Sigurimi i tranzicionit digjital

Sigurimi i tranzicionit digjital
  • 10 February 2018 - 17:22

SIGURIA KIBERNETIKE GJENDET LART NË LISTËN E SHQETËSIMEVE GLOBALE

Politikëbërësit duhet të zhvillojnë një qasje të mençur ndaj disa çështjeve problematike

Shkruan: CARL BILDT

Çdo vit, Forumi Ekonomik Botëror publikon Raportin e rreziqeve globale, i cili përmbledh pikëpamjet e ekspertëve dhe politikëbërësve nga e tërë bota. Sivjet, siguria kibernetike gjendet lart në listën e shqetësimeve globale, sikur që edhe duhet të jetë. Në vitin 2017, bota ishte dëshmitare e një eskalimi të vazhdueshëm të sulmeve kibernetike dhe shkeljeve të sigurisë, të cilat ndikuan në të gjitha pjesët e shoqërisë. Nuk ka arsye për të besuar se viti 2018 do të jetë i ndryshëm. Implikimet janë të gjera. Sa më shpejt që të jetë e mundur, duhet të ballafaqohemi me qeverisjen në internet, si dhe qeverisjen e internetit. Përndryshe, mundësitë e ofruara nga teknologjitë digjitale mund të humben në kuadër të një gare rregullatore ligjore dhe të armatimit, të kompletuar me kufij të rinj dhe me tensione të reja globale. Në shumë aspekte, bota jonë vazhdon që të jetë e organizuar brenda një kornize Westphaliane. Shtetet me kufij kryesisht të pranuar, janë blloqet ndërtimore të sistemit ndërkombëtar. Ndërveprimet e tyre, si dhe gatishmëria për ta ndarë sovranitetin, e përkufizojnë rendin ekzistues botëror. Por, globalizimi gradualisht ka ndryshuar realitetet në terren. Dhe, derisa forca e tij sot është duke u rrëmbyer nga gjeopolitika, dhe nga impulsi për ta ngadalësuar hapin e ndryshimeve teknologjike, transformimi digjital do ta nxitë globalizimin, por në një formë tjetër. Në fund të fundit, tipari kryesor i internetit është arkitektura e tij jo territoriale. Duke thyer kufijtë tradicionalë, ai paraqet një sfidë direkte për vetë themelet e rendit Westphalian.

Parimet kibernetike

Ky është një zhvillim tepër pozitiv, meqë lehtëson shprehjen e lirë dhe këmbimin ndërkufitar të mallrave dhe ideve. Por, sikur edhe me shpikjet njerëzore, interneti mund të abuzohet, sikur që dëshmohet nga rritja e kriminalitetit kibernetik, keqtrajtimit online, fjalimeve të urrejtjes, nxitjes për dhunë dhe radikalizimit online. Minimizimi i abuzimeve të tilla në vitet e ardhshme, do të kërkojë një bashkëpunim të afërt ndërkombëtar, për të vënë dhe sforcuar rregullat e përbashkëta. Zgjidhja nuk qëndron te izolimi, meqë asnjë qeveri si e vetme nuk mund ta zgjidhë këtë problem. Me kalimin e kohës, janë paraqitur disa organizata, për të bashkuar komunitetin teknik, bizneset, qeveritë dhe shoqërinë civile. Dhe, organet si ICANN (Bashkëpunimi në internet rreth emrave dhe numrave të ndarë-caktuar), IETF (Task-forca e inxhinieringut në internet) dhe W3C (Konzorciumi 'World Wide Web') tani ofrojnë një qeverisje 'de facto' të arkitekturës së internetit. Por, qeverisja në internet është shumë më komplekse. Këtu, terreni institucional është sa i stërngarkuar, po aq edhe i parregulluar. Ai është i stërngarkuar meqë pjesëmarrësit e shumtë janë duke garuar për ta formësuar kornizën normative të hapësirës kibernetike. Shumë vende kanë ministri të shumta relevante që e rregullojnë aktivitetin online. Uebsajtet dhe shërbimet online kanë udhëzime të ndryshme të komunitetit dhe kushte të shërbimit. Zhvilluesit e sektorit privat dhe publik përcaktojnë dizajnin e infrastrukturës ndryshuese të infrastrukturës. Dhe, grupe të shumta të shoqërisë civile janë duke propozuar parimet e tyre kibernetike, derisa organizatat ndërkombëtare tentojnë që të arrijnë marrëveshje multilaterale. Terreni mbetet i pacaktuar meqë bashkëpunimi ndërqeveritar ka ngecur, për shkak të prioriteteve kundërshtuese të vendeve të ndryshme. Edhe më keq, ende ka pak hapësira që janë të dedikuara që aksionarët të ndërveprojnë dhe të arrijnë deri te zgjidhjet operacionale. Në mungesë të kornizave të dakorduara së bashku, qeveritë do të tentojnë që të adoptojnë masa të njëanshme afatshkurtra, me qëllim të adresimit të shqetësimeve të menjëhershme, apo si përgjigje ndaj presionit vendor politik. Por, duke vepruar kështu, ato mund ta shkaktojnë një dinamikë e cila, në vend se t'i zvogëlojë, ndikon në rritjen e tensioneve ndërkombëtare. Qeverisja digjitale prek gjithçka, duke filluar nga siguria kibernetike, e deri te ekonomia dhe të drejtat e njeriut. Për më tepër, masat për ta adresuar një dimension, lehtë mund të ndikojnë edhe te të tjerët, gjë që d.m.th. se vendimet e pakoordinuara politike mund të kenë pasoja të gjera negative. 

Koherenca politike

Kur pata nderin ta kryesoja Komisionin global rreth qeverisjes në internet, raporti ynë i vitit 2016 nënvizonte këto rreziqe dhe apelonte për një "Kontratë sociale" për të siguruar që interneti i së ardhmes do të ishte i qasshëm, gjithëpërfshirës, i sigurt dhe i besueshëm. Që nga atëherë, progresi ka qenë i limituar. Fatmirësisht, Komisioni Global rreth Stabilitetit të Hapësirës kibernetike, së fundmi lëshoi një "Thirrje për të mbrojtur esencën publike të internetit". Dhe, Konferenca e ardhshme e internetit global dhe juridiksionit, në Otavë, do të ofrojë një mundësi tjetër të vlefshme për politikëbërësit që të vazhdojnë që të punojnë kah arritja e një zgjidhjeje. Procedurat teknike dhe legale janë esenciale për formësimin e tranzicionit global nga epoka industriale, te ajo digjitale. Me qëllim të evitimit të një gare legale, politikëbërësit duhet të zhvillojnë një qasje të mençur ndaj disa çështjeve problematike, duke filluar nga kornizat e asistencës së dyanshme për hetimet e rolit të administratorëve të emrit të domenit dhe ofruesve të shërbimeve, në adresimin e fjalimit abuziv online. Arritja e koherencës politike në juridiksione të ndryshme, duhet të jetë prioritet kryesor. Për ta bërë një gjë të tillë, do të nevojiten ndërveprime direkte, të qëndrueshme në mesin e të gjitha palëve të interesuara. Vetëm atëherë mund ta krijojmë një kornizë për ruajtjen e natyrës ndërkufitare të internetit, të mbrojmë të drejtat e njeriut, ta luftojmë abuzimin dhe ta mbajmë një ekonomi digjitale me të vërtetë globale. Sikur që deklaroi Kofi Annan në vitin 2004, "duke menaxhuar, promovuar dhe mbrojtur praninë e internetit në jetët tona, ne nuk duhet që të jemi më pak kreativë, sesa ata që e shpikën atë". Westphalia i takon së kaluarës. Ajo që vjen më pas, varet nga ne.

(Carl Bildt ishte ministër i Jashtëm i Suedisë nga viti 2006 deri në tetor të vitit 2014). 

(Kosova Sot)