar, ndërrimi pushteteve bëhet pa turbulenca. Ky është pikërisht problemi madhor në Kosovë. Nuk po funksionon asnjë sistem ashtu si duhet, kemi korrupsion dhe krim më bollëk , hajni çfarë të duash, dhe kjo natyrisht se e vështirëson shumë situatën. Disa thonë se zgjedhjet e shpeshta janë të dëmshme për investime të jashtme , por edhe ashtu nuk po kemi investime dhe investitorë të jashtëm, për shkak të pasigurisë së mjaftueshme. Kosovës i duhet më shumë së kurrë stabilitet politik dhe stabilitet ekonomik, duhet hapur perspektiva të reja, e jo të mbyllen ato. Nëse dëshirojmë të bëhemi shtet serioz, nuk duhet të lejojmë që kjo gjendje të vazhdojë. Nuk guxojmë të bëhemi rob të grupeve të caktuara përfituese politike dhe qarqeve të caktuara të fuqishme të biznesit. Duhet të ndërtojmë strategji të reja shumë serioze për të mirën e qytetarëve. Nuk duhet lejuar që të bëhemi vrojtues statikë i gjithë asaj që po ndodh më Kosovën dhe rreth Kosovës. Po na defilojnë figura të njëjta dhe të konsumuara politike. Këto figura tashmë jo vetëm që janë bërë të dëmshme për të ardhmen e Kosovës. Dihet se zgjedhjet kushtojnë me miliona euro. Do të kishte mundësi që më ato para të bëhet shumëçka tjetër në të mirë të qytetarëve. Demokracia çfarë ekziston në shtetet Perëndimore, të ne sigurisht se nuk e kemi. Ndryshimet dhe thyerja e gjatë e heshtjes duhet të ndodhin gjithsesi, nëse dëshirojmë që mos të mbetemi në status-kuo politike dhe ekonomike, dhe shteti mos të mbetet më shumë si nocion abstrakt. Demokracia sigurisht se nuk ka çmim..

(Kosova Sot)