Liria e fjalës në epokën e filtrit

Liria e fjalës në epokën e filtrit
  • 01 March 2018 - 11:39

PLATFORMAT E MEDIEVE SOCIALE

Në një demokraci, të drejtat e shumicës nuk mund të vijnë në shprehje në dëm të të drejtave të pakicës

Shkruan: Alexandra Borchardt 

Refuzimi i mbrojtjes së publikut nga përmbajtjet e rrezikshme, në emër të 'lirisë së shprehjes', në fakt u shërben interesave të atyre që janë tanimë të privilegjuar, duke filluar nga kompanitë e fuqishme, të cilat edhe merren me përhapjen e informacioneve 

Ligji gjerman për zbatimin e rrjetit - sipas të cilit platformat e mediave sociale, sikur 'Facebook' dhe 'YouTube' mund të dënohen me gjoba deri në 50 milionë euro për çdo postim 'qartazi ilegal' brenda 24 orëve pas marrjes së njoftimit - ka qenë kontrovers që nga fillimi. Pasi që hyri në fuqi në janar, ka pasur kritika të ashpra nga i tërë spektri politik, duke e cilësuar këtë ligj si censurë. Ata thoshin se qeveria gjermane ishte dorëzuar para interesave private. Pra, a kemi të bëjmë këtu me fillimin e fundit të lirisë së fjalës në Gjermani? Natyrisht se jo. Le ta kemi të qartë, Netzwerkdurchsetzungsgesetz (ose NetzDG), është rregullimi më i ashpër i këtij lloji në një Evropë, e cila është duke u bërë gjithnjë e më e mërzitur nga kompanitë e fuqishme amerikane të mediave sociale. Dhe, kritikët kanë disa pika të qëndrueshme rreth dobë- sive të ligjit. Por, mundësitë e lirisë së shprehjes do të mbesin të shumta, edhe nëse disa postime fshihen gabimisht. E vërteta është se, ky ligj, ofron një mesazh të rëndësishëm: demokracitë nuk do të heshtin derisa qytetarët e tyre të jenë të ekspozuara ndaj fjalimeve dhe pamjeve të urrejtjes dhe dhunës - përmbajtje të cilat, sikur që e dimë, mund të nxisin dhunë dhe urrejtje në jetën reale. 

Algoritmet mund të programohen sipas dëshirës së kompanisë

Refuzimi i mbrojtjes së publikut nga përmbajtjet e rrezikshme, në emër të 'lirisë së shprehjes', në fakt i shërben interesave të atyre që janë tanimë të privilegjuar, duke filluar nga kompanitë e fuqishme të cilat edhe merren me përhapjen e informacioneve. Fjala gjithmonë është filtruar. Në shoqëritë demokratike, kushdo e ka të drejtën që të shprehet lirshëm, në kuadër të kufizimeve të ligjit, por askujt kurrë nuk i është garantuar audienca, publiku. Për ta pasur një ndikim, qytetarët gjithmonë kanë qenë të detyruar t'iu drejtoheshin 'rojeve të portës', të cilët vendosin se cilat kauza dhe ide janë relevante dhe që ia vlejnë të transmetohen, qoftë nëpërmes mediave, institucioneve politike, apo protestave. Kjo është e vërtetë edhe sot, me të vetmin dallim që 'portierët' tani janë në formë të algoritmeve, të cilat në mënyrë automatike filtrojnë dhe klasifikojnë të gjitha kontributet. Natyrisht, algoritmet mund të programohen sipas dëshirës së kompanisë. Por, platformat e mediave sociale të sotme, janë më të prira që prioritet t'i japin potencialit për përfitime nga reklamat, mbi çdo gjë tjetër. Për këtë shkak, atyre më të zhurmshmëve iu jepet megafoni, derisa atyre që janë më pak polarizues, zërave më pak të privilegjuar, iu vihet bllok, edhe nëse ata ofrojnë perspektiva më të mençura, të cilat me të vërtetë mund ta pasurojnë diskursin publik. Nëse algoritmi nuk e bën punën e heshtjes së zërave më pak të privilegjuar, atëherë 'mashtruesit online' (troll) e shfrytëzojnë këtë zbrazëti, duke bërë fjalime të urrejtjes dhe kërcënimit ndaj kujtdo që vendosin ata. Femrat dhe pakicat kanë më së shumti gjasa që të jenë viktima të keqtrajtimit 'online', por në teori, mund të sulmohet kushdo. Për shembull, blogeri gjerman Richard Gutjahr u bë objekt i teorive të konspiracionit dhe cak i keqtrajtimeve intensive, pasi që ishte i pranishëm në dy sulme terroriste, që ndodhën me një javë dallim njëri me tjetrin. 

Mbrojtja shtesë

Viktimat e keqtrajtimit online shpesh reagojnë me autocensurë dhe, shumë prej tyre, për shkak të mungesës së sigurisë largohen në tërësi nga mediat sociale. Për këtë shkak, ofrimi i një mbrojtjeje të përgjithshme, në emër të 'lirisë së shprehjes' nga ana e shteteve, në fakt privilegjon fjalimet e urrejtjes. Por, pse të drejtat e viktimës duhet të vlejnë më pak sesa ato të keqtrajtuesve të saj? Në një demokraci, të drejtat e shumicës nuk mund të vijnë në shprehje në dëm të të drejtave të pakicës. Në epokën e algoritmeve, qeveritë duhet që të sigurojnë mbrojtjen e zërave të brishtë, edhe nëse, herë pas here, anojnë kah ana e viktimës. Nëse njerëzit tanimë të brishtë (ndjeshëm) bëhen pre e kërcënimeve nga ekstremistët dhe agresorët, është tërësisht e kuptueshme që ata do të kenë frikë që të flasin. Nëse ndodh kjo, atëherë mund të themi se ka vdekur 'liria e fjalës'. Jo të gjithë kritikët e NetzDG e refuzojnë këtë vlerësim: disa prej tyre pajtohen se zërat e më të ndjeshmëve, kanë nevojë për mbrojtje shtesë. Por, ata thonë se mbrojtjet e nevojshme tanimë janë në përdorim. Fundja, ofendimet e rënda dhe nxitja e urrejtjes dhe dhunës, janë gjëra të ndaluara dhe kryesit e tyre mund të përndiqen. P.sh., presidenti francez, Emmanuel Macron, favorizon që të përqendrohet te forcimi i aftësisë së sistemit gjyqësor për t'u marrë me fjalimet e urrejtjes dhe keqinformatat. Por, në epokën digjitale, shpejtësia është vendimtare. Teknologjia është instance dhe postimet online mund të përhapen brenda minutash. Institucionet demokratike veprojnë ngadalë, tepër ngadalë që policia dhe gjykatat të jenë efikase në luftimin e mashtruesve (troll) dhe urrejtjes online. Dhe, shumë viktima nuk janë në gjendje që të angazhojnë avokatë të mirë, sikur që bëri Gutjahr. Vetëm mbështetja te institucionet më të ngarkuara të shtetit nuk është një strategji efektive për mbrojtjen e fjalimit të lirë, në rrjetet e tashme të komunikimit digjital. Fjalimet e urrejtjes dhe llojet e tjera të përmbajtjeve ilegale dhe të rrezikshme, duhet të sulmohen që në burimin e tyre. Në njërën anë, ekziston nevoja për rritjen e leximit të mediave nga ana e konsumatorëve, të cilët duhet të mësohen, që nga mosha e re, rreth pasojave reale të fjalimeve të urrejtjes online. Në anën tjetër - gjë që tenton ta sigurojë NetzDG - platformat e mediave sociale duhet të sigurohen që produktet e tyre të jenë të dizajnuara ashtu që inkurajojnë përdorimin me përgjegjësi. Por, kjo nuk është zgjidhje e shpejtë. Përkundrazi, ajo kërkon një rishqyrtim fundamental të modeleve të biznesit, të cilat lehtësojnë, apo edhe shpërblejnë fjalimet e urrejtjes. Kompanitë nuk duhet të lejohen që të përfitojnë nga përmbajtjet e dëmshme, duke mos pasur përgjegjësi për pasojat e tyre. Në vend të kësaj, ato duhet që të revidojnë algoritmet e tyre në mënyrë më efikase dhe të ndërgjegjshme, për të shënjuar përmbajtjet të cilat njerëzit duhet t'i monitorojnë dhe t'iu qasen, duke tentuar që të ketë me të vërtetë një fjalim të lirë. Kjo mund të bie ndesh me logjikën e shëndoshë të biznesit, të bërjes gjithç- ka për të rritur përfitimet dhe vlerën e aksioneve. Por, nuk ka dyshim se kjo është më e mira për shoqërinë. Qeveria gjermane ka të drejtë që shtyn kompanitë në drejtimin e duhur.

(Alexandra Borchardt është drejtoreshë e Zhvillimit strategjik në Institutin e "Reuters"-it për studim të gazetarisë)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)