Hendeku që ndan reformistët e eurozonës

Hendeku që ndan reformistët e eurozonës
  • 04 March 2018 - 08:17

MËNYRA E MENAXHIMIT TË EMERGJENCAVE TË BORXHEVE SOVRANE

Shkruan: Tony Barber

Grupi i udhëhequr nga gjermanët vazhdon që ta kundërshtojë kontingjentin e Francës dhe Italisë, në lidhje me borxhin sovran 

Statistikat e Bankës Qendrore Evropiane tregojnë se bankat italiane vazhdojnë që të jenë të përfshira në borxhin qeveritar, përkundër asaj se e kanë zvogëluar ekspozimin e tyre që nga viti 2014, në më pak se 10% të aseteve të përgjithshme

Mënyra e menaxhimit të emergjencave të borxheve sovrane, është duke u shndërruar në një betejë të madhe në lidhje me reformën e eurozonës. Dy kampe të vendeve mbajnë ato që duken qëndrime diametralisht të kundërta. Nëse ato nuk gjejnë ndonjë kompromis, iniciativa e shumëpritur rreth forcimit të mbrojtjeve të valutës, nuk ka të ngjarë që të shkojë më larg sesa largimi i dyshimeve rreth ndjeshmërisë së valutës në krizat e ardhshme. Në njërën anë qëndron grupi i vendeve, të udhëhequra nga Gjermania, që insiston se dorëzanitë e emergjencës duhet të shkojnë krah për krah me ristrukturimin e borxheve, gjë që imponon humbje te poseduesit privatë të bonove qeveritare.

Italia është edhe më nervoz sesa Franca

Wopke Hoekstra, ministri holandez i Financave, mbrojti këtë argument në një intervistë me "Financial Times", të publikuar të mërkurën."Kjo është esenciale nëse gjërat nuk shkojnë si duhet", tha ai. Në anën tjetër, në rend të parë qeveritë e Italisë dhe Francës, thonë se ristrukturimi mandator i borxheve do të shkaktojë trazira në tregjet financiare, do ta rrezikojë shpërbërjen e eurozonës dhe do ta nxitë ekstremizmin politik të BE-së. Në fillim të muajit, Bruno Le Maire, ministri francez i Financave, përshkroi si 'vijë të kuqe' për Parisin propozimet për 'shkurtime' automatike në sektorin privat, gjatë bisedave të reformimit të eurozonës. Ndoshta, Italia është edhe më nervoz sesa Franca në lidhje me propozimet e frymëzuara nga Gjermania. Kjo zor se mund të befasojë duke pasur parasysh borxhi publik italian kap shumën e madhe prej 2.3 trilionë euro, rreth 130% të prodhimtarisë ekonomike vjetore. Në sytë e italianëve, çdo propozim për të shkaktuar humbje te pronarët privatë të borxhit sovran të Romës, mund të shkaktojë fatkeqësi në sistemin bankar. 

Hendeku i thellë

Statistikat e Bankës Qendrore Evropiane tregojnë se bankat italiane vazhdojnë që të jenë të përfshira në borxhin qeveritar, përkundër asaj se e kanë zvogëluar ekspozimin e tyre që nga viti 2014, në më pak se 10% të aseteve të përgjithshme. Debati midis dy kampeve mund të duket më shumë teorik në rrethanat e tashme relativisht beninje financiare të eurozonës. Aktualisht, nevoja që ndonjë shtet i eurozonës mund të ketë për dorëzani, duket një e kaluar e largët. Megjithatë, vetëm gjashtë vjet më parë, investitorët privatë në bonot qeveritare greke ishin të obliguar të bënin shkurtime në atë që u bë ristrukturimi i parë i borxhit në eurozonë. Për shumë politikëbërës të eurozonës dhe për investitorët privatë, kjo ishte një përvojë jo e kënaqshme. Një pjesë e dorëzanisë së vitit 2012 për Greqinë përfshinte një tentim për të përdorur klauzolat e veprimit kolektiv vë ligjit anglez, për të imponuar shkurtime, të shoqëruara me marrëveshjen e një shumice të kualifikuar të kreditorëve. Por, nga gjithsej 35 bono të ligjit anglez, vetëm 17 u ristrukturuan. Pronarët e 18 bonove të tjera kishin rezistuar, duke kërkuar kushte më të mira. Në fund, ata ia dolën që ta siguronin një pagesë të plotë, sipas një studimi të bërë muajin e kaluar nga Qendra për kërkime të ekonomisë politike, që është një "think-tank". Gjermania, Holanda dhe shtete të tjera kreditore të Evropës Veriore janë të vendosura që, nëse ndodh ndonjëherë ndonjë dorëzani tjetër, atëherë i tërë procesi duhet të menaxhohet në një mënyrë më efikase. Klaus Regling, kreu i Mekanizmit të stabilitetit evropian, për luftimin e krizave, e vuri këtë në pah në një fjalim të mbajtur më 2 shkurt në Slloveni. Çdo kornizë e re e ristrukturimit të borxhit nuk duhet të përfshijë zgjatjen automatike të borxheve të maturuara, sugjeroi Regling. Megjithatë, klauzolat e veprimit kolektiv "mund të përmirësohen, me qëllim të parandalimit të betejave të zgjatura kundër rezistuesve", sikur që ndodhi në rastin grek, tha ai. Fjalimi i tij paraqiti një tentim për të nënvizuar një emërues të mundshëm të përbashkët në mosmarrëveshjen në eurozonë. Intervista e Hoekstra's dhënë për "Financial Times" tregon se një hendek i thellë vazhdon t'i ndajë të dy palët. 

(Kosova Sot)