Realiteti në Shqipëri, si te melodramat e Raxh Kapurit - Opinione - Kosova Sot
Realiteti në Shqipëri, si te melodramat e Raxh Kapurit

Realiteti në Shqipëri, si te melodramat e Raxh Kapurit

Kryehajdutët thërrasin qe të ndëshkohet hajduti

Shkruan: SKËNDER S.KAPITI

Hajdutët dhe grabitqarët e pushtetit vjedhin e grabisin miliona dollarë të taksapaguesve shqiptarë dhe pasuritë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve dhe i fshehin paratë jashtë Shqipërisë nëpër parajsat fiskale si Ali Baba me hajnat e tij dikur thesaret e floririt nëpër shpella 

Po ta shohim nga afër realitetin shqiptar kudo, dhe jo vetëm në periferi të kryeqytetit dhe në zonat e thella rurale, realiteti të sjellë në mendje melodramat e Raxh Kapurit të Indisë si varfëria, papunësia, strehimi, pisllëku e ndotja, mjerimi, numri i madh i lypsarëve, hajnia, mashtrimi, krimi e korrupsioni. Në Shqipëri, si shqiptarë ka mbetur toka e shqiptarëve dhe shpirti i tyre shqiptar, dhe të tjerat janë nga evropistani dhe i pazarit të gabit. Gjithçka vjen nga jashtë, edhe rrobat, edhe këpucët, pantallonat, ngrënia, buka, drithërat, mishi, ushqimi, por edhe melodia e muzika e tallavaistanit; por edhe të këqijat si: bixhozi, filmi, divorci,droga,moda, pornografia dhe lakuriqësia e perëndimistanit. 

Është thelluar pabarazia, polarizimi dhe sidomos padrejtësia

Shiko a nuk është sot më keq se dikurshëm pasi një pakicë njerëzish të cilët e kanë në dorë pushtetin , paranë,ekonominë, gjyqin, median, reklamën , autoritetin e VIP-it dhe drejtësinë dhe të gjitha të mirat e tjera si arsimimin ,shëndetësinë, strehimin dhe nuk dinë se çfarë të bëjnë me pasurinë dhe me luksin e shfrenuar dhe mendojnë vetëm për pangopësinë për të zhvatur e grabitur para e pasuri, ndërsa shumë shqiptarë e kanë problem punën, ushqimin, ujin, shkollimin e strehimin, pra mbijetesën. Në Shqipëri është thelluar pabarazia, polarizimi dhe sidomos padrejtësia. Fshati shqiptar i braktisur, tokat dhe oborret punohen me bel e me parmenda akoma; në oborr të shtëpisë fshatarët kanë kasollen , mullarin e barit, kotecin e pulave dhe grumbullin e plehut; pa ujë të pijshëm dhe me dritë elektrike si kandili. Një shi apo stuhi dhe gjithçka përmbytet se del lumi dhe ua përmbyt tokën dhe shtëpitë, ua rrëmben orenditë e bagëtitë, pra si mos më keq apo si thotë edhe një fjalë: i merr lumi.

Të papunët janë më të braktisurit

Shqipëria nuk ka ku t'i çojë mbeturinat e plehrat e veta, por herë me ligj e herë pa ligj importon edhe plehra e mbeturina nga evropistani(nga vendet evropiane), dhe është bere si një vend grumbullimi me gropa e me grumbuj mbeturinash qe duken e digjen kudo rreth e përqark qyteteve. Hajdutët dhe grabitqaret e pushtetit vjedhin e grabisin miliona dollarë të taksapaguesve shqiptarë dhe pasuritë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve dhe i fshehin paratë jashtë Shqipërisë nëpër parajsat fiskale si Ali Baba me hajnat e tij dikur thesaret e floririt nëpër shpella, ndërsa pensionistët dhe fukarenjtë të cilët nuk kanë mundësinë për të paguar as ujin dhe as dritat gjobiten dhe burgosen. Kryehajdutët thërrasin qe të ndëshkohet hajduti, pushteti i të fortit ndëshkon të pafuqishmin dhe të dobëtin; fukarenjtë, të papunët janë më të braktisurit dhe të harruarit të cilët nuk gjejnë as strehe, as mbrojtje e as përkujdesje as nga pushteti, as nga shteti, as nga spitali dhe as nga drejtësia. Në ndonjë rast festash dhe për Vitin e Ri vjen "bujaria","zemërgjerësia" e "bamirësve" e kryetarëve si e kryebashkiakut të Tiranës i cili "jep" falas ndonjë vakt supe për fukarejtë dhe vjen edhe "mirësia" ajo e kryeministrave të Shqipërisë që "shpërblejnë" pensionistët me nga një gjysmëgjeldeti nga buxheti i shtetit. A nuk është ky realiteti "modern " në Shqipërinë e "kanabistanit" si te melodramat e R.Kapoor-it të Industanit.

GJITHÇKA VJEN NGA JASHTË, EDHE RROBAT, EDHE KËPUCËT, PANTALLONAT...

(Kosova Sot)

19 orë e 11 minuta më parë
25/06/18